E Hënë, 2 Nëntor 2026

STRASBURG – Von der Leyen: Të krijohet një aleancë me Ukrainën për prodhimin e dronëve

STRASBURG,  10 shtator /ATSH-DPA/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi sot krijimin e një aleance me Ukrainën për prodhimin e dronëve.

Sipas saj, Bashkimi Evropian do të vërë në dispozicion 6 miliardë euro për këtë projekt, duke përdorur një hua që do të shlyhet me të ardhurat nga interesat e aseteve të ngrira ruse.

“Ukraina e ka aftësinë shpikëse. Ajo që i duhet tani është shkalla e prodhimit, dhe këtë mund ta arrijmë së bashku, që Ukraina të ruajë epërsinë e saj dhe Evropa të forcojë mbrojtjen e vet”, tha Von der Leyen para eurodeputetëve.

“Më shumë se dy të tretat e humbjeve të pajisjeve ruse janë rezultat i dronëve ukrainas, megjithatë Rusia po përpiqet të kapë ritmin, falë prodhimit masiv industrial, të mbështetur nga dronët “Shahed” të prodhuar në Iran”, theksoi ajo.

Detaje të tjera mbi planin e aleancës nuk u bënë fillimisht të ditura.

Danimarka ka qenë një nga shtetet që ka nxitur prej muajsh një nismë të tillë, duke propozuar që prodhimi të zhvillohet në territorin e saj.

Kjo do ta bënte më të sigurt industrinë ukrainase nga sulmet ruse, pasi çdo goditje e Moskës ndaj fabrikave në Danimarkë do të rrezikonte një kundërpërgjigje nga NATO-ja. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›