Imperial, një premierë botërore për të dashuruarit
E cilësuar si komedia më romantike e vitit, “Valentine’s day” vjen në kohë reale edhe për publikun shqiptar. I realizuar nga Garry Marshall, në të interpretojnë emrat më të njohur të Hollivudit si: Julia Roberts, Anne Hathaway, Bradley Cooper, Taylor Lautner, Jessica Biel, Jessica Alba, Ashton Kutcher, Emma Roberts, Jennifer Garner etj. Nga sot, publiku do të mund ta ndjekë në kinema “Imperial”
Dashuri, tradhti, ndjenja, zhgënjime dhe një fund i lumtur për të gjithë vijnë në një romancë të vetme dashurie. I cilësuar si filmi më romantik i vitit, “Valentine’s day” vjen premierë botërore edhe në kinema “Imperial”. Ky realizim, një nga më të përfolurit e Hollivudit kohët e fundit, përkon edhe me Shën Valentinin dhe është një dhuratë që i bëhet publikut në ditën e të dashuruarve. Regjisori Garry Marshall, pas romancës më popullore “Pretty Woman” rikthehet me një tjetër prodhim të madh. Për këtë realizim ai ka afruar emrat më të njohur të Hollivudit si: Julia Roberts, Anne Hathaway, Bradley Cooper, Taylor Lautner, Jessica Biel, Jessica Alba, Ashton Kutcher, Emma Roberts, Jennifer Garner, Patrick Dempsey, Joe Jonas, Eric Dane, Topher Grace, Jamie Foxx, Carter Jenkins, Queen Latifah, Shirley MacLaine, George Lopez, Hector Elizondo etj. “Valentine’s day” vjen si premierë botërore në kohë reale edhe në Shqipëri. Kjo është një politikë që ne po ndjekim në kinema “Imperial” me disa prodhime të rëndësishme të Hollivudit. Në bashkëpunim me rrjetin kinemave në Tiranë ne po përpiqemi që edhe publiku shqiptar të jetë shikues në kohë real i këtyre filmave ashtu sikurse publiku amerikan apo edhe i vendeve të tjera të botës. “Valentine’s day” përkon edhe me festën e Shën Valentinit dhe kjo është një dhuratë që ne bëjmë me rastin e kësaj feste”, shprehet Altin Prifti, drejtor i përgjithshëm i “Imperial”. Të gjitha historitë nisin në agimin e një dite. është Shën Valentini. Dhjetë histori dashurie, apo histori që tentojnë të kthehen në të tilla, kapërthehen me njëra-tjetrën në harkun e 24-orëshit. Të gjitha të vendosura në Los Angelos. Reed,(Ashton Kutcher) një luleshitës emigrant, vendos t’i propozojë për martesë të dashurës së tij pikërisht ditën e Shën Valentinit. Sapo agon, me një unazë i shpreh dashurinë Marly-t(Jessica Alba). Një “po” e bën të lumtur djalin e dashuruar, i cili vetëm pak orë më pas do të mësonte se e dashura e braktiste për të ndjekur karrierën. Xhulia(Jennifer Garner), një mësuese e fillores, mikja më e ngushtë e Reed, është e dashuruar me një doktor. Teksa rreket t’i bëjë një surprizë në ditën e të dashuruarve zbulon se ai është i martuar. Një sekretare, e cila për të siguruar bursën e studimit punon si argëtuese seksi në linjë telefonike, për pak sa nuk i jep fund lidhjes së sapunisur me një djalë të punës së saj. Në ndryshim nga më parë, regjisori Marshall nuk është ndalur te dy të rinj, përpjekja për të njohur peripecitë, për t’u afruar. Ka zgjedhur të bëjë një ndërthurje moshash. Një djalosh të vogël, dy çifte gjimnazistësh, një çift në moshë e madje edhe një futbollist karriere Josh Morris(Topher Grace), i cili në një konferencë shtypi deklaron tërheqjen nga sporti e njëkohësisht se është gej. Kapërthimi i këtyre historive sjell dinamizëm, situata argëtuese të përcjella përmes një gjuhe që jo rrallëherë shkakton të qeshura. Gjithçka mbyllet me një fund të lumtur: dashuria triumfon. Disa prej personazheve kuptojnë se dashurinë e kishin pasur shumë afër dhe e kërkonin larg, të tjerë mësojnë se duhet të dashurosh një njeri për atë që është, e të tjerë arrijnë të falin. “Valentine’s day” do të ishte shumë mirë një zgjedhje për të kaluar disa orë të këndshme në ditën e Shën Valentinit e jo vetëm për këtë rast.
#