E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri britanik: Gjykata vendos për ekstradimin e Kumbaros



Ilir Kumbaro, njëri nga të pandehurit e çështjes “Remzi Hoxha”, i cili ndodhet në Londër, do të ekstradohet në Shqipëri nga Britania, për sa kohë që drejtësia angleze e ka atë nën një proces gjyqësor. Një fakt i tillë u bë i ditur nga ministri i Shtetit për Policinë, Krimin, Sigurinë dhe Çështjet e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, z. Vernon Coaker, gjatë një konference për shtyp që pati në ambientet e Ambasadës Angleze në Tiranë. Ministri Coaker, i cili ndodhet në Tiranë prej 3 ditësh, iu përgjigj interesimit të medias së pranishme në konferencën e organizuar për shtypin, duke komentuar çështjen e ekstradimeve dhe bashkëpunimin e gjerë që ka pasur me policinë shqiptare. Por, ai theksoi se pavarësisht bashkëpunimit të policisë me gjykatat angleze, nuk mund të ketë ndërhyrje, pasi gjykatat janë të pavarura. Sipas tij, ky është çmimi i demokracisë, një provë e mjaftueshme në gjyq. “Ndonëse proceset gjyqësore janë të ngadalta, ato janë efektive, nëse ke prova për të provuar fajësinë e kriminelëve. Duhen evidenca dhe prova të mjaftueshme për të vënë kriminelët para drejtësisë”, - deklaroi ministri Coaker, duke shtuar se “Tirana ka kërkuar një sërë ekstradimesh dhe ne vetëm gjatë vitit 2008 për llogari të drejtësisë shqiptare kemi ekstraduar 7 persona. Tashmë, janë në proces ekstradimi edhe 7 persona të tjerë. Ekstradimet u kryen dhe do të kryhen sipas ligjeve britanike”. I pyetur rreth Ilir Kumbaros që aktualisht është në burgun anglez, ministri britanik pohoi se është njohur gjerësisht me çështjen e Kumbaros. Por, ai shtoi se Kumbaro është nën një proces gjyqësor në Britani dhe se s’ka ç’të shtojë më për këtë çështje. Në këtë kuadër, ai shtoi se autoritetet britanike po rishikojnë të gjitha rastet e azilantëve me identitet të rremë dhe se do të verifikojnë çdo emër të vënë në dispozicion nga drejtësia shqiptare, duke kryer investigime për të sjellë prova të mjaftueshme në gjykatë për ekstradimin e tyre drejt Shqipërisë. Bashkëpunimi vazhdon mes dy policive dhe do të vijojë për të bërë të pamundurën për sjelljen në Shqipëri të të gjithë personave të kërkuar.

Ministri Coaker

Ligji i lustracionit, konsistent me Kushtetutën

Ministri britanik, Vernon Coaker, gjatë konferencës për shtyp, iu përgjigj interesimit të gazetarëve edhe për ligjin e lustracionit, i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese pak ditë më parë, duke u shprehur se “ne e kuptojmë atmosferën për çfarë ka ndodhur në të kaluarën, dhunën e ushtruar, torturat. Kryeministri Berisha na e shpjegoi shumë qartë. Qëndrimi ynë është se pavarësisht se po përpiqeni të gjeni një formë për të dënuar këto krime, duhet gjetur një mënyrë konsistente me Kushtetutën në zbatim të ligjit”. Ministri britanik i shtetit tha se ishte njohur me ligjin në fjalë dhe se mbështet iniciativën e hapjes së dosjeve, pasi siç theksoi Coaker, “britanikët e mbështesin shkëputjen nga komunizmi”. Por, ministri i kërkoi qeverisë që ligji i lustracionit të hartohet në mënyrë kushtetuese. Ndërsa sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të ligjit deri në një vendim të saj përfundimtar, Coaker tha se “s’ka më dyshim që qeveria duhet të reflektojë ndaj ligjit që hartoi dhe ky reflektim të nisë që pas vendimit që shprehu pak ditë më parë Kushtetuesja”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›