QKUK, stabilizohet furnizimi me ngrohje
(E plotësuar) Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se furnizimi me ngrohje ka filluar të stabilizohet.
"Pas përpjekjeve dhe punës së menaxhmentit të “Termokos” dhe insistimit të menaxhmentit të QKUK-së, është arritur që të lëshohet në punë nënstacioni për ngrohjen e QKUK-së, i cili me derivate të naftës do të bëjë furnzimin me ngrohje për gjitha klinikat dhe shërbimet e QKUK-së", ka njoftuar QKUK, nëpërmes një komunikate shtypi.
Në bazë të bisedave që ka pasur menaxhmenti i QKUK-së, me atë të “Termokos”, është premtuar se edhe në ditët vijuse do të ketë furnzim cilësor me ngrohje, thuhet në njoftimin e lëshuar sot pasdite.
QKUK apelon të sigurohet urgjentisht ngrohje
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), nga dita e djeshme nuk po furnizohet fare me ngrohje nga ana e Ngrohtores “Termokos”.
Ngrohje nuk ka fare, as në ditën e sotme, përderisa si pasojë e mungesës së ngrohjes, është vështirësuar dhe rrezikuar tej mase puna në klinikat dhe repartet e QKUK-së.
Gjendje më e vështiruar paraqitet në shërbimet emergjente si janë: sallat e operacionit, shërbimi i neonatologjisë në Klinikën e Gjinekologjisë, Qendra Emergjente, Mjekimi Intensiv Qendrore dhe shërbimet e tjera.
Nëpërmes një komunikate për shtyp, QKUK ka njoftuar se drejtorët e klinikave në mbledhjen e mëngjesit raportuan se si pasojë e mungesës së ngrohje, mbarëvajtja e punës është rrezikuar tej mase.
QKUK-ja, apelon tek zyrtarët me të lartë të institucioneve të vendit, që urgjentisht të sigurojnë ngrohje për klinikat dhe shërbimet e tjera në QKUK, meqë si pasojë e mungesës së ngrohjes, po rrezikohet jeta e pacientëve të shtrirë për mjekim në QKUK.
QKUK-ja, kërkon nga “Termokos”, që urgjentisht të fusë në funksion nënstacionin e dedikuar për QKUK-në, për furnizim me ngrohje me naftë, në mënyrë që urgjentisht të sigurohet ngrohja, në të kundërtën ekziston rreziku që në tërësi të ndërpritet puna.