E Diel, 1 Nëntor 2026

I jep fund jetës në gjendje të dehur si “kamikaz”, shkak varfëria



BULQIZË – Mungesa e punës dhe burimeve financiare e ka detyruar një 46-vjeçar që të prehet tek alkooli, por dje mungesa e kontrollit ka pasur pasoja fatale. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Bulqizës bëjnë të ditur se shtetasi Xhemal Demiri, me banim në fshatin Shupenzë në rrethit të Dibrës ka gjetur vdekjen si pasojë e shpërthimit të eksplozivit. Sipas dëshmive në vendngjarje, por edhe nga të dhënat e para hetimore, dyshohet se Demiri është vetëvrarë në kushtet e tronditjes së rëndë mendore dhe përdorimit të tepruar të alkoolit. Këtu burime sqarojnë se mesditën e djeshme 46-vjeçari Demiri ka marrë një shishe gjysëm litri me raki dhe ka hyrë në bahçen pranë shtëpisë së tij. Në një gjendje dëshpëruese ai ka pirë të gjithë sasinë e alkoolit dhe më pas ka nxjerrë nga xhepi një kapsollë detonatore me fitilin të cilit i ka vënë zjarrin. Për pasojë, lënda eksplozive ka shpërthyer duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Burimet policore mendojnë se sasia e përdorur e lëndës eksplozive mund të ketë qenë rreth 400 gram. Shpërthimi ka tronditur banorët e gjithë zonës, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë. Pas verifikimeve të para, rezultoi se trupi i 46-vjeçarit ishte ndarë në copa të vogla, pa dhënë asnjë lloj shprese për jetën. Agjentët kanë nisur hetimet në lidhje me motivet e kësaj ngjarje. Xhemal Demiri, babai i katër fëmijëve, ishte i papunë. Familja e tij jetonte me të ardhurat që merrte nga asistenca sociale që jep shteti për familjet në nevojë. Sipas dëshmive, viktima nuk njihej si përdorues alkooli. Ekspertët e policisë po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij akti vetëvrasës, i cili ka tronditur të gjithë banorët e zonës. Dy vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm vetëvrasjet, ku tashmë përveç fostoksinës, litarit, armëve të zjarrit, personat në depresion po përdorin edhe mjete të tjera të tilla si djegia apo shpërthimet me lëndë eksplozive.

20 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›