Pse na duhet vetëm një prokurori
Nga Edvin Kulluri
Pas pothuaj dy vitesh nga mandati i zonjës Ina Rama në krye të organit të akuzës, është ende herët për të bërë një bilanc të punës së këtij institucioni qendror për nga rëndësia. Jo vetëm sepse këtë gjë e bëjnë dy institucione të dorës së parë për nga Kushtetuta, Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë, por sepse mandati i saj është në vazhdim, ndaj gjykimet përfundimtare do të ishin jo të tilla. Aq më tepër që për këtë çështje nga pikëpamja e procedurës, analizat mund t’i bëjnë ekspertë të fushës së të drejtës. Por nëse çështja e gjykimit apo dhënies së opinioneve mbi prokurorinë do të mbetej një çështje vetëm institucionale apo profesionale, ç’garanci do të kishte publiku në vlerësimet e tyre? Pse duhet të besojmë vetëm këto segmente formale apo profesionale, ndërkohë gjykimi dhe debati i lirë janë instrumentet e vetme që opinioni publik ka për të zgjedhur mes të ndierit i kënaqur apo i pakënaqur ndaj shërbimit të një institucioni publik ndaj interesave të vetë publikut, siç është prokuroria? Dhe më tej, duke u nisur nga precedentët dhe problemet e mëdha që ka mbartur ky institucion, ç’po ndodh sot që prokuroria është shndërruar sërish me “sukses” në një çështje kryesore të vëmendjes së politikës dhe debatit publik? Diçka me sa duket nuk shkon dhe për këtë ka arsye, sepse prokuroria na ka shfaqur një fenomen të ri, atë të kryerjes së hetimit nëpër gazeta më shumë sesa nëpër zyra.
Sa për sqarim për dy çështje që janë edhe më të përfolurat, të ashtuquajturën “Fazlliç” dhe Durrës-Kukës, të konsideruarit nën hetim apo të vënë nën akuzë, para se të takohen me prokurorët në séance pyetjesh apo të njoftohen për hapat e organit të akuzës, informohen nga mediat. Jo më larg se dje në një gazetë të madhe kishte dy tituj lidhur me çështjen Fazlliç: “Ina Rama urdhëron vartësit për të mos publikuar në media seancat e pyetjeve”, dhe ngjitur me këtë lajm edhe titulli tjetër “Ja çfarë e pyetën prokurorët Fazlliçin dje në orën kaq e aq”! Raste si ky pak a shumë kanë ndodhur me çdo hap të ndërmarrë edhe për çështjen tjetër të përmendur më lart. Axhenda e ministrit Basha nuk ka më lidhje me vizitat e tij jashtë për shkak të detyrës, por me njoftimet klandestine të prokurorëve nëpër media se çfarë ata i shkruan zyrës së Bashës, dhe si u përgjigj zyra e tij. Pra pak a shumë në vend që ruhet sekreti hetimor, që përbën një parim të detyrueshëm të punës së prokurorisë, tashmë falë Facebook-ut të kryeredaktorëve të mediave afër PS-së apo vetë prokurorëve mund të njohësh çdo detaj të hetimeve mbi këto çështje. Pasi në faqet e para të gazetave dhe titrat e lajmeve të këtyre mediave kritike ndaj mazhorancës, është e sigurt që do të merret vesh se “ku është vendosur presja apo pikëçuditja në kontratat e shitjeve” që një kompani private nën pronësinë e Fazlliçit i ka paraqitur organit të akuzës.
Ky patos për t’i hetuar publikisht dhe në mediat e “duhura” këto çështje, të cilat po tërheqin me zor mazhorancën në polemikë me opozitën, tregon se prokuroria nuk po heton, por po konkurron politikisht. Mbase edhe po dënon në mungesë të mundësisë për të t’i dhënë vetë vendimet. Falë Zotit që ka dhe gjykata e avokatë, sepse nëse ke funksione politike brenda mazhorancës, mund ta gjesh veten nëpër gazeta të pandehur pse i ke folur ndonjë biznesmeni në rrugë!
Megjithëse pritej që me rokadën e kryeprokurorëve politika të ishte e përzier sa më pak me çështjet e prokurorisë, qenka e thënë që të mos jetë kështu. Se si do të mbyllen këto çështje, është një çështje që ezaurohet brenda sistemit të drejtësisë që i ka gjithë instrumentet e “gjykimit të lirë” dhe procedurës së barabartë, si dy parime që e dallojnë një sistem demokratik nga format e tjera të regjimeve. Por që prokuroria të kishte një “bashkëpunim” kaq të ngushtë me mediat pranë opozitës, përfaqëson një situatë të re dhe të paprecedent. Ndaj ato institucione që kanë për detyrim kushtetues që të verifikojnë ushtrimin e funksioneve ligjore të një institucioni, kanë mundësinë që edhe në këtë rast të përcjellin frymën e drejtësisë dhe paanësisë, përndryshe siç duket mënyra më e mirë për të banalizuar vetveten është ajo e shpërdorimit të kompetencës dhe abuzimit me të. Rasti i përdorimit të mediave për të sulmuar publikisht funksionarë të lartë publikë apo njerëz të cilët akoma nuk po kuptohet pse akuzohen, është një rast tipik i kalimit të masës. Ndaj e mira është që të kemi vetëm një prokurori që hap dhe heton çështje nisur nga dyshimi i arsyeshëm për raste të shkeljes së ligjit, dhe jo një të dytë brenda të njëjtës, që kërkon me çdo kusht të shpikë shkelje të ligjit, që më pas “t’ua pasojë” siç thuhet në sport, mediave dhe opozitës si trofe gjahu.