QKK në Berlinale

Më saktësisht, QKK hapi stendën në Berlinale - European Film Market, eveniment ky që mbledh industrinë e filmit nga tërë bota. European Film Market, që u hap të enjten dhe përfundon me 17 shkurt, mbledh rreth 7000 profesionistë nga mbi 90 shtete, dhe se bashku me festivalin e Cannes, është vendtakimi më i rëndësishëm botëror i industrisë së filmit.
"Ky është një moment shumë i rëndësishëm, gati historik do të thoja, për Qendrën Kinematografike dhe industrinë e filmit të Kosovës. Jemi krenarë që më në fund arritëm të jemi prezentë në këtë eveniment të madh, ku do të promovojmë jo vetëm filmat e prodhuar nga QKK, por edhe industrinë tonë të filmit në përgjithësi, shtëpitë filmike, festivalet ndërkombëtare të filmit të Kosovës, Kosovën si shtet dhe si lokacion i mundshëm për xhirime të filmave të huaj. Po ashtu do të kërkojmë të gjejmë atë që më së shumti na nevojitet, partnerët për bashkëprodhime të filmave tanë", deklaroi drejtori i QKK-së Fatos Berisha nga Berlini.
Festivali ndërkombëtar i filmit 'Berlinale', që u hap të enjten, sivjet mban edicionin e 62-të, duke pasur një shikueshmëri shumë të lartë me mbi 300 mijë bileta të shitura dhe afro 4000 gazetarë të akredituar nga tërë bota.