E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllofi i qeverisë, 6500 dosje për legalizim, 8 për shpronësim

Gjykata Kushtetuese ka nisur dje procedurën normale të shqyrtimit të kërkesës së një grupi deputetësh socialistë, për shfuqizimin e ligjit të ndryshuar të legalizimeve

TIRANË - Qeveria rezulton të ketë gënjyer përsëri pronarët legjitimë të tokave në zonat informale. Megjithëse ligji i ri “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i njohur ndryshe si ligji i legalizimeve, i ndryshuar gjatë muajit qershor, parashikon që, procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje, të ecë paralelisht me procesin e kompensimit të pronarëve, mbi tokat e të cilëve janë ngritur këto ndërtime, në realitet gjendja paraqitet krejt ndryshe. ALUIZNI, si agjencia përgjegjëse për të zbatuar këtë ligj, konfirmon se, deri më tani, janë shpërndarë 127 leje legalizimi, ndërsa nuk është bërë kompensimi i asnjë pronari. Ndërkohë, një e dhënë akoma më shqetësuese në këtë drejtim, është edhe ajo që ka të bëjë me dosjet që janë gati për legalizim. Nëndrejtori i kësaj agjencie, Ferdinand Shehu, duke mbrojtur ligjin në fjalë përpara Gjykatës Kushtetuese, ka deklaruar dje se janë gati për kalim të plotë pronësie 6500 dosje, ndërsa i ka shpëtuar treguesi tjetër se janë gati për shpronësim vetëm 8 dosje. “Ne kemi shpërndarë deri më tani 127 certifikata, apo leje legalizimi të ndërtimeve. Janë përgatitur dhe kemi gati 6500 dosje për kalim pronësie dhe kemi 8 dosje për shpronësim të pronarëve mbi të cilat janë ngritur këto ndërtime”, - tha Shehu, duke iu përgjigjur pyetjeve të Artan Hajdarit, avokatit të deputetëve socialistë, të cilët kanë paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për pezullimin, fillimisht, dhe më pas shfuqizimin e ligjit mbi bazën e të cilit zhvillohet ky proces.

Seanca

Gjykata Kushtetuese ka nisur dje procedurën normale të shqyrtimit të kërkesës së një grupi deputetësh socialistë për shfuqizimin, si në kundërshtim me Kushtetutën, të disa dispozitave të ligjit 9895 për “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Trupi gjykues, i kryesuar nga kryetari Vladimir Kristo, ka dëgjuar për më shumë se 3 orë në seancë plenare, kërkesën e palës paditëse dhe pretendimet e palëve të interesuara që në këtë rast ishin: Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave dhe Agjencia e Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale. Fillimisht trupi gjykues është tërhequr për të marrë një vendim në lidhje me kërkesën e palës paditëse për pezullimin e ligjit deri në dhënien e një vendimi përfundimtar mbi kërkesën e shfuqizimit të disa dispozitave të ndryshuara të këtij ligji, por pa dhënë një vendim të prerë, duke deklaruar se një gjë të tillë, do ta bënin në fund të seancës, pasi të dëgjonin argumentet pro dhe kundër një pretendimi të tillë.

Argumentet

Më pas seanca ka vijuar me dëgjimin e kërkesës dhe pretendimeve të palëve të interesuara. Sipas palës kërkuese të përfaqësuar nga avokat Artan Hajdari, një sërë nenesh të këtij ligji, bien në kundërshtim me kushtetutën, pasi në mënyrë antikushtetuese bëjnë kalimin e kompetencave nga pushteti vendor tek ALUIZNI. Sipas tij, disa prej dispozitave të ligjit në fjalë, cenojnë pikërisht parimet dhe standardet kushtetuese dhe i atribuojnë një agjencie të pushtetit qendror, çështje të planifikimit urban të territorit dhe menaxhimit/administrimit të tokës, si dhe uzurpojnë funksionet dhe kompetencat lokale në këtë fushë. Kështu, ai ka theksuar ndryshimet e bëra në muajin qershor në ligjin e legalizimeve cenojnë rëndë parimet kushtetuese dhe të Kartës së Autonomisë Vendore në lidhje me decentralizimin e qeverisjes vendore dhe parimin e Autonomisë Vendore të parashikuara në nenet 13, 108, 109 dhe 113 të Kushtetutës. Gjithashtu, një tjetër konstatim që bëri pala ankimuese, është edhe ai i kompetencave që i jepen ALUIZNI-t në fushën planifikimit urban, kompetencë të cilën Kushtetuta, ia jep pushtetit lokal. Një tjetër pretendim është edhe ai i shmangies së organeve të pushtetit vendor në procesin e realizimit dhe përgatitjen për rregjistrim fillestar të ndërtimeve informale. Sipas pretendimeve të parashtruara nga avokati i palës paditëse, ligji me anë të ndryshimeve të bëra i jep ALUIZNI-t kompetencën e programimit të fondeve nga Buxheti i Shtetit për legalizimin dhe urbanizimin e zonave informale. Një tjetër shkelje e evidentuar në këtë kërkesë, ka të bëjë edhe me dhënien e lejes së legalizimit nga ALUIZNI, ku sipas palës paditëse, këtij organi, i jepen atributet e njësisë së qeverisjes vendore dhe Drejtorisë së Urbanistikës. Por, sipas palëve të interesuara në këtë proces, siç është Kuvendi, këshilli i Ministrave dhe ALUIZNI, një pretendim i tillë, është i pabazë, pasi edhe në bazë të Kushtetutës, ligjvënësi mund të ndërmarrë nisma për të kaluar një pjesë të kompetencave të pushtetit vendor njësive të specializuara, kur këto kompetenca nuk mund të kryen nga njësitë vendore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›