QEVERIA Q SQEVERIS M
Qytetarët e Kosovës e kanë për obligim të reagojnë në mënyrë aktive për sa i përket çështjes vitale të së ardhmes së tyre. Zgjedhjet e fundit akoma të papërmbyllura si duhet, për shkak të shumë problemeve teknike, për shkak të vjedhjes së votës, për shkak të manipulimit, për shkak të kontestimeve të shumta dhe të tjera si këto, duhet ta bëjnë qytetarin të dalë në aksion, të kufizojë çfarëdo pushteti mbi ta që pretendon se ka legjitimitet politik, e të bëjë çfarë të dojë mbi shoqërinë apo individin. Qytetari mbetet aktiv nëse nuk hesht kur autoriteti i ligjit cenohet nga pushteti personal i një individi apo të një kaste. Derisa qytetari është aktiv ai mbetet edhe i lirë. E kundërta, pasiviteti i çdo qytetari karshi autoritetit të ligjit, sikur i thotë në jehonë pushtetit personal apo kastës të ndërhyjë në lirinë e tyre. Jo vetëm në kësi rasti, qytetari duhet të tregojë vetveten mbi të drejtën e tij, sepse në shumë raste të qeverisjes së vendit ata madje anashkalohen nga vendimmarrja e tyre demokratike. Nuk është aq demokratike një vendim i një qeverie, e cila edhe pse del nga zgjedhje të lira e demokratike, prapë merr vendime pa qytetarin. Marrja e vendimeve pa qytetarin në vetvete përbën një shkelje demokratike, sepse legjitimon një pushtet pa kufizime mbi shoqërinë dhe individin. Demokracia nuk mund të mësohet, nëse për të nuk kemi dhe nuk ushtrojmë kujdes të veçantë dhe të vazhdueshëm. Kujdesi për demokracinë është obligim, por është edhe një konditë themelore e lirisë. Shqiptarët në vitet e fundit po bëjnë përpjekjet e tyre për demokracinë, po e provojnë, po ecet më të, po e mësojnë atë, dhe e gjithë kjo është një proces, një zhvillim i domosdoshëm i tyre. Duhet pranuar se shqiptarët e kishin të vështirë këtë kalim në demokraci, sepse e kaluara e tyre ishte e rëndë dhe e ndryshme. Okupimi i trojeve të tyre, vuajtja nën regjime dhe diktatura kanë ndikuar mjaft që proceset dhe zhvillimet të jenë të ngadalta dhe jo të pritshme.
Qeveria që s’qeveris mëQeveria që s’qeveris më është kjo qeveri që pretendon të jetë prapë në pushtetin e ardhshëm të Kosovës. Pra, qeveria e kaluar (e), do të jetë sërish qeveri e ardhshme, duke anashkaluar faktet dhe arsyet e rënies nga pushteti, dhe kjo rënie ishte dhe mbetet për t’u gjykuar si shkaku i paaftësisë së saj politike për të qeverisur vendin me mandat të plotë. Nuk e mbylli si duhet mandatin, e përmbylli para kohe këtë mandat, u përfol dhe u vërtetua se nuk ishte e aftë të qeverisë. Madje, sa për të sqaruar, kjo qeveri mandatin e saj e përmbylli duke e votuar vetveten në largimin qeverisës të vendit, sepse ishte bërë e pamundur të qeverisej pa numra legjitimë deputetësh. Procesi zgjedhor akoma nuk ka mbaruar për shkak të parregullsive dhe manipulimit të tyre, duket se në disa komuna ku janë evidentuar shkelje të rënda dhe vjedhje votash, komisioni zgjedhor ka vendosur t’i përsërisë ato. Në disa komuna, disa parti pajtohen me ripërsëritjen e tyre, disa të tjera e kontestojnë gjithë procesin si të deformuar dhe kërkojnë të përsëriten sërish zgjedhjet. Derisa po evitohen parregullsitë në qendrat e votimit në gjithë vendin, partia pretenduese se i ka fituar këto zgjedhje e që është partia bartëse e qeverisë së kaluar, është dhe mbetet përgjegjësja kryesore e manipulimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. E sigurt është se