Bajern Mynih blen nje 16-vjecar nga Kosova
Bajerni i Mynihut, rekordmeni i Gjermanisë për sa u përket titujve të fituar dhe që është njëkohësisht një ndër klubet më të njohura jo vetëm në Bundesligën gjermane, por edhe në Europë, ka marrë në skuadrën e saj talentin kosovar, i cili deri tani luante për skuadrën austriake Kapfneberg. Lajmin e bujshëm e dha tabloidi gjerman “Bild”, që i kushtoi një shkrim të posaçëm djaloshit të talentuar, por është zyrtarizuar edhe nga klubi austriak. Kosovari Ylli Sallahi u huazua mbi bazën e një kontrate që shtrin efektin e saj deri në vitin 2012, me opsionin e blerjes së plotë të kartonit, në rast se futbollisti i ri do të rezultojë efikas. Sallahi luan në mesfushën ofensive dhe ishte i kërkuar nga klubet më të mëdha të Europës. Sallahi kaloi me sukses provën e tij njëjavore te Bajerni, përpara se bavarezët të merrnin vendimin përfundimtar se ia vlente të investonin për të. Fillimisht Sallahi do ta nisë aventurën e tij me Bajernin e moshës U-19. Sipas faqes zyrtare të klubit të Kapfnebergut, me të cilin Sallahi luajti për katër vjet, qysh nga mosha 12-vjeçare, Ylli ka për idhull mesfushorin francez Frenk Riberi.