E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT, mbetet pa punë "zbuluesi i tumoreve"

Rezonanca manjetike, aparaturë e sofistikuar, e cila është e instaluar në pavijonin e kontrolleve në spitalin "Nënë Tereza" ka ndërprerë punën prej disa javësh. Në pavijonin ku ndodhet aparatura nuk gjenden as filmat dhe as kontrastet për kryerjen e ekzaminimit. Të gjitha këto produkte të nevojshme për të vendosur në funksionim aparaturën duhet të jenë pjesë e blerjeve në listën e kërkesave të shërbimit përkatës. Pas zgjidhjes së problemit që kishte kjo aparaturë me kontratën e servisit, e cila shërben për rregullimin e pajisjes për çdo rast defekti, mbetet për t‘u zgjidhur problemi i furnizimeve. Për këto kohë që rezonanca nuk ka punuar, pacientët kanë mbetur në radhë, kanë marrë përgjigje të cunguara për problemet e tyre ose janë detyruar ta realizojnë kontrollin në privat. Radhët e gjata të pacientëve, të cilët vijnë nga të gjitha rrethet për të kryer këtë diagnostikim janë shtuar së tepërmi, por nga ana tjetër dhe problemi i blerjeve kërkon një kohë të gjatë për t‘u zgjidhur, sipas rregullave dhe në mënyrën e duhur. Shpesh për mungesë filmash dhe kontrastesh, pacientët i marrin përgjigjet me shkrim, në vend të përgjigjes që duhet të jepet me CD. Rezonanca, aparatura që diagnostikon më mirë dhe më saktë se skaneri asnjëherë nuk mbetet e "qetë" dhe pa probleme.

Më shumë se 150 pacientë kërkojnë që të kryejnë këtë ekzaminim. Aparatura e rezonancës manjetike është një pajisje, e cila ka "veti" për të qenë më e saktë dhe më e sofistikuar sa dhe skaneri. Aparatura ndodhet në spitalin "Nënë Tereza" dhe një pajisje e tillë ndodhet vetëm në disa prej spitaleve më të mira të Evropës. Rezonanca përdoret për diagnostikimin e rasteve me tumore tepër të fshehura, që as skaneri nuk mund t‘i evidentojë, si ai i kockave, i stomakut, veshkave edhe i kokës.

Në zyrën e Institutit të Sigurimeve Shëndetësore vazhdojnë prenotimet për vizitën, për ata pacientë që janë të siguruar.

Në spital ekzaminimi i rezonancës kushton 1800 lekë të reja.

Aparatura ka ardhur nga jashtë dhe është një nga të vetmet që ka një kontratë servisi. Sipas drejtorisë, servisi i kësaj aparature është i përvitshëm dhe furnizimi me filma dhe kontraste do të rregullohet shumë shpejt. Në vendet e Ballkanit ndodhen 3 aparatura rezonance. Njëra është në vendin tonë, të tjerat janë instaluar në Greqi dhe në Maqedoni.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›