E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagojnë për Kosovafilmin

Pas bërjes publike të lajmit se MKRS do ta shuajë ‘Kosovafilmin’, reagon Grupi i Ekspertëve për Kulturë i LDK-së, duke theksuar se ‘pasi shantazhuan dhe shkarkuan paligjshëm pjesën më të madhe të drejtuesve të institucioneve të kulturës, pasi shantazhuan dhe shkarkuan paligjshëm drejtuesit e departamenteve në Ministri, pasi shkarkuan paligjshëm dhe paligjshëm emëruan këshillat politikë të PDK-së, njerëzit e kryeministrit, të njohur si përdhosës të figurave të mëdha të kombit dhe si delikuentë që rrënojnë institucionet e kulturës, ia kanë mësyrë edhe ‘Kosovafilmit’”.

Sipas tyre, PDK ka nisur veprimet jonormale për ta shuar ‘Kosovafilmin’, me ndryshimet e paligjshme të Ligjit për Kinematografinë, duke e futur ‘Kosovafilmin’ nën ombrellën e Qendrës Kinematografike të Kosovës, institucion që bën politika dhe shpërndan mjete financiare për prodhimin e filmave.

“Kosovafilmi nuk mund të jetë pjesë e Qendrës Kinematografike të Kosovës, sepse ‘Kosovafilmi’ është shtëpi filmike. LDK-ja e ka të qartë se njerëzit e PDK-së në Ministrinë e Kulturës këto gjëra nuk i dinë, sikurse nuk dinë asgjë për kulturën, për politikat dhe institucionet e kulturës. Ata nuk kanë pse t’i dinë këto, sepse detyrë e tyre është që të punojnë për interesat jokulturore të PDK-së, për shërbimet e saj dhe të shpërdorojnë sa më shumë në dëm të institucioneve dhe të komunitetit të artistëve të Kosovës”, thuhet në reagimin e Grupit të Ekspertëve për Kulturë të LDK-së.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›