sido që të kenë qenë këto zgjedhje nuk kanë prodhuar fitues të plotë që do të mund të formonte qeverinë si e vetme. Pa koalicion është e pamundur krijimi i qeverisë, vështirësitë janë të pranishme, sepse manipulimi i tyre ka pamundësuar besimin politik dhe udhëheqjen e përbashkët. Ky mosbesim u krijua me qeverisjen e kaluar, e cila e mbaroi mandatin para kohe dhe rënia e saj i dha grusht të rëndë bashkëpunimit ndërpartiak, i cili u bë i pamundur edhe në këto zgjedhje. E vërtetë është se zgjedhjet janë manipuluar nga strukturat e brendshme të qeverisë së kaluar, ajo është përgjegjëse dhe kjo i pamundëson çfarëdo qeverisje të mëtutjeshme, sepse të manipulosh dhe të qeverisësh është jodemokratike, joqytetëruese dhe jo e pranueshme brenda çfarëdo standardi. Kjo fitore e manipuluar e partisë dhe bartësja e qeverisë së kaluar nuk mban aspak moral qeverisës për të ardhmen, sepse u provua se kishte shkelje serioze në zgjedhje e fundit. Si mund të qeverisësh?- kur ke shkelur rregullat e zgjedhjeve të lira. Si mund të mbaj moral një qeveri që ka prekur zgjedhjet? – kur këto zgjedhje së paku nga kjo qeveri do të duhej të garantoheshin. Pra, kjo qeveri e kaluar s’qeveris më, me të ardhmen.
Akuza në axhendë akuzashAq më shumë e bënë të pamundur dhe me pak moral të qeverisë me Kosovën Hashim Thaçi, pas akuzave të Dicke Marty-t. Axhenda e zgjedhjeve në Kosovë sikur pësoi një cunam me akuza të rënda dhe demonizuese, për Kosovën, për UÇK-në dhe për vetë Hashim Thaçin. Ky demonizim i Kosovës duhet të kapërcehet me kujdes, për të mos krijuar fytyrën e vrazhdët të përfytyrimit monstruoz të një deputeti europian nga Zvicra. Akuza dhe kundërakuza nuk japin dy fitues të vërtetë. Ndaj për të pasur fituesin në anën tonë, ne duhet t’i ofrojmë bashkëpunim në atë që nuk demonizon realisht fytyrën tonë. Në fakt, preku Kosovën, UÇK-në dhe Hashim Thaçin, janë të rënda akuzat e Dicke Marty-t. Por, dalja nga këto akuza zhytëse nuk janë kundërakuzat, vetëm një ofertë e sinqertë e palës shqiptare për të hetuar deri në maksimum dhe me transparencë maksimale do ta heqë maskën e ndyrë të akuzave ndaj nesh. Çdo provë tjetër është e gabuar, sepse kjo luftë nuk bëhet me Serbin dhe me ndonjë deputet serb. Këtu kemi një eurodeputet nga një vend që ka mbështetur legjitimitetin e pavarësisë dhe ka njohur shtetësinë e vendit. Pra, tentativa për ta gjykuar një deputet europian si një deputet serb është një gabim i pafalshëm, sepse pavarësisht të drejtës për të hetuar diç të dyshuar dhe pavarësisht krimit të mundshëm të një grupi nuk mund të pësojë vendi. Sepse më mirë është të provohet sesa të pësohet, nëse jemi të pastër ne atë që prolongohet pse të mos hetohet?! Le të hetohet, por, megjithëkëtë ne posaçërisht duhet të jemi të kujdesshëm dhe të sigurt në të gjitha rezultatet hulumtuese, sepse mund të jetë një komplot i organizuar ndaj dhe shumë çështjeve tona.
* * *
Hashim Thaçi, duhet t’u hap rrugë këtyre akuzave dhe jo të mbajë në axhendë demonizimin e vendit me akuza të tilla. Procesi zgjedhor dhe evidentimit i problemeve zgjedhore të finalizohet, t’i jepet shansi më normal qytetarit që sërish të votojë në ato komuna ku u evidentuan probleme dhe deformim zgjedhor. Fituesi të krijojë qeverinë me ose pa koalicione një qeverisje të re dhe me të, të fillojë jeta politike e vendit…Thaçi me të gjitha premisat nuk mund të qeverisë më me Kosovën…