E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyetje që nuk shtrohen

Blendi Kajsiu

Debati që u zhvillua së fundi rreth deficitit buxhetor mes PS-së dhe PD-së, në shumë aspekte të linte me gojë hapur. Partia Socialiste nga njëra anë akuzonte Partinë Demokratike, se ishte treguar dorëlëshuar me shpenzimet buxhetore dhe me rritjen 'populiste' të pagave dhe pensioneve, nga ana tjetër denonconte rritjen qesharake të pensioneve. Ajo që nuk thuhej, ishte se si dhe sa duhet të rriteshin pensionet dhe pagat. Apo mos qëndrimi i Partisë Socialistë ishte se rrogat dhe pensionet nuk duheshin rritur fare? Ky do ishte një qëndrim i çuditshëm i një partie socialiste, në një vend si Shqipëria, ku shumë pensione nuk mjaftojnë as për mbijetesë. Përballë PS-së qëndronte Partia Demokratike, e cila me mjaft patos nëpërmjet liderit të saj, Berisha, deklaronte se si askund dhe asnjëherë tjetër po rriste pagat dhe pensionet në mes të krizës. Ajo që nuk thuhej ishte se në fakt rritja për shumë pensionistë ishte qesharake. Pas përqindjeve "bombastike" që jepte qeveria, shpesh fshihej një pesëmileksh i vjetër në muaj, që zor se ndihmonte në përballimin e jetesës së pensionistëve. Aq më tepër me rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe me mosfunksionimin e skemave subvencionuese të shtresave në nevojë. Gjithë kësaj zallamahie, së fundi iu bashkangjit edhe FMN-ja, me të njëjtën parrullë, që tashmë e valvit kudo në botë, pavarësisht rrethanave; shkurtoni shpenzimet buxhetore! (Dhe kur FMN-ja thotë shkurtoni shpenzimet, ajo që ka ndër mend mbi të gjitha është mos rrisni pagat dhe pensionet). Kjo thirrje u përqafua menjëherë nga pozita që i futi një shkurtim të befasishëm buxhetit. Ndërkohë që opozita krenare e denoncoi këtë veprim si shenjë e pastër e krizës në të cilën ndodhet vendi.
Ajo që nuk u shtrua fare për diskutim ishte pyetja e thjeshtë politike dhe parimore; si duhet shpërndarë në buxhet përballimi i krizës në të cilën ndodhet vendi? Sa duhet të përballojnë ata që fitojnë më shumë dhe ata që fitojnë më pak? E thënë thjesht fare; në Shqipëri ka sektorë mjaft fitimprurës si telefonia celulare apo sistemi bankar që janë pothuajse tërësisht në duart e kapitalit të huaj dhe që nxjerrin qindra milionë euro fitim jashtë Shqipërisë çdo vit. A mund të tatohen më shumë sektorë të tillë me fitime marramendëse për standardet shqiptare, në mënyrë që të garantohet rritja e pensioneve dhe pagave minimale? A nuk duhet vallë një sistem progresiv taksash në mënyrë që barra e krizës financiare të shpërndahet sa më drejtë dhe të mos peshojë më shumë në supet e atyre që kanë të ardhura më të ulëta? A nuk është e drejtë që ata që kanë përfituar dhe përfitojnë më shumë nga ritmet e zhvillimit shqiptar të tatohen më shumë? A ka kuptim që në një kohë, kur qindra mijëra pensionist shqiptare nuk përballojnë dot jetesën sektorë të caktuar kanë nxjerrë fitime marramendëse prej qindra milionë eurosh nga tregu shqiptar?
është e natyrshme që FMN-ja nuk i shtron pyetje të tilla pasi në fund të fundit ajo është një agjenci në funksion të kapitalit ndërkombëtar, nga i cili varet dhe vlerësohet. Ndaj nuk ka për të ndodhur kurrë që FMN t'u kërkojë autoriteteve shqiptare që të mbledhin më shumë të ardhura nga sektorët më fitimprurës, si telefonia celulare apo sektori bankar. Nuk është punë e FMN-së të shqetësohet për pensionistët shqiptarë, që nuk e mbyllin dot muajin, apo për mijëra prej tyre që vdesin nga pamundësia e blerjes së ilaçeve cilësore. Në doktrinën ekonomike të FMN-së, pabarazia është e nevojshme për zhvillimin ekonomik, ndërsa zhvillimi ndodh vetëm nëpërmjet investimeve të huaja, që për pasojë nuk duhen trembur me taksa por duhen tërhequr me lehtësira.
Problemi fillon kur pyetje të tilla nuk shtrohen as nga Qeveria, as nga opozita dhe as nga mediat tona "të lira". Qeveria jonë nuk ka këllqet, legjitimitetin dhe mbështetjen e duhur popullore për t'u përballur me pushtetin e multinacionaleve dhe të kapitalit ndërkombëtar në mbrojtje të interesave të shtresave në nevojë, siç janë p.sh. pensionistët shqiptarë. Synimi i saj parësor është mbajtja e pushtetit dhe për këtë i duhet patjetër mbështetja ndërkombëtare dhe legjitimimi që vjen nga jashtë me heqje vizash apo me integrimin e pafund në BE. Opozita nga ana tjetër ka po kaq nevojë për faktorin ndërkombëtar në betejën e saj "madhore" të Ruzhdies. Ndaj ajo nuk ka kohë të diskutojë për gjëra banale, si rritja e pensioneve dhe shpërndarja më e drejtë e të ardhurave në ekonominë shqiptare. Edhe pse emrin e ka Partia Socialiste, edhe pse Shqipëria vazhdon të jetë vendi me polarizimin e të ardhurave më të madh në rajon, pra edhe pse diferenca mes atyre që kanë shumë dhe atyre që kanë pak veçse rritet.
Së fundi, media jonë e lirë nuk i cek dot çështje të tilla thellësisht politike për dy arsye. Së pari, sepse ajo vetë është produkt i kapitalit dhe nuk mund të kërkojë tatimin e fitimit të tij apo një rishpërndarje me të drejtë të të ardhurave nga ata që kanë shumë drejt atyre që kanë më pak. Së dyti, sepse sektorët shumë fitimprurës që zotërohen nga kapitali i huaj si telefonia celulare janë një burim tejet i rëndësishëm reklamash. Madje ky sektor është aq i fuqishëm saqë ndryshe nga bizneset shqiptare nuk ka nevojë për një media të vetën që të mbrohet, pasi ai mund t'i blejë të gjithë sektorin.
Ja pse kur diskutohen shkurtimet në buxhet disa çështje sa themelore, po aq edhe politike dhe parimore si rishpërndarja e të ardhurave nuk diskutohen. Ja pse diskutimi i buxhetit "të trash" me akuzat dhe kundërakuzat, me teknikalitet dhe përqindjet pafund që shërbejnë për të fshehur një të vërtetë të thjeshtë. Barrën më të madhe të krizës financiare së pari do ta përballojnë ata që kanë të ardhura më të ulëta. Po si? Thjesht duke mbetur të varfër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›