Oketa, medalje “për shërbime të shquara” atasheut ushtarak të Francës
TIRANË – Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ka dekoruar dje atasheun ushtarak të Francës në Tiranë, nënkolonel Jean Charles Spiteri, me medaljen “Për shërbime të shquara”. Ministri i Mbrojtjes Oketa, ia dorëzoi nënkolonel Spiteri-t medaljen, me motivacionin “Për kontributin e dhënë në drejtim të kualifikimit të personelit ushtarak të FA, si dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes ndërmjet Republikës Franceze dhe Republikës së Shqipërisë". Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë së dekorimit, ministri Oketa tha se “dekorimin e nënkolonel Spiterit, e vlerësojmë si një shenjë mirënjohjeje jo vetëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura, por të të gjithë popullit shqiptar, sepse ai ka dhënë një kontribut jo vetëm për FA, por edhe për të gjithë vendin tonë, i cili tashmë është në prag të anëtarësimit të plotë në NATO”. Ndërkohë, Atasheu ushtarak i Francës, nënkolonel Spiteri, theksoi se “ky bashkëpunim i shkëlqyer mes nesh dhe rezultatet që kemi arritur, janë meritë edhe e mbështetjes që kam patur vazhdimisht nga ambasadorja e Francës në Tiranë, si dhe nga qeveria ime franceze”. E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe ambasadorja e Francës në Tiranë, Maryse Daviet, si dhe prindërit e nënkolonel Spiterit
25 Korrik 2008