Reforma në mjedis, Mediu takim me grupet e interesit
Tre projektvendime që lidhen me reformën e në fushën e legjislacionit mjedisor u paraqitën dje nga Ministria e Mjedisit para grupeve të interesit. Ky takim erdhi në kuadër të përafrimit të legjislacionit mjedisor me direktivat e BE. Kreu i Ministrisë së Mjedisit, Fatmir Mediu, tha dje se reforma mjedisore përmban ligjet bazë, mbi të cilat mbështeten politikat kryesore të ministrisë që ai drejton, që lidhen me mjedisin, ujërat dhe burimet natyrore, në përgjithësi. "Me këtë reformë, Legjislacioni Mjedisor përafrohet në masën 100% me direktivat e Bashkimit Europian", theksoi Mediu. Tre projektvendimet që u paraqitën për diskutim ishin ai "Për Amballazhet dhe Mbetjet e tyre", ai "Për Bateritë dhe Akumulatorët" si dhe "Për Mbetjet nga Pajisjet Elektrike dhe Elektronike". Ministri Mediu theksoi se këto akte janë përgatitur nën asistencën e IFC-së dhe vlerësoi faktin që ato janë ndërmarrë në momentin e duhur për vendin. "Këto tre akte janë pjesë e akteve nënligjore të ligjit për mbetjet dhe përgatitja e tyre bën të mundur që implementimi i ligjit me miratimin e tij të bëhet i plotë dhe eficent", theksoi Mediu. Ai kërkoi një bashkëpunim më të madh me grupet e interesit në mënyrë që shqetësimet dhe mendimet e tyre të gjejnë vend tek këto projektvendime për ta bërë sa më të plotë kuadrin në total.