E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT-ja e mbytur në borxhe

Spitali lë pa paguar kontraktuesit e shërbimeve. Firmat rrezikojnë të mos sjellin përsëri ilaçe

“Nënë Tereza”, qendra spitalore universitare, ka një sasi të konsiderueshme borxhesh kundrejt palëve të treta.
Një pjesë e këtyre borxheve janë akumuluar që në vitin 2008, ndërsa pjesa tjetër gjatë vitit të kaluar 2009.
Borxhi është i konsiderueshëm, për vitin 2008 fatura është mbi 350 milionë lekë, ndërsa për 2009-n fatura financiare e detyrimeve ndaj të tretëve kap shifrën e mbi 564 milionë lekëve.
Kjo do të thotë se në total për vitin 2010 qendra spitalore do të paguajë rreth 643 milionë lekë, që do të thotë gati 4.7 milionë euro, shumë kjo e ekuivalentuar sipas kursit të këmbimit të euros në tregun e valutës. Lajmi është konfirmuar edhe nga drejtoria spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si dhe është evidentuar në analizën vjetore të punës në këtë institucion. Borxhet që QSUT-ja ka, janë kryesisht ndaj grosistëve, të cilët furnizojnë spitalin me ilaçe, pajisje mjekësore, barna e materiale të tjera të nevojshme për të përballur punën në qendër.
Sipas QSUT-së, kjo mund të krijojë probleme me kontraktuesit e papaguar, të cilët në kohën kur nuk u është paguar detyrimi, nuk janë të gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin për të furnizuar qendrën spitalore me pajisje mjekësore e barna për të sëmurët që trajtohen në këtë qendër. “Borxhi që ka QSUT është i trashëguar nga viti 2008 dhe 2009 në kohën që spitalet dhe shërbimet nuk ishin në skemën e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Për sa i përket rrezikut për mosblerje të medikamenteve për këtë vit, për shkak të borxheve, nuk është e vërtetë, pasi borxhet janë ndaj të tretëve, e do të thotë ndaj grosistëve”, sqaroi zyrtarisht QSUT-ja. Sipas sqarimit, nëse grosistët ndaj të cilëve QSUT u është “borxhlie” nuk duan të vazhdojnë kontratat, atëherë hapësirat ligjore njohin mundësinë që ato të lidhen me një tjetër kompani farmaceutike për të kryer furnizimet e nevojshme me ilaçe. Fondi i medikamenteve për vitin 2010 është vendosur nga buxheti i këtij viti dhe ky buxhet këtë vit është rritur 9 për qind krahasuar kjo me vitin e kaluar. Sipas QSUT-së, për këtë çështje do të përdoren edhe 40 për qind e të ardhurave dytësore. Në QSUT, të ardhurat dytësore përgjatë 11 muajve, gati një vit, në 2009-n janë 45 milionë lekë të reja ose 450 milionë lekë të vjetra. Nga konsultat pa rekomandim, për të gjithë ata që nuk kanë zbatuar sistemin e referimit dhe nuk kanë zbatuar rregullat, janë përfituar mbi 2 milionë lekë të reja në formën e të ardhurave dytësore. Faturat formale të spitalit francez kanë kapur shifrën e mbi 5 milionë lekëve të reja.
Ky është fondi i akumuluar nga ky shërbim në formën e të ardhurave dytësore. Të ardhura dytësore nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor janë mbi 5 milionë lekë dhe totali i fondit të mbledhur nga të pasiguruarit që kanë marrë shërbim në QSUT shkon në 450 milionë lekë të vjetra ose 45 milionë lekë të reja.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›