Dërgesat e emigrantëve ranë me 53 milion euro në 2009
Dërgesat e emigrantëve kanë rënë me 53 miliardë euro gjatë vitit 2009. po gjatë të njëjtës periudhë ekonomia shqiptare ka pësuar një rënie të ritmit të rritjes. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen djeshme analizoi ekonominë për vitin 2009. Në këtë mbledhje u miratua edhe një raport për stabilitetin financiar. Në raport citohet se ekonomia shqiptare gjatë 2009
u përball me ngadalësimin e ritmit të rritjes ekonomike. Një ndër faktorët që ndikoi në ngadalësimin e ritmit të rritjes ekonomike ishin edhe rënia e dërgesave të emigrantëve që për vitin 2009 shënojnë një rënie me 53 mln euro më pak.
Ngadalësimi
Gjatë vitit 2009, ekonomia e vendit u përball me ngadalësim të ritmit të rritjes ekonomike, por ruajti një rritje ekonomike pozitive duke shfaqur një rezistencë të mirë ndaj ndikimit të krizës financiare dhe ekonomike ndërkombëtare. Ndër faktorët që ndikuan në rënien e ritmit të rritjes ekonomike përmendim: qëndrueshmërinë e deficitit të bilancit tregtar; rritjen e vështirësive të sipërmarrjeve të biznesit për shkak të rënies së kërkesës së jashtme dhe rënies së financimit nga ana e sektorit bankar; dhe rënia e dinamizmit te konsumit të familjeve për shkak të rënies së financimit nga bankat, rënies së dërgesave të emigrantëve dhe pasiguria për nënçmimin e kursit të këmbimit të monedhës kombëtare. Dërgesat financiare vjetore nga emigrantët, vlerësohen rreth vlerës 780 milionë euro, me një rënie prej rreth 53 milionë eurosh në krahasim me vitin 2008 citohet në raportin e BSH.
Raporti
Sipas raportit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, rënia ekonomike vërehet më tepër gjatë 3 mujorit të parë të vitit 2009. Theksohet se gjatë kësaj periudhe ka pasur rënie në sektorin e industrisë dhe ndërtimit. Për sa i takon gjendjes së sektorit real të ekonomisë gjatë vitit 2009, tregues të ndryshëm mbështesin vlerësimet për një situatë përgjithësisht më të dobët në krahasim me vitin 2008, një prirje e përforcuar kryesisht në tremujorin e fundit të vitit. Sektorët e industrisë dhe të ndërtimit kanë patur një ndikim negativ në ecurinë e shitjeve, ndërsa sektori i shërbimeve ka dhënë ndikimin kryesor pozitiv në ecurinë e tyre theksohet në raport.
Analiza
Banka e Shqipërisë sqaron se në 2009 u ngadalësua kreditimi dhe kreditë me probleme arritën në masën 10.5%. Në fund të vitit 2009, veprimtaria e kreditimit, duke përfshirë edhe interesat e përllogaritura, zinte rreth 50.8 për qind të totalit të mjeteve të sektorit bankar, ose rreth 40 për qind të PBB-së. Ndërkohë, raporti i kredive me probleme ndaj vlerës së përgjithshme të portofolit të kredisë u ngjit në nivelin 10.5 për qind. Nevoja për rritjen e fondeve rezervë për përballimin e rrezikut të kreditit nga ana e bankave, ndikoi në rënien e rezultatit financiar të sektorit, sqaron BSH. Mbështetur mbi analizën e zhvillimeve të vitit 2009, vlerësohet që niveli i përgjithshëm i rrezikut për sistemin financiar dhe sektorin bankar, është ulur. Pritet që kreditimi të rritet në vitin 2011.
Në përgjithësi, zhvillimet ekonomike do të ushtrojnë presion mbi situatën financiare të sipërmarrjeve të biznesit dhe të familjeve, të paktën në gjashtë muajt e parë të vitit 2010. Përmirësimet në ekonominë ndërkombëtare pritet të zbusin efektin ngadalësues mbi rritjen ekonomike në vend, të pakësimit të pritshëm dhe të nevojshëm të stimulit fiskal. Megjithatë, ky ndikim pozitiv pritet të bëhet më i ndjeshëm në gjysmën e dytë të vitit 2010, pas vendosjes në një gjendje më të stabilizuar të ekonomisë greke, si edhe pas ndikimit sezonal të turizmit. Vlerësohet që përkeqësimi i cilësisë së kredisë do të shënojë vlerën më të lartë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010 dhe do të stabilizohet në gjysmën e dytë të tij. Një përmirësim gradual por i qëndrueshëm i këtij treguesi, pritet të shfaqet në vitin 2011, theksohet në raport.
Ornela Manjani