E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT: Në mars kryhen dy transplantet e para



Për herë të parë në një spital publik, një grup mjekësh shqiptarë, nën asistencën e mjekëve italianë, do të bëjnë falas dy transplante të veshkave për dy vajza të reja.

"Klinika Urologjike në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë po përgatitet për të bërë ndërhyrjen e parë kirurgjikale me dy transplante të veshkave në datat 25 dhe 26 mars", - bëri të ditur shefi i Nefrologjisë në QSUT, prof. dr. Nestor Thereska.

"Ekipi i mjekëve shqiptarë, i përbërë prej 6 neurologë, 3 imunologë dhe 5 nefrologë, është gati për realizimin e këtyre ndërhyrjeje", - tha prof. dr. Thereska. Sipas tij, ekipi do të asistohet nga 3 mjekë italianë të klinikës së Barit (Itali).

Prof. dr. Thereska pohoi se "një transplant do të bëhet tek një vajzë 20-vjeçare, ku dhurues është babai 50-vjeçar, ndërsa tjetri tek një vajzë 21-vjeçare, me dhuruese nënën e saj 50-vjeçare".

Transplanti i veshkave, si çdo operacion tjetër në QSUT, ofrohet falas për qytetarët.

Këto ndërhyrje kirurgjikale realizohen në kuadër të programit INTERREG III, financuar nga Komuniteti Evropian.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›