E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e urtë shqiptare “Koha është flori” dhe burokracitë absurde!

“Koha është flori”, - thotë një nga fjalët e urta që gjenden në thesarin e mendimit filozofik popullor të shqiptarëve, por ky mendim i urtë që tregon nevojën e shfrytëzimit maksimal të kohës duket qiellor në rrugët e gjata burokratike të Shqipërisë.

Koha në Shqipëri tashmë ka një vlerë shumë relative dhe besoj se kjo fjalë e urtë (në lidhje me burokracitë përkatëse në shtetin shqiptar) duhet përshtatur në lidhje me interesin e vetëm disa grupeve apo personave të cilët dinë ta shfrytëzojnë kohën e të tjerëve dhe të përfitojnë nga ata.

Qytetarëve u duhet shumë kohë për të realizuar disa dokumente shumë të thjeshta, ndërsa institucionet sipas rregullave përkatëse plotësojnë njëra-tjetrën pa arsye të qenësishme! Kjo ndodh kryesisht për të gjithë ata shqiptarë të cilët jetojnë jashtë dhe u duhen dokumente përkatëse.

Kështu, për rreth 1/3 e popullsisë sonë për të realizuar një certifikatë të gjendjes së tyre civile, e cila u nevojitet ta përdorin jashtë shtetit shqiptar ku jetojnë dhe punojnë, u duhet ta marrin atë në zyrën e gjendjes civile të minibashkisë X, duhet ta përkthejnë, ta noterizojnë, ta riciklojnë në këshillin e qarkut dhe nëpërmjet Postës Shqiptare ta riciklojnë akoma edhe në një nga zyrat e Ministrisë së Jashtme!

Kjo ndodh në mënyrë absurde, ndonëse bëhet fjalë për zyra dhe institucione të të njëjtit shtet dhe personalisht shpresoj se me realizimin e certifikatave elektronike këto përzgjatje absurde dhe të lodhshme do të reduktohen apo eliminohen nga qeveria e z. Berisha!

Kalvari burokratik përballë ambasadave në Tiranë

Personalisht, “rrugën” drejt ambasadave në Tiranë për të marrë viza e kam bërë zyrtarisht dhe me telefonata nga jashtë Shqipërisë, ndaj dhe kam mbaruar punë shumë shpejt dhe pa probleme. Por, besoj se kjo duhet të jetë një nga arsyet themelore që ata që mund të ndikojnë (zyrtarët dhe politikanët shqiptarë) mbi këtë situatë komplekse midis qytetarëve shqiptarë dhe ambasadave të huaja në Tiranë, bën që ata të mos i njohin problemet që hasin qytetarët e tjerë në këto “mure” të reja të Evropës në Shqipëri.

Para disa ditësh në një nga të përditshmet lexova nga ish-ministrja e Integrimit, znj, Ermelinda Meksi, ndërsa fliste për lehtësimin e procedurave të marrjes së vizave evropiane dhe mosdhënien e një vize Shengen birit të saj ndonëse i kishte pasur të gjitha dokumentet e nevojshme në rregull.

Jam i bindur që kjo është përvojë e re për znj. Meksi, sepse sikur të ishte akoma ministre, nuk mund të kishte pasur një përvojë të tillë ose të ngjashme më të. Për fat të keq, rezulton se statusi i ministres edhe në këtë fushë nuk është i njëjtë me atë të qytetarit dhe me sa duket me atë të opozitares!

Ciklimi në ambasada dhe koha që konvertohet në flori...

Të ciklosh një certifikatë në një nga ambasadat e Tiranës “rruga burokratike” për të realizuar këtë akt të thjeshtë bëhet akoma më e ndërlikuar. Aty trajtohesh njësoj sikur të kërkosh vizë apo të ciklosh një dokument.

Fillimisht, duhet të telefonosh 0900... dhe ju ndoshta mendoni se është një nga numrat e shumtë që ndjellin shijet erotike të shqiptarëve, por jo! Është numër që të lidh me ambasadat e huaja në Tiranë dhe sipas numrit që vijon më tej, lidhesh me ambasadën italiane, greke, gjermane etj.

Ndërsa bëhet fjalë për relacione zyrtare midis shtetasve shqiptarë dhe ambasadave të huaja në mes të tyre në vend të shtetit duhet të ketë ndërhyrë një “ndërmjetës” privat i cili rregullat normale që bën, sigurisht i realizon sipas interesit të fitimit të tij.

Kur telefonon 0900... asnjëherë linja nuk del e zënë dhe të përgjigjet një operatore e cila mund të jetë duke u përgjigjur dy personave njëherësh. Rregullat të cilat të komunikon operatorja janë të rrepta dhe të prera.

Pasi dëgjon një regjistrim automatik që të njofton se në këtë linjë 15 sekonda kushtojnë 25 lekë të reja dhe se telefonata nuk mund të zgjasë më shumë se 15 minuta, më pas operatorja të prezanton rregullat sipas një radhe që ajo e njeh mirë dhe është e prirur që të ta ndërpresë telefonatën për një mungesë hiçasgjëje!

Rregullat që të transmeton operatorja...

Operatorja, pasi të merr të dhënat të cilat ti i ofron, në fund të thotë: “Më vjen keq, personi që duhet të dorëzojë dhe të tërheqë këtë dokument në ambasadë duhet të jetë me të njëjtin mbiemër!” Pra, sipas saj, duhet person i familjes përkatëse së njëjtë.

Kur ti për shembull i thua se je e motra, por e martuar dhe ke mbiemër tjetër, ose i vëllai dhe ajo është e martuar ndaj ka mbiemër tjetër, ajo të përgjigjet se i vjen keq, nuk bëhet dhe të mbyll receptorin.

Kjo mënyrë e padrejtë dhe aspak e justifikuar, pavarësisht se të merr të paktën disa minuta telefonatë ajo të mbyllet dhe ti paguan pa mbaruar punë. Në këtë rast qytetari s’ka asnjë alternativë për të reaguar, por shteti pa dyshim që po.

Duhet të reagojnë kolegët e gazetarisë që të hetojnë rastin. Duhet pa dyshim të reagojë Ministria e Punëve të Jashtme për këtë nëpërkëmbje të qytetarëve të saj dhe pa dyshim Ministria e Integrimit për këtë disintegrim që u bëhet këtyre qytetarëve brenda territorit të shtetit shqiptar, ndërsa flitet për arritje të integrimit të Shqipërisë në NATO dhe BE...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›