E Shtunë, 31 Tetor 2026

QKK me një bord të vetëm? Pse jo!

Kryetari i ri i Qendrës Kombëtare Kinematografike mendon për shkrirjen e bordeve dhe futjen e sistemit të pikëve në vlerësimin e projekteve.

Ky monolog i Artan Minarollit pret të hapet dhe të gjejë mirëkuptimin e kineastëve. Bordet në punë, gjysmën e dytë të vitit.

Mbledhja e Bordit. Është detyra e parë që kryetari i ri i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Artan Minarolli i ka ngarkuar vetes, 1 muaj pasi ka ardhur në këtë post.

Zgjedhja e kryetarit të ri që shqetësoi për pak kohë shoqatat e kineastëve u pasua nga heshtja dhe deri tani që po flasim, përfaqësuesit e tyre nuk janë mbledhur për të vendosur për këshillat miratues të projekteve.

Nëse ka gjë për të cilën duhet të shqetësohet një kryetar QKK-je, është bordi, ndërtimi i tij, gjetja e një "formule" funksionimi e cila, për hir të së vërtetës, deri më sot nuk ka siguruar gjënë më të rëndësishme për një bord: pavarësinë.

Kështu po zvarritet krijimi i Këshillave Miratues të Projekteve (bordet).
Për të shmangur ngërçin që provokon situata, por edhe për të përmbushur detyrën e tij, Minarolli fton të gjitha shoqatat për të biseduar për idetë dhe strategjitë e Qendrës, një kërkesë për bashkëpunim që këto dy ditë do t'u shkojë shoqatave.

"Të formuloj idetë e mia dhe të jem në sinkron me kërkesat e kineastëve", pohon kryetari i ri, duke e vënë theksin tek "menaxhimi i mirë i fondeve publike".

Edhe pse kërkesa do t'u shkojë shpejt përfaqësuesvetë shoqatave, krijimi i bordit apo i bordeve të reja, parashikohet në fund të muajit mars. Ndërsa shqyrtimi dhe vendimet për projektet diskutohen në qershor. Shkurt, në gjysmën e parë të sezonit nuk kalon me dritë jeshile asnjë projekt i ri.

Kryetari po mendon për një formulë tjetër, të përshtatshme për funksionimin e bordeve. Idetë që ai do t'i konsultojë me shoqatat konsistojnë në: krijimin e një bordi të vetëm (me 7 anëtarë të përhershëm dhe tre rezervë); krijimin e një bordi paraseleksioniues që i kalon projektet para se të shkojnë për miratim tek "shtatëshja"; vlerësimin me pikë dhe në mënyrë të fshehtë i projekteve.

Ndërsa bordi nuk është mbledhur ende, ai po shqyrton gjendjen me projektet e filmave që janë futur në prodhim në vitin 2009, por ende nuk kanë përfunduar, projekte të firmosur nga paraardhësi Xhevdet Feri.

Qendrës i është akorduar për 2010-ën buxheti në vlerën 115.380.000 lekë. Ka një rritje minimale në krahasim me buxhetin 111.539.000 lekë të vitit të kaluar.

Rritja e buxhetit është një synim tjetër që Minarolli kërkon ta arrijë gjatë mandatit të tij. "Do t'ju imponohem njerëzve që e kanë në dorë këtë punë, në mënyrë që Qendra të ketë sa më shumë fonde sepse presioni është rritur jashtë mase, si nga brezat e rinj, po ashtu edhe nga brezat më të vjetër, që para pak kohësh, u duk sikur ishin tërhequr, por tani janë rikthyer në kinema. Është e drejta e tyre, kjo s'diskutohet. Kineastë janë bërë më shumë, projekte ka shumë".

Një përqindje e lartë e buxhetit të këtij viti, 70 përqind, kalon për projektet e filmave të 2009-ës. Kujt më shumë e kujt më pak, diku të gjithë shumën e diku tjetër, vetëm 10 përqind, lista që përmendet më poshtë gllabëron më shumë se gjysmën e buxhetit, duke lënë vetëm 30 përqind për filmat e këtij viti.

Kështu marrin ende financim nga qendra filmat artistikë: "I huaji" i regjisorit Pluton Vasi, "Out of Touch" me regji të Andi Delianës, "Tirana blu" me regji të Spartak Pecanit, "Djali i gjakut" i regjisorit Namik Ajazi, "Ëndrra e Çamërisë" nga Kujtim Gjonaj, "Viktor Gjika poet i ekranit" nga Petrit Ruka, "Midis dy dasmave" i Esat Telitit.

Dy filmat e shkurtër artistikë: "Matanë lumit" Sabir Kanaqi, "Kafeja e fundit" Vasian Lami.
Gjithashtu, Qendra financon katër filma të animuar: "Torollaku", "Shelgu dhe kungulli", "Mëkatari" dhe "Liria e madhe", një gjini që vitin e kaluar nuk mori asnjë financim nga qendra.

Në lidhje me projektet e ardhshme apo me kërkesat për të aplikuar pranë QKK-së nuk u tha asgjë nga kreu i ri i Qendrës, afërmendsh kjo me një bord që mblidhet në mars dhe vendos në qershor.

Minarolli përmendi mbështetjen që do t'i japë projektit për një festival filmi, edhe ky andej nga vjeshta.

Tek "politika e marrëdhënieve me jashtë" kryetari fut përmirësimet që i duhen bërë faqes së internetit, prezantimit në gjuhë të saj, shërbimin me një informacion të shpejtë dhe në kohën e duhur.

Pastaj goditjet e largëta të kësaj politike duhen parë tek promocioni i kinemasë shqiptare jashtë në festivalet e Berlinit dhe Kanës dhe tek anëtarësimi i strukturave të kinematografisë shqiptare në organizma ndërkombëtarë.

Objektivi i Minarollit në këtë katërvjeçar është futja në EFP (European Film Promotion), "një sistem që lehtëson shumë barrën e njoftimit në të gjithë botën se çfarë po bëhet me filmin në Shqipëri".

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›