Pyetjet me tre nivele vështirësie, njohuritë që do të testohen
Brenda fondit të madh të pyetjeve që janë hartuar për testin e Gjuhë-Letërsisë, që vetëm për një drejtim gjimnazi janë 500 të tilla, ato që do të përzgjidhen për të qenë pjesë e testeve përfundimtare do të bazohen në tre nivele vështirësie, duke filluar nga më të lehtat deri tek ato më të vështirat për nxënësit më të mirë. Për rrjedhojë, të gjithë maturantët, të cilët hyjnë në kategorinë e nxënësve të dobët, që përgjithësisht marrin notën 5 ose 6, do të kenë hapësirën e tyre në çdonjërin prej testeve të provimeve të Maturës. Kështu, në masën 40%, hartuesit e testeve do të përgatisin pyetje pikërisht për këtë nivel, i cili korrespondon me nivelin e tretë, sipas kategorizimit që u është bërë nxënësve për nivelin e tyre arsimor. Në këtë mënyrë, këta maturantë, dijet e të cilëve nuk janë për t’u lakmuar, do të mund të marrin pikët e nevojshme në provim sa për të mos rezultuar mbetës. Ekzistenca në shkolla edhe e nxënësve jo të mirë ka çuar në këtë vendim të specialistëve, në mënyrë që edhe kjo kategori të mos mbetet pa iu përgjigjur asnjë pyetje në provim. Niveli i dytë i pyetjeve, ku hyjnë nxënësit pak më të mirë në mësim se të dobëtit, do të zërë në çdonjërin prej testeve po 40% të totalit të pyetjeve. Në këtë grup pyetjesh do të ketë testim të dijeve të maturantëve jo thjesht për njohuritë bazë, por për njohuri më të thella, për të cilat mund të përgjigjen ata maturantë që përpiqen të mësojnë, ose kanë qenë sistematikë. Niveli i parë, ose i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë do të ketë 20 % hapësirë në test. Në këtë grup pyetjesh, maturantët do të testohen jo me vetëm për njohuritë që kanë marrë gjatë shkollës së mesme, por edhe për kreativitetin e tyre individual. Në këtë mënyrë, maturanti i nivelit të tretë ka të ngjarë të marrë 40% të pikëve (nëse është i mirë për nivelin ku bën pjesë), ata të nivelit të dytë 80%, dhe maturantët e nivelit të parë, 100% të pikëve, pra vlerësim maksimal.