E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i letërsisë!

Kur akademiku Sabri Hamiti promovoi në fundvitin e 2009 variantin e tij letrar të një shekulli, “Albanica” tha se puna e tij rreh t’i kthehet idesë së Çabejt në vitet ’39 se do të vijë koha që literatura e Ballkanit, ndër to dhe shqipja, të mos kenë detyra historike dhe politike po të bëhet letërsi për vetveten. Insistimi që letërsia të lexohet si e vetëmjaftueshme për vetveten, se i mjafton njohja që ka brenda, vetënjohja e njeriut, estetikisht e nevojshme për njeriun, pa pasur shtesa ideologjike. Pasi ka sistemuar letërsinë shqiptare të një shekulli, ardhur deri në ditët e sotme, duke na sjellë edhe leksionin se letërsia bëhet funksionale përmes leximeve të reja, me plot bindje Hamiti pohoi; se tani është absolutisht koha e një jete të brendshme letrare. Të gjitha debatet për një shkrimtar sigurisht që lidhen në një pikë: se çfarë mund të tregojë ai për atë që është sot, sidomos kur është fjala për lëmin e rrëfimit. Kur është pyetur para disa viteve, përkthyesi në spanjisht i shqipes, Ramon Sanches, se si e shikon letërsinë shqiptare sot, ai është shprehur pa rezerva se ajo që vë re, ka të bëjë me frikën e shkrimtarëve shqiptarë për të treguar gjërat reale që po ndodhin këtu, se, vë re që ka pak guxim për të futur duart dhe hundët në këto kushte, ku gjithmonë material i letërsisë është jeta dhe nuk ka tjetër. “Nuk e kuptoj pse presin të kalojnë ca vite dhe shumë kohë pasi letërsia nuk pret”, ka reaguar Sanches, që jetën e tij domosdoshmërish e ka të lidhur me shqipen. Por si duket në ’09-ën ky rebelim i përkthyesit nuk mund të jetë po kaq i fortë. Shkrimtari Romeo Çollaku, i cili ka botuar në ’09, një nga librat me tregime më të mira, pikërisht në rrahun ku e ka ngrënë meraku përkthyesin Sanches, për “standard” është shprehur se “shkrimtari duhet të shkruajë për gjëra që e brejnë, pa e vrarë mendjen nëse këto i vlejnë më shumë popullit të tij apo dikujt tjetër... Do të ishte mirë, pa dyshim, që të kishim, të paktën, disa libra ku të pasqyrohej fytyra jonë, tiparet tona, disa periudha kyçe të historisë sonë. Por, nuk duhet të harrojmë se edhe ato që i quajmë drama kombëtare, para së gjithash nuk janë gjë tjetër veçse dramat e disa familjeve, e disa individëve, të secilit veç e veç”. Është ky një pohim për jetë të brendshme letrare. Si në klandestinitet në dukje, edhe poeti Arjan Leka, i cili e mbylli ’09 me një botim të ri poetik, “Njeriu i detit”, thotë se një jetë e brendshme letrare po regëtin. Si shkrimtar e botues, këtë Leka e lidh me autorët vetë, e poetët sidomos, që kanë organizuar më shumë lexime autoriale, si shmangie të modelit aq të shëmtuar të promocioneve famoze grandioze, që përfundojnë në qoka. Vendet e zgjedhura si vende leximi nuk janë sallat e mëdha, por libraritë, ku veçohen “Friends Book House”, “E Për7shme” apo “Andrra e jetës”. “Megjithatë, po të mos përmendim mediat, institucionet e specializuara apo as autorë të veçantë të kritikës së mirëfilltë letrare, nuk e kanë vënë re apo pak e kanë shprehur praninë e kësaj regëtime të jetës së brendshme letrare”, - është shprehur Arjan Leka në një intervistë për “standard”.
