Peci: Serbia s'duhet pyetur për gjykatat
Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci tha për BBC-në se Beogradi nuk duhet të pyetet për rifunksionalizimin e gjykatave në veri të Kosovës.
Këto gjykata e pezulluan punën në shkurt të vitit 2008, pas protestave të dhunshme të serbëve kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Peci tha se Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe faktori ndërkombëtar në përgjithësi, duhet t’ia bëjnë të qartë Serbisë se territori i Kosovës është i pandashëm.
Ai nënvizoi se Kosova ka një sistem unik gjyqësor dhe i njëjti duhet të zbatohet edhe në veriun e banuar me shumicë serbe.
Sipas Peci, Beogradi po pengon normalizimin e punës së gjykatave në veri, duke bërë presion mbi punonjësit serbë të organeve të drejtësisë që të mos iu binden ligjeve të Kosovës.
Kreu i Këshillit Gjyqësor kundërshtoi idenë që për funksionalizimin e gjykatave në veri të bisedohet në dialogun e pritshëm ndërmjet Prishtinës e Beogradit.
Ai tha se me autoritetet e Serbisë mund të bisedohet vetëm për aspektet teknike të punës së gjykatave, siç është mundësia e punësimit të më shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve të nacionalitetit serb.
Peci në intervistën dhënë BBC-së shfaqi besimin e tij se punonjësit e gjykatave në veri të Mitrovicës do të kthehen në vendet e tyre të punës në pjesën e parë të këtij viti, pas përfundimit të punimeve për rinovimin e ndërtesës së gjykatës.
Punimet pritet të fillojnë nga gjysma e janarit dhe të përfundojnë në muajin prill.