Fëmijët individualistë dhe të mbyllur
Kalimi i tepërt i kohës përpara ekranit të televizorit ndikon negativisht edhe në socializimin e fëmijës. Kjo sjellje e bën fëmijën të rritet i vetëm, e bën individualist, e bën të mbyllur në botën e vet dhe jo të hapur. Një nga kërkesat e kohës për fëmijët është që ata duhet të rriten dhe të shpenzojnë kohën së bashku me moshatarët e tyre. Në këtë kuptim, ata e kanë më të lehtë të organizohen bashkërisht, të luajnë bashkërisht (shumë lojëra nuk bëhen dot individualisht, por në grup), të krijojnë dhe t’u bashkohen grupeve
të ndryshme sociale, e të tjera përfitime të kësaj natyre. Vetëm kështu fëmijët do të jenë më të përgatitur për jetën, më të gatshëm për të përballuar vështirësitë, që herët ose vonë do t’u dalin përpara; vetëm në grup ata do të rriten më aktivë dhe më të predispozuar për të krijuar personalitetin dhe karakterin e tyre. “Pas familjes, mikrosistemi, që përfshin grupet sociale të ndryshme, është me një rëndësi të veçantë në botën sociale të adoleshentit. Në këtë kuptim, krijimi i grupeve sociale, marrëdhëniet midis tyre, si edhe marrëdhëniet midis grupeve sociale dhe individit, gjatë adoleshencës janë vlera të pa zëvendësueshme, që duhen sprovuar dhe kultivuar në jetën e të gjithë fëmijëve”, - pohojnë specialistët. Grupet sociale fillojnë të shërbejnë si burime informacioni, si modele për sjellje të reja sociale, si burime të fuqizimit shoqëror, dhe si ura të stileve të jetës alternative.