Eksperienca personale e leximeve të këtij poeti, e veçon ’09 si kohë leximi, ku selektimi i tij në treg tërheq vëmendjen në jo pak autorë shqiptarë, në prozë kryesisht, e në poezi, ndonëse kjo më pak. Është filluar vitin me romanin e Zija Çelës “Sos, një buzëqeshje”, për të vijuar më pas me “Moxartin…” e Bashkim Shehut, me “Otellon…” e Ben Blushit, “Tregu i Zeros” i Elian Taninit, me romanin “Ku je” të Flutura Açkës, me “E kuqja e demave” të Mira Meksit, me “Tenxherja” e Agron Tufës, ka vazhduar së fundi pas panairit të librit me “Në kohën e britmës” nga Visar Zhiti, “E penguara…” e Ismail Kadaresë, tregimet e Romeo Çollakut, Faruk Myrtajt, Andrea Hilës. Ndërsa poezi ka lexuar poezi të Petro Papakostës, Ledia Dushit, Ahmet Selmanit, Krenar Zejnos etj. Treguesi përballë lexuesit të këtyre autorëve është tregu. Por këtu kjo është pjesa më e shpërfillur. Vetëm në 2009 shkrimtarët mund të flasin se kanë gjetur lexuesin shqiptar dhe ky reagim është i vetëmjaftueshëm, për njohje. Panairi i librit që organizohet çdo vit në Tiranë, në nëntor, është vendi i vetëm ku promocioni mund t’i shërbejë njohjes. Por këtu ka ndodhur e kundërta. Siç është parë në panairin e ’09-ës, përjashto me gishta dy tre shtëpi botuese, pjesa tjetër i fsheh librat, duke ngritur në postera të mëdha emra që nuk kanë lidhje me letërsinë, dhe shpërfillur autorë që lënda e tyre letrare mund të konsiderohet shpërthim në këto 20 vjet, apo për një pjesë poetësh krijime kërkuese.
Për shumë shkrimtarë këtë vit kanë “rebeluar” duke ndërruar shtëpi botuese, sepse librit nuk i është shërbimi i veçantë nga botuesi që të jetë në librari. Një prej tyre është shkrimtari Agron Tufa, i cili është shprehur për “standard” se “ajo çfarë kam kërkuar të gjej nga botuesit tanë ka qenë gjëja elementare për një shkrimtar: natyralitetin e tregut. Që libri i botuar të gjendet në librari dhe aty ta provoj lëkurën time sa vlen. Dhe përderisa asnjëherë s’na e kanë dhënë këtë kënaqësi, derisa në asnjë librari nuk i gjen librat e botuar, atëherë çfarë ndryshimi ka nëse e ke botuar librin apo e ke në sirtar? Prandaj vendosa të ndërroj botues?”.
Duke qenë në pozitat edhe të botuesit, edhe Arjan Leka e pohon pak me egërsi se nuk mendon aspak se letërsisë dhe shkrimtarëve shqiptarë u bëhet ndonjë shërbim i veçantë nga botuesit. “Përkundrazi. Me botimin e librit, e kam fjalën për shërbimin editorial dhe tipografik, që në disa raste të përveçme është cilësor, “harrohet” një element jo pak i rëndësishëm, promocioni i librit, adresimi i tij drejt lexuesit, bërja me dije e publikut për vlerat si dhe leximet publike autoriale. Harrohet gjithashtu edhe një tjetër element: përpjekja që libri i botuar në shqip dhe në Shqipëri të gjejë botues edhe jashtë saj, fillimisht në rajon. Letërsia, sado e vogël qoftë kjo për nga numri i “konsumatorëve” nuk mund të jetë vetëm marrëse”. Duket sikur të gjithë janë pajtuar me realitetin e librarive në Shqipëri, një model pune që u mungon shtëpive botuese që libri të jetë në treg. Kur të hënën që vjen, çmimi i përvitshëm për letërsinë do të identifikojë jo vetëm prurjet e reja, por për kryetarin e saj, Mark Marku, do të jetë dhe një definicion i paramenduar prej tij; nëse letërsia jonë është në fazën e vetëpjekurisë, dhe si e tillë të ketë gjetur lexuesin. Por kjo vetëm për ’09-ën!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›