Trojet e Sarandës i mori një pasardhës i Sulejman Delvinës
Sulote Balili, banore e vjetër e Lagjes Nr. 3 të Sarandës, është një nga qindra personat e vënë në alarm, pasi është mësuar se një i ardhur nga Tirana është kujtuar të paraqesë letra pronësie të hershme mbi një sipërfaqe prej disa dhjetëra hektarësh në zonën më turistike të Sarandës. Ajo mban në “sepete” vendimin e këshillit bashkiak të vitit 1999, kur kryetar ishte çapajev Zera, ndërsa ai që ende nuk i dihet saktë emri, ka marrë një akt hipotekimi të dhënë në muajt e parë të vitit 2010. “Unë mbaj vendimet, pronën e merr tjetri me fotokopje”.
Sulotja, një grua pensioniste në Sarandë, thotë se me ta marrë vesh këtë që është gatuar kohët e fundit, ka humbur qetësinë dhe nuk ka ndenjur në shtëpi. “Kam trokitur në zyrat e Hipotekës së Sarandës, unë dhe vajza, kam shkuar edhe në urbanistikën e bashkisë”. Sulotja thotë se në Hipotekë i kanë thënë se “ajo punë është e mbaruar, është pronar i vjetër zotnia”. Ndërsa në bashki vajzës së saj, Elës, i kanë thënë se e keqja është edhe më e madhe nga sa dihet deri tani: nuk janë 43 ha, por 73 dhe jo 400, por 800 qytetarë që preken nga ky privatizim i ri i papritur.
Sulotja thotë se as ajo e as pjesëtarët e tjerë të familjes nuk kanë pasur mundësi financiare të ndërtojnë mbi truallin që ashtu si 2500 qytetarëve të tjerë ua dha bashkia e atyre viteve. Por me aq mundësi sa ka pasur, duke hequr nga goja, ajo mendonte se i kishte mbyllur të gjitha shtigjet që ndonjë i krisur të mund t’i bëhej zot i asaj që me vendim e ka ajo në pronësi. “çfarë kam bërë? - pyet dhe përgjigjet po vetë ajo: Jo vetëm e kam hipotekuar parcelën me Nr. 201, që shkruan se gjendet në bllokun 9, me sipërfaqe 284 metër katrorë, por kam marrë edhe lejen e ndërtimit. Të dyja këto më kushtuan 12 milionë lekë të vjetra, të dhëna në shtet, por edhe nja 4 milionë të tjera i kam hedhur për të bërë nivelimin e truallit, që në fakt më ka qëlluar i tëri në shkëmb”.
Ajo sikur e largon dhimbjen nga vetja, kur tregon se të tjerë kanë shpenzuar shumë më tepër dhe për këtë arsye ata janë për t’ua qarë hallin më shumë se sa asaj. Të gjithë kanë të njëjtin hall dhe pothuajse të gjithë mendojnë se pronari ende pa identitet të bërë publik, i ka ujdisur letrat si “ish-pronar” në mënyrë të tillë që të mos përballet me pronarët e hoteleve nën rrugë, që vijnë në vazhdim të ndërtesës së ish-shtëpisë së pushimit në Sarandë. Ai duket se ka qenë i kënaqur edhe me pjesën mbi rrugë, në një hapësirë të gjerë, (43 apo 73 hektarë), ku të pronësuarit nga bashkia janë kryesisht njerëz të thjeshtë, të llogaritur, “të dobët” nga ish-pronari i kthyer në pronar.
“Dje mësova se ish-pronari është pinjoll i familjes së Sulejman Delvinës, nga Delvina”, thotë Sulotja. “Por është për të mos e besuar gjëkundi këtë, pasi edhe pasardhës direkt i Sulejman apo Namik Delvinës, ky ish-pronar do kishte arritur të dilte në skenë atëherë kur duhej. Ne dimë që përpara se bashkia të ndante sheshet për qytetarët, “pastroi” hesapet me ish-pronarët. 170 ish-pronarëve të vërtetë iu kthye ish-prona e pas kësaj u dhanë vendimet për sheshet tona. Qind për qind ndonjë tjetër do jetë pas atij, që as emrin nuk ia dimë akoma, kur gjëma që kërkon të na bëjë ne, pronarëve të ligjshëm, bëhet çdo ditë e më e madhe”.
Ndërkohë, Bashkia e Sarandës, posaçërisht Drejtoria e Urbanistikës dhe drejtori i saj Panajot Gunari, këto ditë mësohet se ka shtuar komunikimin me qytetarët e cenuar. Mësohet se ajo ka nisur rakordimin e dokumentacionit zyrtar me zyrën e regjistrimit të pasurive në Sarandë, duke i marrë një për një sipërfaqet që përfshihen në vendimin më të fundit të Hipotekës. Dhe pas disa ditësh pritet që ajo të dalë me një komunikim publik për sa ka ndodhur.
#