E Diel, 1 Nëntor 2026

QORRSOKAK

Është e vështirë të gjesh një homologim në gjuhën shqipe për kompozitën turke që do të thotë se rruga është pa krye: Qorrsokak. Nëse sokaku është një rrugicë e ngushtë, bashkimi me fjalën qorr e shndërron atë gati-gati në një metaforë. Me sa duket, nuk ka qenë e rastit që personaliteti me orientimin më të qartë properëndimor në të kaluarën e Shqipërisë, ai që solli në shqip Shekspirin, Edgar Alan Po-en, Longfelloun dhe Servantesin, pra Imzot Fan Noli përdorte aq shumë dhe aq shpesh fjalë turke në krijimtarinë e vet, ashtu sikundër përdorte edhe togfjalëshin "Yrt i Shkretë i Ilirisë Perëndimore" në vend të fjalës së tij të shumëdashur Shqipëri. Me sa duket, ngarkesa emocionale që mbart bashkëjetesa jonë me këto fjalë të origjinës turke natyrshëm që kanë sjellë marrëdhënie specifike emocionale me kuptimin që ato mbartin.

Për çudi të shumëkujt, kompozitën "qorrsokak" që në shqip do të thotë udhë (rrugë) pa krye, dje u përdor në origjinal nga drejtuesi aktual i Partisë Socialiste, Edi Rama, kuptohet së bashku me ngarkesën e posaçme emocionale, sepse nuk mund të mendohet që ai nuk ia di peshën kësaj kompozite. E tha këtë në një prononcim për mediat menjëherë pas takimit me përfaqësuesit e OSBE-së, të cilët kanë ardhur ashtu si në çdo prag zgjedhjesh në Shqipëri, të ngjashëm me ata komisionerët e ministrive të arsimit, të lodhur me një shkollë ku as nxënësit, as mësuesit nuk duan t‘i sjellin provimet në standardet e kërkuara.

Citojmë lajmin: "Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka shprehur sot shqetësimin për situatën problematike që është krijuar lidhur me procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, përfaqësuesve të ODIHR-it.

Gjatë një takimi të zhvilluar në selinë e partisë rozë, me përfaqësuesit e mbërritur pak ditë më parë në vendin tonë, Rama ka nënvizuar problemet në këtë proces, duke përsëritur atë që është thënë që herët në këtë kamp; përgjegjësinë e qeverisë lidhur me vonesat dhe gjithë mangësitë e tjera që po shoqërojnë procesin.

Sipas Ramës, qeveria po e fut vendin në qorrsokak, për shkak të mospajisjes së qytetarëve me karta identitetit dhe për këtë është ajo është përgjegjësja kryesore për zgjedhjet parlamentare. Lideri i opozitës ka deklaruar se aplikimi për karta është në nivele alarmante dhe situata sa vjen e po bëhet më dramatike…".

***

Nga na doli ky "qorrsokak"? Kur e mësoi Rama se "qeveria" na qenka përgjegjëse për zgjedhjet? Po njësitë qeverisëse të pushtetit vendor që administrohen nga Partia Socialiste, ç‘kanë bërë? A nuk jemi të gjithë dëshmitarë se si të deleguarit e tij të besuar kanë më shumë se një vit që përpiqen të na mbushin mendjen përmes xhamave të televizorëve (në popull nuk dalin dot qysh se ka filluar kjo "era e politikës së re") se ndryshimet kushtetuese, Kodi i ri Zgjedhor dhe marrëveshjet e deritanishme të Ramës me Berishën, ndryshe nga sa flisnin gojët e liga, nuk kishin në themel marrëveshjet e pista për leje ndërtimi apo për të mbuluar fëlliqësinë e aferave të pista të të ashtuquajturve grupe të interesit, por qenkëshin bërë pikërisht për të siguruar një proces zgjedhor të standardeve të kërkuara. Ndërkohë Berisha asnjëherë nuk mënoi të përsërisë se do të pranonte çdo lloj propozimi të opozitës dhe se mbetej i angazhuar që të realizonte, në emër të integrimeve, zgjedhje të standardeve.

Dhe, kështu, pas një viti, ndryshe nga sa pretendonte edhe miku im Kastriot Islami, një "usta" i vërtetë i zgjedhjeve, rezultojmë të kemi hyrë në një "qorrsokak". Rrugëdaljet PS do të na i thotë nesër, pas konsultimeve me opozitën italiane, mbase, por të gjithë e dimë se nga qorrsokaku nuk delet, veçse duke u kthyer pas.

