Koncerti i Krishtlindjeve nën interpretimin e korit “Pax dei”
Koncerti i Krishtlindjeve vjen sot në Katedralen “Shen Pali”, nën interpretimin e korit “Pax dei” dhe Orkestra e Harqeve e Filarmonisë së Re. Koncerti do të dirigjohet nga Suzana Turku “Artiste e merituar” dhe koncert maestro do të jetë Donika Çili. Për publikun do të vijnë pjesë muzikore nga Moxart, Brahms, Schubert etj. Këto tinguj muzikorë do të shoqërohen dhe nga emra të njohur të skenës operistike si: Sofika Kole, Erlind Zeraliu, Erjona Gjyzeli, Dorina Selimaj etj. Kori “Pax dei” lindi si një kërkesë e brendshme shpirtërore, e domosdoshme, për t'i dhënë mesazhe të fuqishme njerëzore dhe paqeje shoqërisë shqiptare, që aq shumë u trazua në prag të ndryshimeve të mëdha. “Pax dei” është i pari formacion koral në llojin e vet në historinë e muzikës shqiptare, një formacion solid i përbërë nga 21 muzikantë të apasionuar dhe profesionalisht e vokalisht të mirë përgatitur. Ai është një kor i aftë për të kënduar bukur: muzikën religjioze (musica sacra) të periudhave dhe stileve të ndryshme, muzikën korale paraklasike e klasike dhe të periudhave të mëvonshme, deri në ato bashkëkohore (moderne), muzikën amerikane dhe evropiane, muzikë tabu, e ndaluar në të kaluarën. Ky grup koral, ekzekuton me mjeshtri muzikën korale operistike dhe muzikën e zgjedhur korale shqiptare, si populloren, ashtu edhe patriotiken, të përpunuara dhe të përshtatura me mjeshtri për këtë formacion, nga kompozitorët tanë: Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Limoz Dizdari, Feim Ibrahimi, Nikolla Zoraqi, Aleksandër Peçi etj.
Jorgji Gjikopulli vjen me një ekspozitë në galerinë FAP
Galeria FAP në Akademinë e Arteve është gjallëruar nga ngjyrat e punëve të piktorit Jorgji Gjikopulli, i cili e fton publikun në një udhëtim nga “Fajeo në Karava”. Ekspozita mbart këtë titull befasues dhe të pazakontë; janë dy ekstremet e maleve që rrethojnë Dhermiun e që zbërthejnë më së miri edhe përmbajtjen e kësaj ekspozite. Ajo përbëhet më së shumti nga motive bregdetare të Rivierës shqiptare dhe kryesisht Dhermiut, vendlindjes së autorit. Të trajtuara me mjeshtëri dhe me stilin krejt të veçantë të piktorit ato herë zhduken e herë zbulohen në një lojë shumë interesante të ngjyrave dhe dritës, teksturës dhe kontrasteve, duke u kthyer në një kaleidoskop të magjishëm piktorik. Ekspozitës i shtohen edhe një seri veprash më të hershme që krijojnë një lidhje organike me të parat dhe japin një pasqyrë edhe më të plotë të fizionomisë artistike të Gjikopullit. Ai vjen në këtë ekspozitë me një frymë krejt të re dhe optimiste, duke na shfaqur një krijimtari të sinqertë dhe krejt origjinale, duke dëshmuar njëkohësisht vlera të qëndrueshme artistike.
21 Dhjetor 2009