E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franc Konomi, sms kërcënuese nga jashtë



Persona me qëndrim jashtë Shqipërisë dyshohet se kanë pasur mosmarrëveshje me Franc Konomin, 42-vjeçarin e ekzekutuar të enjten në mesditë pranë sheshit "Avni Rrustemi" në Tiranë. Grupi hetimor i policisë ka verifikuar aparatin e telefonit celular të viktimës, në të cilin janë gjetur disa mesazhe të konsideruara "paralajmë-ruese" për ngjarjen e rëndë. Sipas policisë, nga verifikimi i dërguesve të këtyre mesazheve në telefonin e Franc Konomit, është provuar se numrat i përkasin shteteve fqinje me Shqipërinë. Policia ka dokumentuar faktin se Franc Koniomi kishte jetuar jashtë Shqipërisë vitet e fundit ndërsa kishte kryer lëvizje të vazhdueshme në itinerarin Greqi-Shqipëri, Itali-Spanjë-Gjermani. Gjatë kësaj kohe policia ka pasur dyshime për ndonjë veprimtari të Franc Konomit në fushën e trafikut të narkotikëve por këto të dhëna nuk janë konfirmuar. Edhe në rastin e fundit të kthimit të tij nga Greqia tri ditë para se të vritej në makinën e tij me targa TR 0626 S, policia ka pasur dyshime se lëvizjet e Franc Konomit kishin të bënin me aktivitete të paligjshme. Por nga kontrolli i ushtruar në makinë, e më pas në banesën e tij dhe të familjarëve, nuk është arritur të gjendet asnjë lëndë apo material i dyshimtë.
Konfliktet jashtë vendit
Policia dyshon se personat që kanë dërguar sms-të kërcënuese në celularin e Franc Konomit, janë njerëz me precedentë penalë në Greqi, Francë dhe në Itali. Verifikimet kanë treguar se numrat nga të cilët janë dërguar sms-të "paralajmëruese kanë ardhur nga këto shtete ndërsa dyshohet se pas tyre fshihen shtetas shqiptarë me qëndrim prej disa vitesh në këto shtete ku dyshohet se kanë kryer aktivitet kriminal. Një tjetër element që ka përforcuar dyshimet e policisë tek ndonjë përplasje jashtë Shqipërisë si shkak i ngjarjes, ka qenë edhe fakti se "armiqtë" e Franc Konomit të cilët ndodhen në Tiranë, deri më tani dalin të paimplikuar në atentatin e ndodhur katër ditë më parë. Pozicionimi i këtyre personave është verifikuar ditën e ngjarjes ndërsa ka rezultuar se këta shtetas, që kanë pasur "fërkime" apo hesape të pa mbyllura me Franc Konomin, nuk kanë qenë fare të pranishëm në zonën ku ndodhi ngjarja. Një tjetër element i sqaruar përfundimisht nga policia, ka qenë edhe motori i përdorur në vrasje. Mjeti i madh 2-vendesh, sipas hetimeve të policisë ka qenë i pajisur me targa greke çka e bën edhe më të vështirë identifikimin e pronarit të tij.

Një person e kërkoi në takim para vrasjes
Prokuroria kërkon bisedat telefonike të ditës së fundit

TIRANE - Prokuroria e Tiranës e cila ka regjistruar me akuzën e vrasjes dosjen penale të ngjarjes së ndodhur katër ditë më parë, ka kërkuar pranë kompanive celulare, listën e telefonatave të zhvilluara nga Franc Konomi ditën e ngjarjes. Një kërkesë e tillë është bërë për të verifikuar rrethin e personave me të cilët ka kontaktuar 42-vjeçari ditën e ngjarjes. Të afërmit e Franc Konimit, gjatë dëshmive të dhëna në polici, janë shprehur se të enjten, para se të dilte nga banesa, Franc Konomi është telefonuar nga një person i njohur i tij, i cili e ka ftuar "për një kafe". Pikërisht ky takim është mbajtur në lokalin pranë të cilit ndodhi edhe vrasja e Franc Konomit, sapo ai kishte dalë nga bari dhe kishte hyrë në makinën e tij të cilën po e nxirrte nga parkimi. Në këtë kohë, dy persona me skafandra në kokë, janë afruar me një motor tek makina e 42-vjeçarit dhe kanë qëlluar dhjetë herë me dy pistoleta silenciator. Motori është larguar më pas në drejtim të sheshit "Avni Rrustemi".

"Autorët vepruan si vrasës me pagesë"
TIRANE - Franc Konomi, 42- vjeçari kryeqytetas, i njohur në botën e krimit, është ekzekutuar nga vrasës me pagesë. Të paktën ky është konkluzioni paraprak me të cilin kanë dalë blutë e kryeqytetit, pas analizës që i kanë bërë vendit të ngjarjes, deklarimeve të dhëna nga familjarët dhe thënieve të marra nga të shoqëruarit si dhe provat e tjera të siguruara në rrugë operative. Duke hetuar në pistën e vrasjes së tij për shkak të hasmërive, policia e kryeqytetit nëpërmjet aparateve celularë ka verifikuar vendndodhjen e hasmëve të tij në momentin e kryerjes së krimit dhe nuk ka mundur të zbardhë asgjë. Po kështu edhe dëshmitë e dhëna kanë nxjerrë se asnjë prej hasmëve të tij nuk ka qenë në vendin e krimit dhe as në zonën përreth. Pas kësaj policia ka kryer hetime rreth motivit të krimit për shkak të prishjes së pazareve në trafikun e kokainës. Po edhe kjo pistë ka mbetur pa u vërtetuar pasi nuk është gjetur asnjë provë që i vrari të ketë transportuar lëndë narkotike. Kontrollet e shumta të kryera nga policia në banesat e shumta që dispononte Konomi, si dhe në lokalin e tij, nuk kanë nxjerrë asnjë provë që të vërtetojë këtë pistë. Pak ditë para ekzekutimit të Konomit policia ka disponuar informacione se ai kishte mbërritur në Tiranë së bashku me një sasi kokaine, të cilin e kishte fshehur diku, ndoshta në Tiranë, ndërsa priste ta niste jashtë shtetit. Ekspertët e kriminalistikës kanë hedhur idenë se ekzekutimi është kryer pikërisht për të mos e paguar për këtë sasi narkotiku. Policia ka kryer hetime në këtë pistë, madje janë shoqëruar në komisariat edhe disa persona, por që edhe për këtë pistë hetimet nuk janë plotësuar me prova. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›