Tregu i Kosovës dhe i Shqipërisë, sfidë për Maqedoninë
“Kompanitë dhe firmat maqedonase duhet ta shfrytëzojnë momentin dhe ta pranojnë sfidën që të dalin përtej kufijve të Maqedonisë, pasi tregu ynë nuk është i mjaftueshëm për një zhvillim efikas. Nuk duhet të mendojmë më për ‘tregun tonë’, por duhet të fillohet sa më shpejt bashkëpunimi në kuadrin e të mbiquajturit rajon të MAK-ut (Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova). Ky është mendimi që menaxheri rajonal për tri vendet e lartpërmendura në Qendrën për Zhvillim të Sipërmarrësve dhe të Menaxherëve (CEED), Jovan Maxhovski, shprehu, midis të tjerave, në një forum të biznesmenëve maqedonas dhe kosovarë, të organizuar ditët e fundit në Prishtinë. “Prishtina është 86 km larg nga Shkupi dhe të thuash se nuk duam të punojmë në Kosovë, por vetëm në Maqedoni, është qesharake. Ky është një mentalitet që ka ekzistuar para 30 vjetësh. Maqedonia e vetme nuk është interesante si treg, por në nivel rajonal situata ndryshon. Një treg prej 8 milionë banorësh në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri është një treg i mirë, drejt të cilit duhet të çajnë kompanitë maqedonase”, i vuri në dukje ditët e fundit gazetës së përditshme maqedonase “Dnevnik” z. Jovan Maxhovski, që ishte edhe organizator kryesor i forumit ekonomik kosovaro-maqedonas të lartpërmendur në Prishtinë, duke shtuar se tregtia me Kosovën duhet të përmirësohet, sepse vetëm një numër shumë i vogël i kompanive maqedonase është i pranishëm në Kosovë. Sipas Maxhovskit, nuk është fjala vetëm për rritjen e eksportit, por për një nivel më të lartë të bashkëpunimit në kuadrin e biznesit real në ato degë ku Maqedonia është dobët. “Në rast se mbesim në tregun maqedonas me dy milionë banorë, vështirë se do të mund të lëvizim nga vendi. Me një perceptim të tillë të gabuar dhe duke pasur frikë nga korrupsioni, ne nuk arritëm të shtrihemi në Bullgari. Kurse në Shqipëri dhe Kosovë ne kemi ende një imazh pozitiv, por nëse vazhdojmë të presim, qoftë edhe pak kohë, tregu do të mbushet nga të tjerët. Duhet të shfrytëzojmë momentin. Nuk duhet të presim në asnjë mënyrë”, i theksoi gazetës së mësipërme maqedonase menaxheri rajonal i organizatës ndërkombëtare CEED. CEED-i tanimë ka autorizuar hapjen e një qendre biznesi maqedonase në Prishtinë në kuadrin e projektit “Sistem i integruar për hyrjen në tregun e Kosovës”, i financuar bashkërisht me projektin e konkurrencës të USAID-it të Maqedonisë. Qendra e lartpërmendur e biznesit në Prishtinë u ofron kompanive dhe firmave maqedonase një hapësirë të mjaftueshme dhe të pajisur më së miri, ku ato mund të ekspozojnë produktet e shërbimet e tyre dhe të hyjnë në kontakt me homologet e tyre në Kosovë.
#