E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët, pesë udhëzuesit e parë klinikë për sëmundjet kronike

Autori i Lajmit: red.
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, kanë hartuar tashmë udhëzuesit e parë klinikë për mjekët. Në takimin e organizuar dje nga Qendra Kombëtare e Cilësisë dhe Akreditimit, u prezantuan 5 udhëzuesit e parë që kanë të bëjnë me sëmundje shumë të përhapura si hipertensioni, aksidentet vaskulare celebrale, diabeti tipi 2, anemia në insuficencën renale kronike si dhe udhëzuesi për mjekët e familjes. (Në këtë të fundit përfshihen 8 diagnoza që janë: Pneumonia te adultet, astma, infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, urtikaria, angioedema, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, insuficenca e zemrës, anemitë). “Ne po punojmë së bashku me Qendrën e Akredimit dhe aty është një bashkëpunim shumë i frytshëm, sepse për herë të parë dalin në Shqipëri pesë udhëzues të mirëfilltë për pesë diagnoza nga më të rëndësishmet dhe që kanë edhe barrën më të madhe të shpenzimeve në skemën e rimbursimit. Ne kërkojmë të vendosim standarde të mirëfillta për të gjithë. Synimi ynë primar është ndihma dhe mbrojtja e pacientit dhe këta udhërrëfyes janë një hap në drejtimin e duhur”,- u shpreh drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Sipas saj, udhërrëfyes të tillë të mirëfilltë, që u afrohen fare mirë standardeve evropiane, ka 18 vjet që priten dhe këto janë shumë të rëndësishme edhe për mirëfunksionimin e skemës. Drejtoresha e ISKSH-së u shpreh se udhëzues të tillë të certifikuar do të pasohen edhe me të tjerë për të krijuar një panoramë më të plotë, gjë që do të sjellë një transparencë më të madhe në sistemin shëndetësor dhe natyrisht bën të mundur që mjekët të kontrollohen më mirë për performancën e tyre në dhënien e diagnozave. Një tjetër ndihmë e këtyre udhëzuesve lidhet me përllogaritjen e kostove. “Edhe pse në shëndetësi kostoja nuk është saktësisht e parashikueshme, sepse varet nga luhatja e sëmundshmërisë, vendosja e këtyre udhëzuesve do të na ndihmojë gjithashtu në këtë drejtim”,- u shpreh Hana. Ndërsa prof.dr. Isuf Kalo u shpreh: “Në shkencën mjekësore njohuritë herë pas here ndryshojnë, hyjnë gjëra të reja, më dinamike në kuptimin e prurjeve të reja, prandaj është në dobi të të sëmurëve që ne të mos i besojmë tërësisht saktësisë e kujdesit mjekësor, verbërisht zotësisë së mjekut, se ka një diplomë dhe një ekperiencë, po të krijojmë një ekperiencë kolektive të grupit, të një specialiteti të caktuar, të cilët bien dakord mbi disa parime, mbi disa mënyra sesi do ta zbatojnë këtë kujdes mjekësor. Udhërrëfyesit janë një dokument i bërë në mënyrë kolektive nga grupi i mjekëve që merren me çështjet, por e reja që sjellim ne në këtë proces është që dhe kjo ekperiencë e grupit të mos bazohet në eksperincën e tyre klinike apo të një lideri, por të alternohet me evidencën shkencore më të re që ekziston sot në internet”. I pyetur për domosdoshmërinë ose jo të zbatimit të këtyre udhëzuesve, z. Kalo tha se në parim mjeku duhet t i qëndrojë kësaj, sepse është një rekomandim kolektiv i bazuar nga eksperienca dhe evidenca, por nuk është urdhër, sepse mjeku përsëri do të zbatojë shkencën mjekësore sipas rastit konkret. Por në rast se ai devijon nga kjo ai duhet të japë disa argumente pse. Më pas u prezantuan 5 udhëzuesit klinikë për mjekët e pranishëm në trajnim dhe botimet e këtyre udhëzuesve do të jenë në dorë të të gjithë mjekëve, të cilët do të kenë mundësi të konsultohen edhe me metodat e reja bashkëkohore të trajtimit të sëmundjeve.
Ky lajm është publikuar: 11/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›