Besnikëri ndaj Uashingtonit
Pas fundit të komunizmit në Evropë 1989-‘90, shumica e qeverive të reja në lindje të kontinentit synonin të anëtarësoheshin në BE dhe NATO. Por ndërsa anëtarësimi në BE zgjati njëfarë kohe, dëshira për anëtarësim në NATO e këtyre tre kandidateve u plotësua më shpejt. Në 1997, Sekretari i atëhershëm i Përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, iu çoi atyre lajmin e mirë:
“Sot, shefat e shteteve dhe të qeverive vendosën që të fillojnë me Çekinë, Hungarinë dhe Poloninë bisedimet për anëtarësim në NATO.”
Rreth dy vjet më vonë, më 12 mars 1999, anëtarësimi u krye. Te tria ish-shtetet anëtare të Traktatit të Varshavës treguan një zell të paparë për t'iu dëshmuar aleancës së tyre të re, e para së gjithash përpara syve të amerikanëve që japin tonin brenda NATO-s. Kështu, në vitin 2003 që të tria këto shtete u bashkuan me të ashtuquajturin Koalicionin e të vullnetshmëve në luftën në Irak. Ky nuk qe shprehimisht një mision i NATO-s, por pjesëmarrja bëri efekt te qeveria e Bushit, në Uashington. Ish-ministri i Mbrojtjes i SHBA, Donald Rumsfeld, e ndau pas kësaj kontinentin në një Evropë të re dhe të vjetër.
“Ju mendoni për Gjermaninë dhe Francën, kur është fjala për Evropën, unë jo. Unë mendoj se kjo është Evropa e vjetër. Në rast se e vështroni sot të gjithë Evropën e NATO-s, atëherë qendra e gravitetit shtyhet drejt Lindjes.”
Besnikëria në Aleancë me Uashingtonin bëri që qeveria polake dhe ajo çeke të shpreheshin disa vjet më vonë të gatshme për stacionimin e një pjese të sistemit amerikan të mbrojtjes ndaj raketave. Të dyja këto vende pranuan të merrnin parasysh edhe tensionet ndaj Rusisë. Për këtë tani që qeveria e re e SHBA nën drejtimin e Obamës e ka vënë në pikëpyetje sistemin e mbrojtjes ndaj raketave dhe MPJ të NATO-s vendosën më 5 mars të këtij viti të çojnë një hap të rëndësishëm në drejtim të marrëdhënieve me Rusinë, shqetësimi në Pragë dhe Varshavë është edhe më i madh. Pas fjalëve të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, se “ministrat e Punëve të Jashtme ranë dakord që pas takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Strasburg dhe Kehl të rifillojë sa më shpejt nga puna këshilli NATO-Rusi.”
Polonia, Çekia, Hungaria dhe shtete të tjera ish-anëtare të Traktatit të Varshavës janë të shqetësuara se NATO do të bjerë dakord me Rusinë në kurriz të tyre. Ministrja e Jashtme e SHBA, Hillary Clinton, u përpoq ta shfuqizonte këtë shqetësim:
“Ne duam të bashkëpunojmë më të gjithë aleatët tanë të NATO-s dhe t'i mbështesim ata, ne jemi të ndërgjegjshëm për shqetësimet që kanë një sërë vendesh në lindje të Evropës, pas përvojave të gjata me Rusinë dhe madje për çdo lloj dialogu me Rusinë, qoftë mes NATO-s dhe Rusisë, SHBA dhe Rusisë apo ndonjë diskutimi tjetër me Rusinë.”
Edhe amerikanët duket të jenë befasuar, se e fortë vazhdon të jetë frika në Evropën Lindore e Qendrore, se mund të kthehen në top futbolli të Fuqive të Mëdha, pavarësisht prej anëtarësisë në NATO.