E Diel, 1 Nëntor 2026

Berluskoni në votëbesim, rrezik për zgjedhje të parakohshme



Italia mund të përballet me zgjedhje të parakohshme, nëse Silvio Berluskoni nuk e fiton votëbesimin në Senat dhe Dhomën Përfaqësuese, të parashikuar më 15 korrik. Gianfranco Fini, i cili kohëve të fundit i ka kundërshtuar politikat e Berluskonit edhe pse ishte bashkëthemelues i partisë së tij, ka mbështetje të mjaftueshme për të rrëzuar Qeverinë në votëbesim, kështu ka paralajmëruar një aleat i Finit të shtunën. Fini ka sfiduar publikisht politikat e Berluskonit dhe stilin e lidershipit të tij në muajt e fundit, duke nxitur spekulime se ai mund të drejtojë një fraksion kundër Kryeministrit “të sulmuar”. Komentet e botuara të shtunën nga bashkëpunëtori i Finit, Boçhino do të shtojnë presionin kundrejt Berluskonit, i cili ka pohuar se nëse ai dhe aleatët e tij nuk e fitojnë votëbesimin, do të rrëzohen që të gjithë. Votimi për të besuar sërish te Qeveria e Berluskonit do të bëhet me dy faza, dhe e para mbahet më 15 korrik. Ajo ka lidhje me miratimin e një plani buxheti të papëlqyer në popull, për kursimin e 25 miliardë eurosh. Berluskoni ka thënë se ai do të japë dorëheqjen, siç kërkohet nga Kushtetuta, në qoftë se ai humbet votëbesimin. I pyetur nga gazetarët se sa vota mund të ketë Fini kundër Berluskonit, Boçhino tha në një video-intervistë se të paktën një më shumë nga numri që i duhet koalicionit të shpëtojë. Mediat italiane e kanë perceptuar shpejt se midis Finit dhe Berluskonit kishte krizë marrëdhëniesh politike. Por më vonë, pasi mund të kenë tringëlluar telefonët, Boçhino tha se fjalët e tij, të cilat janë postuar në faqen e internetit të “CNR Media”, ishin keqinterpretuar. Ai tha në një deklaratë se mbështetësit e Finit do të mbështesnin deri në fund të legjislacionit koalicionin ku bënin pjesë. Që kur Fini dhe Berluskoni “u përplasën” publikisht në kongresin e partisë në prill, ka pasur shumë spekulime për mundësinë se përkrahësit e Finit do të kishin shumicën që iu duhej për t’i hequr atij shumicën në Parlament. Sipas gazetës “Il Giornale”, në pronësi të familjes së Berluskonit, u llogarit këtë javë se pa Finin dhe aleatët e tij, Qeveria mund të besonte në 316 vota në Dhomën e Ulët, shumicë me një votë më shumë. Në Senat gazeta vlerësoi se pa Finin dhe mbështetësit, vota pro Qeverisë së Berluskonit ishin 162, pesë më shumë se gjysma, por nuk u llogaritën shtatë senatorët e përjetshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›