E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT: Shërbimet kirurgjikale funksionojnë plotësisht

Gjatë një prononcimi për mediat, nëndrejtori i QSUT-së, Xheladin Draçini, tha se "reduktimi i operacioneve në QSUT gjatë stinës së verës është i zakonshëm, për shkak të një traditë të përvitshme tashmë". Ai sqaroi se reduktimi i operacioneve nuk bëhet me një urdhër, apo vendim nga Ministria e Shëndetësisë, apo drejtoria e QSUT-së. Draçini siguroi se gjatë muajve të verës në QSUT, shërbimi shëndetësor funksionon normalisht si në të gjithë periudhën tjetër të vitit.

"Shërbimi i urgjencës gjatë kësaj periudhe të vitit jo vetëm që nuk ka rënie, por përkundrazi ka një shtim të aktivitetit, duke marrë parasysh që dhe stafet e spitaleve të tjera të rretheve, për shkak të pushimeve verore, janë të reduktuara dhe shumë raste që janë problematike i drejtojnë në QSUT", theksoi ai. Gjithashtu, sipas tij, aktiviteti i planifikuar i shërbimeve në QSUT vazhdon normalisht, edhe pse është i reduktuar për disa faktorë.

Ndër këta faktorë është dhe largimi me leje gjatë muajit gusht i një pjesë të stafit kirurgjikal në QSUT, që janë dhe pjesë e Fakultetit të Mjekësisë, por pa prekur performancën e shërbimeve. Njëkohësisht dhe vetë qytetarët janë me pushime, të cilët, në rastet kur kanë mundësi për shtyrje të një operacioni, që varet dhe nga dëshira e tij, parapëlqejnë periudhën e shtatorit.

Gjithashtu, sipas Draçinit, ka dhe paragjykim që në periudhën e verës ndërlikimet infeksioze janë më të mëdha, gjë që nuk është e përcaktuar nga studime të mirëfillta, por më shumë është një psikologji sociale popullore. Për këtë, nëndrejtori i QSUT-së siguroi se "sallat e operacionit janë të kondicionuara dhe nuk ekziston problemi i nxehtësisë, po kështu dhe dhomat ku qëndrojnë të sëmurët".

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›