Asnjë gjurmë për vajzën e zhdukur në ujë
VLORE - Asnjë shenjë të 13-vjeçares së mbytur në lumin e fshatit Gjormë në Vlorë. Policia, polumbarët, por edhe banorët e fshatrave Gjormë e Velçë bënë kërkime gjatë gjithë ditës së djeshme, por nuk mundën të gjejnë trupin e saj. Sipas policisë mbytja e vajzës është shkaktuar nga rrëzimi i kalit në lumë si pasojë e prurjeve të mëdha. Të dy fëmijët, motër dhe vëlla që ishin mbi kalë kanë rënë në lumë. Rrjedha i ka marrë me vete, por pas rreth 50 metrash lumi ka nxjerrë në anë 14 vjeçarin A. M., ndërsa e motra ka rënë në një katarakt, i cili është disa metra i lartë e më pas është zhdukur. Vëllai i saj njoftoi menjëherë prindërit për ngjarjen, por megjithë kërkimet e kryera, policia njoftoi se nuk ka asnjë gjurmë të të miturës.