***

Në të vërtetë, ndjeshmëria e të qenit në qorrsokak është e pranishme gjithandej. Në raste të tjera, kjo ndjesi shpjegohet me depresionin që e shkakton një tranzicion i gjatë. Ca thonë se Shqipëria ka më shumë se dy mijë vjet që përjeton tranzicionin dilematik Lindje-Perëndim. Rama, pasi harron se është prej njëmbëdhjetë vjetësh figurë vendimmarrëse e rëndësishme politike, pretendon se këtë ndjeshmëri na e ka shkaktuar politika e vjetër. Thua se nuk ishte ai që elaboroi tezën e kthimit në identitet. Ngjela, së bashku me ata që e rrethojnë në mënyrë ciklike, do të na thotë se kjo ndjesi shkaktohet më së shumti për shkak të mosqarkullimit të elitave, pa çka se për vete ka qarkulluar lirshëm nga e ka gjykuar të arsyeshme. Qosja dhe Kadareja, por edhe të tjerë si ata, vazhdojnë të sillenpërsillen brenda dyshimeve nëse jemi pjesë e Lindjes apo e Perëndimit. Nëpër pub-e, kafiqe, festa gjithfarësh e dasma, kolazhi muzikor që përcillet zakonisht me dhimbje koke nuk arrin të ndajë këngët greke nga ato turke e arabe, ndërsa lulëzon si asnjëherë më parë muzika e shëmtuar e Shqipërisë së Mesme që herë pas here, sipas modelit bullgar thirret edhe turbofolk.

Bizneset ankohen për rënie të të ardhurave, megjithatë Ritka i Financave, po ai Ritkë që na thoshte t‘i fusnim paratë nëpër piramidat e Sudes, kërkon të na mbushë mendjen se Shqipëria jo vetëm që nuk është në krizë, por përkundrazi, lulëzon. Jo vetëm koncepti, por edhe fjala transparencë, është braktisur përfundimisht nga jeta publike shqiptare. Kryeministri shkarkon një ministër në skandal dhe nuk e gjen me vend të japë asnjë shpjegim. Nuk e gjykon me vend të nxjerrë ndonjë urdhër të brendshëm a të propozojë ndonjë projektligj që e shëndosh situatën. Rama u përgjigjet akuzave ndaj tij me fraza priftërinjsh arqeo-rmarksistë. Mediat janë nën kontroll të frikshëm, aq sa të bëhet ta besosh sërish atë që thoshte dikur A.J.Libling: "Liria e shtypit është për ata që janë zotër të organeve të shtypit…ose të radiove dhe stacioneve televizive". Puna ka shkuar edhe më thellë këtu te ne: për shkak të interesave në fusha të tjera, tani as pronarët e mediave nuk janë më as të lirë e as në zotërim të mediave të tyre. Pasqyrimi dukshëm tendencioz i dy mitingjeve të fundit të opozitës - edhe pa këtë deformim pasqyrimi mjaftueshëm të mjerë, - është prova më e fundit e manipulimit mediatik të vërejtur.

***

Por le t‘i kthehemi sërish "qorrsokakut" që sapo zbuloi Rama në deklaratën e tij të djeshme. Që po ndërtohej një qorrsokak e shihnin të gjithë, veç dallkaukëve që e rrethojnë Ramën ka tash do kohë. Dhe janë po ata që kishin të njëjtën sjellje me Nanon dje. Janë po ata të cilët nuk kujdesen për rrugën e përbashkët, pasi rrethi i interesave të tyre është vetëm ai i kopshtit privat. Dhe kanë avlli të larta që mbrojnë këto interesa.

Pasi ka zbuluar "qorrsokakun" e procedurave, Ramës duket se shumë shpejt do t‘i duhet që të ndeshet me "zbulimin" e një qorrsokaku tjetër: atë të tullumbaces sipas së cilës pajisja e qytetarëve me karta identiteti do t‘i japë fund manipulimit. Sepse qoftë kartë identiteti, qoftë certifikatë, pasaportë, patentë, dëftesë shkolle apo çfarëdo qoftë tjetër, ajo, sa kohë nuk është pjesë e një vullneti politik, është e destinuar të jetë po aq e keqpërdorshme dhe e abuzueshme sa edhe të tjerat. Të mbështesësh shpresat për një standard të ri te teknologjia dhe jo te funksionimi i shtetit ligjor apo te vullneti politik, do të thotë as më shumë e as më pak por të ngresh me këmbëngulje një qorrsokak tjetër. Ndryshe si i bëhet hallit që në Danimarkë njerëzit mund të votojnë nga një pikë poste, ta shkruajnë votën e tyre me laps dhe ta dërgojnë pa asnjë "polic" pranë? E, nëse e ndërton vetë këtë qorrsokak do të thotë se ose nuk dëshiron të dalësh nga një gjendje e caktuar, ose je vetë i verbër, që në turqisht i thonë "qorr".

***

"Sot jemi në një situatë dramatike, tha po dje Rama.

Pyetja që lind pas këtij deklarimi surprizë është e thjeshtë dhe logjike: si ka mundësi që ndodhemi në këtë qorrsokak dhe në këtë situatë dramatike kur për më shumë se një vit, po ky person është përpjekur të na mbushë mendjen se bashkëpunimi me Berishën ka qenë efektiv dhe është bërë në emër të përmbushjes së standardeve të "reformave" që na afrojnë me realitetet euroatlantike dhe me politikën e re?


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›