Fëmijët, të “gozhduar” para televizorit
Numri i fëmijëve që harxhojnë në ditë tri orë ose më shumë para ekranit është vërtet i madh. Sipas shifrave të nxjerra nga një studim i Institutit të Shëndetit Publik, të paktën 58% e fëmijëve nën moshën 6 vjeç kalojnë më shumë se 3 orë para televizorit. E thënë ndryshe, bëhet fjalë për 1641 fëmijë që përbëjnë 58% të të gjithë të anketuarve. Sipas specialistëve, këto të dhëna flasin për një situatë aspak të pranueshme, shumë negative nga të gjitha pikëpamjet, pasi rekomandimet aktuale sugjerojnë që fëmijët nuk duhet të shikojnë më shumë se një deri në dy orë televizor dhe video në ditë. Studimi është shtrirë në 24 rrethe të vendit, ku ka rezultuar se këta fëmijë janë më pak socialë dhe e kanë të vështirë të krijojnë miqësi me bashkëmoshatarët e tyre, duke qëndruar brenda një bote të mbyllur. Dhe ata që duhet të tregojnë kujdes janë prindërit, të cilët në jo pak raste lënë për një kohë të gjatë fëmijët para ekranit pa i kontrolluar. Psikologët mendojnë se fëmijët nuk duhet të kenë televizor në dhomat e tyre, pasi kjo ua “vjedh” kohën e lojës. “Fëmijët që e kalojnë kohën para televizorit kanë më shumë problem me komunikimin. Prindërit duhet të jenë të pranishëm gjatë kohës që ata shohin televizor, për t’i treguar se ajo që ndodh në ekran nuk është jeta reale”, - shpjegon Aulona Zotaj, specialiste. Por, edhe adoleshentët kalojnë një kohë të gjatë para ekranit, si dhe në internet, gjë që veç dëmtimit të syve, i shkëput edhe nga libri. Specialistët e shëndetit publik shpjegojnë se, së pari, kjo mënyrë sjelljeje sedentare ndikon negativisht në konsumimin e energjive, duke rritur probabilitetin e obezitetit te fëmijët. Pasi është një fakt i njohur tashmë që “koha e shpenzuar në aktivitete sedentare redukton shpenzimin ditor të energjive, kur është e raportuar një vartësi reciproke midis sjelljes sedentare dhe mbipeshës”. Përgjithësisht njeriu, por në mënyrë të veçantë fëmija, duhet të konsumojë sasinë e energjive që merr përmes të ushqyerit gjatë gjithë ditës. Dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë është përfshirja në aktivitete të ndryshme fizike, që mund të jenë pjesëmarrja në lojëra, lëvizje të organizuara ose të rastësishme, ecje të shpejta në natyrë, ndjekja e kurseve të ndryshme sportive, ngarja e biçikletës etj. “Djegia jo e plotë e energjive të marra, do të thotë që ato të depozitohen në trup, dhe ky depozitim “përkthehet” në rritje në peshë e më pas në mbipeshë të individit. Por, nuk duhet të harrojmë se është shumë më e lehtë të ruash peshën tënde, se sa të tentosh të biesh në peshë pasi e ke marrë atë. Ndaj duhet të bëjmë kujdes të ushqehemi dhe të konsumojmë energji në mënyrë të balancuar me aktivitetin tonë fizik; thënë me fjalë të tjera të marrim energji aq sa djegim, dhe jo më shumë. Vetëm kjo balancë do të sigurojë shëndet të mirë në fëmijët tanë”, - shpjegojnë specialistët. .