E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thellohet zhvlerësimi i lekut, bie 0,5 pikë në një ditë

Nga Fitim Zekthi

Zhvlerësimi i lekut dje mori një përmasë të re duke i dhënë euros brenda një dite 0,5 pikë. Dje, një 1 euro u ble me 131 lekë dhe kjo është vlera më e madhe e arritur nga euro prej shumë kohësh. Gazeta prestigjioze amerikane “Wall Street Journal” shkruante dje se të gjitha vendet e Evropës Lindore mund të bien në kolaps ekonomik për shkak të zhvlerësimit të monedhave të tyre. Gazeta shkruante se Bashkimi Evropian duhet t’i ndihmojë këto vende menjëherë, pasi krizat e këtyre vendeve do të ndikojnë ashpërsisht në ekonominë e vendeve të Evropës Perëndimore. “Wall Street Journal” thoshte se, pavarësisht nivele të ndryshme të prekjes nga kriza ekonomike, këto vende kanë ngjashmëri të jashtëzakonshme me njëra-tjetrën dhe rënia e monedhave që ka nisur tashmë do të jetë shumë e rëndë për ekonomitë. Përbashkësitë e këtyre kanë të bëjnë me të kaluarën e përbashkët, modele të rritjes ekonomike që varen në shkallë të ndryshme nga kapitalet e huaja për të financuar investimet e brendshme, sisteme bankare që zotërohen gjerësisht nga bankat evropiane-perëndimore, shkruante dje gazeta “Wall Street Journal” në një analizë të saj. Në të vërtetë shtrenjtimi i euros dhe zhvlerësimi i lekut duket se është një dukuri dhe jo thjesht një zhvillim i përkohshëm, siç tha ministri shqiptar i Financave pak ditë më parë, kur ia veshi të gjithë shkakun e zhvlerësimit të monedhës vendase kërkesës dhe ofertës së momentit në treg. Në fakt, gjërat janë duke ecur ndryshe dhe leku vendas vazhdon te humbasë pikë përditë. Kjo shtrenjton në mënyrë të shpejtë jetën në vend dhe sjell pasoja për ekonominë. “Wall Street Journal” shkruan se në këto vende pa asnjë përjashtim monedhat kanë nisur të mbyten dhe kjo do të ketë pasoja, në fakt kanë nisur, në fuqinë për kredimarrje të shtëpive, kryesisht dhe të kompanive për të paguar detyrimet dhe këstet e kredive, të cilat i kanë në monedhë të huaj. Kjo, thotë gazeta “Wall Street Journal”, do të bëjë që bankat evropiane-perëndimore të humbasin në sasi të mëdha nga portofolat e tyre të kredive. Në fakt, aktualisht në Shqipëri deri më tani shtrenjtimi i euros ka rritur çmimet e ushqimeve dhe të shumë artikujve të tjerë që vijnë nga importi, por jo në nivele të larta dhe po ashtu ka shtrenjtuar këstet e kredive për kompanitë dhe për klientët familjarë. Padyshim që kjo gjë do të pasqyrohet në elementë të tjerë, siç janë shitjet dhe fuqia blerëse. Qeveria shqiptare ka pak mundësi për të vepruar në këtë drejtim, por ajo megjithatë ka instrumente që mund të ndikojnë sadopak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›