E Shtunë, 31 Tetor 2026

QEVERIA QE NUK PUNON PER TOKEN

Deklarata e Kryeministrit Sali Berisha për hartimin e një ligji, që do t‘u japë të drejtë komunave t‘u marrin tokën bujqësore pronarëve (të cilët nuk e punojnë), duke i kompensuar me "të dhjetën e prodhimit", shpreh më shumë se sa një arrogancë të verbër bolshevike. Deklarata e Berishës është në një farë mënyre, pohim i gjendjes tepër të mjeruar të bujqësisë shqiptare.

Hapja e ekonomisë dhe e tregut vendas ndaj botës, pa u shoqëruar me politika për mbështetjen e prodhimit bujqësor vendas, kanë bërë që shumë fermerë shqiptarë t‘u kthejnë shpinën tokave të tyre, duke u shndërruar në emigrantë që mbjellin e korrin për të tjerët. Ende thuajse gjysma e popullsisë së vendit jeton në fshat, por ndërkaq, kontributi i bujqësisë në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit ka ardhur duke rënë, i tejkaluar mjaft ndjeshëm nga sektorë, si "ndërtimi" apo "shërbimet".

Qeverisjet e dobëta dhe të padedikuara ndaj fshatit, përfshirë edhe qeverisjet e Berishës, e kanë shndërruar aktivitetin bujqësor (gjithnjë e më të konkurruar nga importet) në një investim jo-fitimprurës. Për shumë fermerë shqiptarë nuk ia vlen të mbjellësh më, sepse nuk korr fitime, por humbje. Eshtë më shumë kjo logjikë tregu dhe jo përtacia shqiptare, ajo që i detyron sot fermerët të lënë, sikundër pohon edhe vetë Kryeministri, me mijëra hektarë tokë djerrë. Prandaj, edhe rruga e zgjidhjes nuk është ajo që propozon Kryeministri, pra e penalizmit të fermerëve. Rruga e zgjidhjes është shndërrimi i bujqësisë në një aktivitet ekonomik fitimprurës. Dhe për këtë duhen politika e financime që nuk duken gjëkundi prej vitesh. Toka po braktiset në masë nga fermerët, sepse ajo është braktisur më parë nga qeveria.

***

Alarmi i Berishës për lënien e tokave djerrë mund të tipizohet me situatën e sivjetshme të një fermeri në Sarandë. Ndodhej përpara korrjeve, por nuk shfaqej fare optimist. Kishte mbjellë 22 hektarë grurë, të cilin fabrikat e miellit ofroheshin t‘ia blinin me 24 lekë kilogrami. Ndërkaq, kostoja e prodhimit të po këtij kilogrami grurë, rezultonte 25 lekë. Në çmimin mjaft të ulët të ofruar nga fabrikat e blojës ndikon shumë edhe çmimi i ulët i grurit të importit. "Nëse gjërat do të vazhdojnë kështu, vitin tjetër nuk do të mbjell më dhe do t‘i drejtohem përsëri emigrimit", na tha fermeri. Quhet Arian Arisi. Sipas tij, politikat mbështetëse për bujqësinë dhe fermerët kanë ardhur duke u shterur. Pushteti lokal nuk interesohet as për sistemet e vaditjes, neglizhencë që duhet ta kompensojnë vetë fermerët, duke rritur përsëri kostot e prodhimit.

Gjithsesi, gjërat nuk do të kishin qenë këtë vit kaq tragjike për Arisin e të tjerë bujq, nëse të paktën do të kishte vazhduar subvencionimi i naftës për fermerët. Duke ndikuar në uljen e kostos së prodhimit, subvencioni i naftës do të kishte bërë që nga 400 mijë lekë humbje për 22 hektarë grurë, Arisi do të mund të merrte të paktën 500 mijë lekë fitim. Por mjerisht, sapo erdhi në pushtet, PD-ja e ndaloi subvencionin e naftës së fermerëve nën pretekstin e luftës kundër korrupsionit. Dhe bashkë me naftën e fermerëve i bëri naftën edhe prodhimit të grurit apo të misrit.

Të kësaj natyre janë shkaqet që i detyrojnë shumë fermerë dhe bujq shqiptarë të braktisin tokat këtu në Shqipëri dhe t‘i drejtohen emigracionit. Dhe askush në botë, as një fermer në SHBA, nuk do të pranonte të mbillte, nëse bursa e Çikagos do t‘i ofronte për grurin e tij një çmim më të ulët se kostoja e prodhimit të grurit. Do të ishte një budallallëk. Askush, as tregtarët, as industrialistët, as bankierët nuk investojnë aty ku nuk ka fitim. Përse u dashka që një gjë të tillë ta bëjnë fermerët shqiptarë?!

Prandaj, përpara se të mendohet se si t‘i detyrojë fermerët dhe bujqit shqiptarë të punojnë tokën, duke i prekur tek e drejta e pronës, qeveria dhe Kryeministri duhet të mendohen për të hartuar ato politika që e shndërrojnë bujqësinë në një aktivitet fitimprurës, në një veprimtari prodhuese, për të cilën ia vlen të investosh. Kjo do të thotë t‘i bësh fermerët të interesuar ekonomikisht për të mbjellë, e jo t‘i penalizosh pse janë aq të zgjuar sa të mos mbjellin në një tokë që nuk jep fitim, por u shkakton humbje.

Edhe statistikat flasin për një stanjacion dhe rënie të bujqësisë, shkaktuar në radhë të parë nga neglizhencat dhe miopitë qeverisëse. Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë (BSH) tregojnë se bujqësia ka pasur përgjithësisht ritmet më të ulëta të rritjes krahasuar me degët e tjera të prodhimit vendas. Por me marrjen e mandatit qeverisës nga Berisha në vitin 2005, ky tregues është përkeqësuar edhe më tej. Të dhënat e vitit 2008 mungojnë akoma në statistikat e BSH-së, por deklarata e Kryeministrit për "mijëra hektarë tokë të lëna djerrë" të krijon një mendim pse mungojnë këto shifra dhe se si mund të jenë ato. Ndërkaq, është po buletini i BSH-së që dëshmon se, në vitin 2007 bujqësia u rrit vetëm me 1.1 për qind, kundrejt 6.2 rritje në "ndërtim" dhe 11.4 në "shërbime". Eshtë një "rritje" thuajse stanjative, që dëshmon se fermerët shqiptarë nuk është se nuk duan të punojnë tokën, por nuk munden. Prandaj është shumë shpejt për qeverinë të thotë se toka nuk i takon atij që s‘e punon. Sepse është qeveria vetë që nuk punon për tokën.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›