E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT, nis furnizimi me ilaçe

Autori i Lajmit: red.
Dalin analizat për sallat e operacionit të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Sipas të dhënave të ISHP-së, pas dezinfektimit situata rezulton e përmirësuar, por ende e pasigurt për pacientët. Për këtë shkak sallat e operacionit të kardiokirurgjisë do të qëndrojnë për disa ditë të mbyllura. Sipas të dhënave, tri sallat e operacionit dhe ajo e reanimacionit po dezinfektohen, por në to po përdoret vetëm një dezinfektant i thjeshtë, që nuk arrin të zhdukë plotësisht bakterin. Lidhur me krizën në spitale burime zyrtare nga QSUT-ja kanë thënë dje për gazetën “Ballkan” se gjendja nuk është alarmante. Sipas tyre, është abuzuar me punën e infeksioneve spitalore, pasi sallat e operacioneve, si rregull, dezinfektohen çdo ditë të premte, pasi mbarojnë operacionet e planifikuara javore. Sipas burimeve, çdo tre muaj sallat mbyllen për t u dezinfektuar me "themel", duke qenë se nuk mund të dezinfektohen kur në to punohet. “Nga katër sallat e kardiokirurgjisë tri janë mbyllur për dezinfektim dhe një është në gjendje pune ku operohen urgjencat. Është vetë QSUT që monitoron higjienën e sallave dhe i mbyll dhe i hap në varësi të ngarkesës mikrobike. Sallat po nuk u mbyllën, nuk mund të dezinfektohen. Gjithsej janë mbi 30 salla në QSUT, të cilat mbyllen njëra pas tjetrës për pak ditë për t u dezinfektuar. Për vdekje pacientësh as që bëhet fjalë, ndërsa infeksionet spitalore që njihen në gjithë botën, në spitalet tona kanë ardhur si pasojë e kushteve më pak të përshtatshme”, - kështu kanë reaguar dje burime zyrtare nga drejtoria e QSUT-së. Po sipas të njëjtave burime, është zgjidhur dhe mungesa e ilaçeve dhe e materialeve të tjera spitalore të pastrimit. Këto të fundit kanë tri ditë që janë shpërndarë në të gjitha pavionet e QSUT-së ndërkohë që edhe ilaçet po fillojnë të vijnë.

ISHP/Analizat
Dyshohet për bakter më të rrezikshëm se stafilokoku
Ndërkohë analizat e Institutit të Shëndetit Publik dyshojnë për praninë e një bakteri më të rrezikshëm sesa stafilokoku që njihet me emrin "Pseudomonas". Sipas të dhënave, duket se ky bakter është gjetur në pajisje dhe ka kontaminuar edhe sallën e reanimacionit. Pacientët që ishin në reanimacion janë zhvendosur, duke u izoluar në dy bokse të posaçme. Tri sallat e operacionit dhe ajo e reanimacionit po dezinfektohen, por në to po përdoret vetëm një dezinfektant i thjeshtë që nuk arrin të zhdukë këtë lloj bakteri. Sipas specialistëve, për këtë lloj bakteri kërkohet kombinim i disa kimikateve me bazë klori dhe jodi, të cilat duket se mungojnë në spitalet e QSUT-së. Deri kur këto salla të dezinfektohen dhe sterilizohen atëherë do të rifillojnë operacionet. Ndërkohë drejtues të shëndetësisë shqiptare pranojnë që në spitale ka probleme duke ua lënë përgjegjësinë drejtuesve të spitaleve.
Ky lajm është publikuar: 11/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›