QSUT në krizë, një aparat tensioni shëtit në të gjithë pavijonet
Telashet në Qendrën Spitalore Universitare duket se nuk kanë të sosur. Përveç mungesës së theksuar të ilaçeve pacientët duhet të vuajnë edhe mungesën e një aparati tensioni. Në pavijonet e spitalit të sëmundjeve të brendshme mungesa e një aparati tensioni është kthyer kohët e fundit në një problem jo vetëm për pacientët e shtruar por edhe për familjarët e tyre.
Edhe pse në rregulloren e QSUT-së pajisja e çdo pavijoni me nga një aparat tensioni është një nga elementët më thelbësorë kjo gjë duket se ka rënë në vesh të shurdhër pasi as mjekë as infermiere për këtë rast nuk dinë të japin përgjigje. Duket sikur Qendrën Spitalore Universitare më të madhe në vend e ka kapluar kriza jo vetëm për mungesën e ilaçeve por edhe për një aparat tensioni i cili duket sikur shëtit në të gjitha pavijonet e spitalit të sëmundjeve të brendshme. Të sëmurët ata që kanë nevojë imediate për këtë aparat në rastet kur e ndiejnë se kanë luhatje të tensionit njoftojnë menjëherë infermieret të cilave ju lënë nën dorë ndonjë 2 mijë lekësh të vjetër në mënyrë që këto të shkojnë e ta marrin në urgjencë të vetmin aparat që ndodhet në spital. Këtë e dëshmuan ditën e djeshme të afërm të pacientëve në pavijonin e hematologjisë. Sipas tyre mungesës së ilaçeve i shtohen edhe mungesa të tjera siç është ajo e një aparati tensioni. Të sëmurët e sidomos ata që vuajnë nga hipertensioni por edhe sëmundjet e ndryshme të gjakut matjen e tensionit duhet ta kryejnë disa herë në ditë sepse medikamentet që marrin këta të sëmurë rrisin predispozicionin e tensionit në gjak. Këta të sëmurë e masin tensionin vetëm njëherë në mëngjes kur jua mat shefi i pavijonit në kohën e vizitave. Nëse ndonjë të sëmuri i ndodh që ti luhatet tensioni të afërmit e tij janë të detyruar ose të paguajnë nën dorë infermieret ose ta blejnë vetë aparatin i cili nuk kushton pak por plot 30-120 mijë lekë të vjetra. Pacientë të ndryshëm thanë dje për gazetën SOT se mungesa e një aparati tensioni në spital është skandaloze pasi aparati i tensionit është një nga mjetet më efikase dhe me imediate që ju shërbejnë pacientëve. Shumë pajisje për diagnostikimin e sëmundjeve të pacientëve, herë kanë munguar plotësisht dhe herë nuk kanë funksionuar në Qendrën Spitalore Universitare, Nënë Tereza në kryeqytet. Edhe ata mjete diagnostikuese që gjenden në QSUT, janë të vjetruara dhe nuk funksionojnë normalisht për të justifikuar një shërbim shëndetësor bashkëkohor. Ndërkaq, shumë pacientë të QSUT, i kryejnë ekot e ndryshme nëpër klinika private me çmime tepër të larta dhe më pas rezultatet e tyre ia paraqesin mjekut përkatës. Mjetet për diagnostikimin e sëmundjeve si, skaner, filma për rezonancën magnetike, mungojnë ose nuk funksionojnë në QSUT, për shumë arsye, të cilat lidhen me mungesën e zhvillimit të fondeve për të siguruar këto pajisje, defektet e ndryshme dhe të herëpashershme dhe mungesa e përgjegjësisë për organet kompetente për shërbimin spitalor në kryeqytet.
Më konkretisht, pacientët vuajnë mungesën e ekzaminimeve ë kabinetin e rezonancës, shërbim ky që duhet të sigurohet falas nga shteti. Ky kabinet, i cili ka një rëndësi të veçantë për ekzaminimin e shumë sëmundjeve, nuk funksionon normalisht, sepse mundojnë filmat për kryerjen e rezonancës magnetike. Shumë pacientë të QSUT, të cilët duhet të bëjnë në mënyrë të domosdoshme rezonancën magnetike duhet të pajisen edhe me një film, i cili përmban në mënyrë të detajuar çrregullimet që mund të kenë ndodhur në trupin e pacientit.
Kushtet në spitale
Edhe pse është folur shpesh për përmirësimin e dukshëm të kushteve në spitale sërish gjendja është problematike. Kushtet në tualetet e urgjencës së spitalit të sëmundjeve të brendshme në QSUT dhe jo vetëm aty janë problematike. Megjithëse pjesë e reformës në QSUT është edhe një infrastrukturë në nivelin e duhur për sa i përket ambienteve të spitalit, tualetet aspak higjienike uji që vjen me orar dhe në shumë raste edhe mungon por edhe mbeturinat si në ambientet e brendshme por edhe në ato të jashtme duket sikur janë lënë në harresë. Ndërkohë që lagështira është e dukshme në një pjesë të konsiderueshme të dhomave në pavijone. Edhe pse pastrueset duken në spital dhe i sheh shpesh tek përpiqen të pastrojnë korridoret e gjata sërish pastërtia është një element që duhet përmirësuar. Por më e sikletshmja është aroma e keqe e pothuajse të gjitha pavijoneve e cila të pengon të hysh në to.
Arta AGOLLI