E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria me prodhime Bio dhe me 10-fish kimikate në frutikulturë

Autori i Lajmit: red.
“Nuk është bërë asnjë analizë për sasinë e kimikateve në fruta dhe perime. Shteti shqiptar nuk ka kthyer mbrapsht asnjë maune me prodhime të helmuara nga kimikatet”

Frutat e tokës të mbushura me bekimet e natyrës (vlerat e mëdha jetësore), janë të mbushura edhe me helmin e injektuar nga dora e njeriut. Të konsumosh sa më tepër perime dhe fruta mund të rezultojë kështu një surprizë e pakëndshme: Hamë domate, por çfarë domateje hamë? Specialisti Lavdosh Ferruni i Shoqatës së Bujqësisë Organike thotë se “duke pretenduar se po marrin vlera të mëdha për shëndetin, në fakt konsumatorët po marrin kimikate të mëdha për shëndetin.” Prodhimet nuk janë aq bio sa ne i kujtojmë, madje edhe kur vijnë nga Ndroqi, Maminasi, Krutja, Droboniku apo Morava. Sikur të fajësonim kërkesën tonë gjithnjë e më të madhe për sa më tepër konsum të prodhimeve bujqësore, nuk do t u vinin dhe aq faj kultivuesve të tyre, që për të rritur prodhimin në maksimum, shtojnë trajtimin me pesticide. Por, mbetemi konsumatorë modestë. Sidoqoftë, ka modele nga vendet më të zhvilluara të cilat na dëftojnë se si ekuilibrohen kërkesat e mëdha të tregjeve, me nevojën për siguri të konsumatorëve dhe motivacionin për fitim të prodhuesve.

“Blerësit konsumojnë prodhime që nuk i janë nënshtruar asnjë analize për përmbajtjen e kimikateve në to.” Deklarata është bërë për “Ballkan” nga specialisti i Shoqatës së Bujqësisë Organike, Lavdosh Ferruni. “Konsumatori ka mungesë informacioni për sigurinë e fruta-perimeve,- thotë ai.- Nuk ka asnjë garanci se kimikatet që përmbahen në to, janë brenda normativave të përcaktuara ligjërisht. Laboratorët ekzistojnë, por nuk kemi parë deri më sot asnjë rast, që të jetë analizuar domatja apo rrushi, për sasinë e pesticideve, nutriteve dhe metaleve të rënda që përmbajnë. Nuk kemi dëgjuar të paktën një rast, që Ministria e Bujqësisë të ketë ndaluar një produkt të vetëm për përmbajtje të lartë kimikatesh. Ndërkohë që para 90-s, ndodhte shpesh që maune të tëra tonat, të na ktheheshin mbrapsht nga shtetet e tjera, thjesht se kishin mbetje kimikatesh mbi normën e lejuar”. Sipas tij, përvoja e deritanishme e një tregu të pambikqyrur, dëshmon se këtu nuk zbatohen normat evropiane.

-Trajtimi me kimikate është metodë e bujqësisë inorganike. A ka pasoja mbi shëndetin konsumimi i prodhimeve të tilla dhe kur? Thënë ndryshe; cilat janë pasojat e përmbajtjes së kimikateve në fruta-perime?
Natyrisht, kur kalohen normativat e trajtimit me kimikate, efektet janë të vërtetuara sidomos në aparatin tretës, në qarkullimin e gjakut, në sistemin nervor qendror etj. Kur bëhet një propagandë kaq e madhe për të konsumuar sa më tepër fruta e perime, duke pretenduar se po marrin vlera të mëdha për shëndetin, në fakt konsumatrët po marrin kimikate të mëdha për shëndetin.
-Po humbja e shijes me çfarë ka lidhje?
Pikërisht me këtë mënyrë prodhimi: Kështu ndryshohen raportet biokimike natyrale, gjë që ndryshon edhe shijen natyrale. Edhe rritja e sforcuar dhe sidomos jashtë sezonit ndikon këtu.
-Cilat perime apo fruta janë më të “kimikatizuara”?
Të gjitha i kanë këto probleme.
-Mendoni se problemi fokusohet më tepër tek prodhimet e vendit apo tek ato të importit? Pra, nga cilat prodhime jemi më të rrezikuar ne, si konsumatorë?
Prodhimet e importit. Vendi ynë konsiderohet relativisht i pastër në kultivimin e prodhimeve bujqësore për nga shkalla e përdorimit të plehrave kimike. Shqipëria përdor 6-7 herë më pak sasi kimikatesh sesa vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë, të Evropës. Pra, prodhimet tona mund të konsiderohen bio.
Por, në zona të caktuara të vendit, situata është krejt e përkundërt. Ka fermerë që i trajtojnë me superdoza perimet, duke i kaluar dhjetëfish dozat e kimikateve që përdorin fermerët e vendeve të tjera. Ngaqë nuk ka kurrfarë kontrolli, asgjë nuk i ndalon prodhuesit, që të nxisin dhe shpejtojnë prodhimin me mënyra të dëmshme për shëndetin.
-Keni informacion më të detajuar se prodhimet e cilave zona të vendit janë trajtuar tej mase me pesticide dhe nitrite?
Janë zona fushore, kryesisht pranë qyteteve që kanë mundësi më të mëdha të ofrojnë prodhimet e tyre në tregjet e mëdha dhe po ashtu, edhe serrat e mëdha. Pra, aty ku prodhohen sasi të mëdha fruta-perimesh, aty është abuzimi më i madh me pesticidet. Pikërisht aty ku është prodhimi më i madh dhe më intensiv do të ishte urgjtente që të analizoheshin këto prodhime dhe, nëse analizat faktojnë mbidoza, duhen penguar të futen në treg. Nuk përjashtohen edhe zona të tjera me ndotje industriale, të cilat pa marrë parasysh rrezikun, kultivojnë mbi toka të mbushura me helme, prodhime të ndryshme për konsum familjar dhe për tregun. Nëse do të bëhej një depistim i popullsisë së këtyre zonave, do të rezultonin probleme shëndetësore të lidhura me këtë konsum.
-Ju thoni se nuk janë bërë analiza për përmbajtjen e pesticideve në prodhimet e importit. Nga mund ta dimë se ato nuk janë në parametrat e BE-së?
Pikërisht sepse nuk ka asnjë kontroll dhe sepse kurrë nuk ka ndodhur, që ato të kthehen mbrapsht për mbidozim të përmbajtjes së tyre me kimikate, kjo na jep plotësisht të drejtën të dyshojmë se këtu hyjnë pikërisht këto prodhime që janë jashtë parametrave të BE-së. Normat për sasinë e lejuar të kimikateve ekzistojnë edhe tek ne por, kur nuk kujdeset njeri për zbatimin e tyre, nxitet prirja për t i shkelur ato.
Intervistoi Denisa Kona
Ky lajm është publikuar: 11/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›