Tenderat, QSUT ende pa barna
Vijon mungesa e ilaçeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pasi edhe e vetmja rrugë që do të zgjidhet këtë problem të tejzgjatur nuk është realizuar ende plotësisht. Kështu, megjithëse tenderat e barnave duhet të kishin përfunduar në muajin prill dhe në maj duhet të ishte lidhur kontrata dhe të bëhej furnizimi, deri tani ka përfunduar vetëm gjysma e tenderave. Sipas burimeve nga QSUT, tenderat për gjysmën e listës së barnave që nevojiten për spitalet kanë përfunduar dhe po vazhdon pjesa tjetër, ndërkohë që pas përfundimit të tenderave duhet të kalojë edhe 1 muaj kohë për të lidhur kontratat me kompanitë farmaceutike. Ndërsa vonesa në tendera, sipas shpjegimeve nga QSUT, ka disa arsye. Fillimisht, lëvrimi i buxhetit për vitin 2011 u bë me vonesë. Më pas hyri në fuqi tatimi mbi vlerën e shtuar, gjë që kërkonte shtim fondi ose rrudhje të listës së barnave për përdorim spitalor. Tashmë, lista është miratuar me barnat më të domosdoshme për secilën diagnozë. Një shkak tjetër është mungesa e interesimit të kompanive farmaceutike. Kjo pasi spitali i merr me çmimin më të ulët të mundshëm, ndërkohë që importuesit i marrin me një çmim standard për të gjitha nga kompanitë prodhuese të medikamenteve. Vendosja e TVSH-së 10% për barnat ka bërë që të llogaritet një fond më i lartë se vitet e tjera dhe të mirëmenaxhohet. Me gjithë shqetësimin e ngritur nga shefat e shërbimeve dhe bluzat e bardha në QSUT për mungesën e medikamenteve, pak kohë pas marrjes së detyrës si drejtori i spitalit më të madh të vendit, Saimir Ivzniku ka deklaruar se ky problem do të zgjidhet brenda muajit maj. Ndërsa kanë kaluar gati tre muaj nga kjo deklaratë, tashmë mbetet për t’u parë nëse situata në QSUT do të vazhdojë të mbetet e njëjtë, apo do të sigurohen të paktën materialet bazë dhe ilaçet kryesore që kërkohen, sikurse ka pohuar Ivzniku, sipas të cilit, paketa bazë e ilaçeve dhe materialeve të mjekimit nuk do të mungojë në QSUT gjatë këtij viti. Gjithsesi, me gjithë këto problematika të pazgjidhura dhe premtime ende të parealizuara, mungesa e barnave rëndon në xhepat e pacientëve, të cilët janë të detyruar t’i blejnë vetë medikamentet në farmaci.