Diabeti, si ta kuptojmë sëmundjen dhe mënyrat e trajtimit
Diabeti quhet diabeti melitus ose ndryshe njihet si sëmundja e sheqerit, është një sëmundje e metabolizmit, e lëndëve të organizmit. Sheqernat janë një ndër tre përbërësit kryesorë të ushqimit. Sheqernat janë përbërësi kryesor me anë të të cilit mekanizmat e trupit funksionojnë. Sistemi metabolik është sistemi i djegieve të këtyre lëndëve metabolike, të cilat çlirojnë energji dhe me këtë energji punon makineria trupore. Niveli i sheqerit në gjak duhet të mbahet në nivelin 100 mg për gjak, çka do të thotë se për 1 litër gjak duhet të ketë 1 gr sheqer. Ne kemi 5 litër gjak dhe zakonisht qarkullon 5 gr sheqer. Që të ruhet ky nivel sheqeri, ne duhet ta marrim atë në mënyrë të përditshme në ushqimet që konsumojmë. Atë mund ta marrim në tre forma, i imët, i pastër dhe në produkte ushqimore. Sheqeri në brumëra si (makarona, orizi, patatja). Sheqeri i frutave. Një lloj tjetër sheqeri është tek qumështi dhe tek prodhimet e tij. Sheqeri i thjeshtë quhet glukozë. Niveli i sheqerit në gjak përcakton atë që quhet glicemi. Në kushtet kur ne jemi esëll ajo është 100 mg, por në kohën që hamë ushqim dhe marrim sasi shumë të madhe, në kushtet kur ne na duhet vetëm 5 gr në gjak. Kjo pjesa e tepërt që ne marrim në gjak futet nëpër qeliza, glukoza nuk futet dot në qeliza nëse nuk është një lëndë e cila sekretohet dhe prodhohet nga një gjendur e cila quhet pankreas. Ajo prodhon lëngje për tretje, por një numër i madh qelizash të veçanta prodhojnë atë që quhet glicemi. Në momentin që ne ushqehemi dhe niveli i sheqerit vjen e rritet, menjëherë vjen në gjak insulina, e cili e merr sheqerin dhe e fut brenda qelizës. Një pjesë të sheqerit insulina e depoziton në mëlçi, në formë të paketuar. Nëse sasia e sheqerit është shumë e madhe, një pjesë bëhet dhjam. Trupi e merr për ta depozituar, sepse nuk i dihet se kur mund ta harxhojë.
Diabeti tip 1
Sëmundja e diabetit është sëmundje me të cilën problemi kryesor është në lidhje me prodhimin e insulinës dhe me aftësinë e saj për të vepruar. Në rastet kur insulina nuk prodhohet nga pankreasi ose prodhohet në sasi shumë të pakët. Atëherë ndodh që sheqerin që ne marrim nuk digjet, as depozitohet dhe grumbullohet në gjak. Në rastet kur glikemia rritet në gjak më shumë se 180 mg, atëherë del në urinë. Zakonisht nuk e lë veshka sheqerin të dalë në urinë, sepse sheqeri është material energjetik dhe mundohet ta kursej, por kur është në sasi të madhe, nuk e mban dot. Por bashkë me sheqerin zakonisht del edhe ujë. Në këtë moment të sëmurët kanë edhe urinim të shumtë. Kur kanë urinim të shumtë, trupi thahet dhe fillojnë të pinë ujë. Meqë kanë urinim të shumtë, trupit thahet dhe meqë kanë etje të shumtë, trupi dobësohet. Kemi të bëjmë me sëmundjen e kequshqyerjes sheqerore. Sepse sheqeri nuk digjet dot, por nga ana tjetër qelizat mbeten të uritura, dhe këto qeliza në vend të hanë sheqerin, hanë yndyrat. Nëse pankreasi nuk prodhon insulinë, atëherë kemi edhe rritje shumë të madhe të glikemisë. I sëmuri dobësohet, i turbullohet ndërgjegjja dhe mund të bjerë në koma. Ky është diabeti tip 1, kur nuk kemi insulinë. Në diabetin tip 1 shenjat shfaqen shpejt. Por gjendja e të sëmurit keqësohet nga njëra ditë në tjetrën. Ta diagnostikosh diabetin tip 1 është shumë e thjeshtë, me anë të një analize urine. Fakti që të del sheqer në urinë është diçka shumë e dukshme, duke i shtuar kësaj edhe shenjat e sipërpërmendura. Diabeti tip 1 shfaqet kryesisht tek fëmijët dhe të rinjtë deri në moshën 30 vjeç. Shenjat e kësaj sëmundjeje shfaqen shpejt dhe kjo bënë që situata të ndryshojë shpejt. Procesi i pakësimit të insulinës zgjat shumë vjet. Është një proces i cili ndodh për një arsye autonome. Vetë trupi krijon antikorpe, zakonisht trupi nuk lufton qelizat e veta, por ndodh edhe një lajthitje dhe qelizat shkatërrohen. Besohet se është një faktor autoimun, kjo ndodh edhe kur diabetin tip 1 mund të mos e kenë të tjerë në familje.
Diabeti tip 2
Diabeti tip 2 është më problematik, sepse ky përbën 90 për qind të të gjitha rasteve. Në dimensionin e përgjithshëm të diabetit është diabeti tip 2 ai që dominon. Kjo sëmundje fillon në moshën 40 vjeç dhe shfaqet kryesisht tek njerëzit e shëndoshë. Ky lloj diabeti nuk fillon me shenjat dhe as në mënyrë të zhurmshme, është i fshehur, është pa shenja, ai është memec. Ka rritje të sheqerit, por nuk është kaq e lartë dhe gjendja nuk ndryshon nga një ditë në tjetrën. Pra ky është një diabet i heshtur. Pankreasi prodhon insulinë. Madje, mund të prodhojë më shumë se tek njerëzit normalë, sepse në rastin e diabetit tip 2 është rezistenca që kanë qelizat ndaj futjes në sheqer. Nuk është se nuk futet sheqer, futet sheqer, por nuk është në nivel të lartë. Rritja e sheqerit nuk kalon 180 mg. Është një rezistencë ndaj dhjamosjes. Duke pasur rezistencë për të arritur qëllimin e tij, pankreasi shton prodhimin e insulinë. Në masën qarkulluese të të sëmurit, insulina krijon uri, duke bërë që të hash më shumë, duke shtuar në të njëjtën kohë obezitetin. Çka i bënë ata të hyjnë në një rreth vicioz. Këta të sëmurë kanë oreks të madh. Diabeti tip 2, si defekti i prodhimit të insulinës është më i komplikuar, sepse shoqërohet edhe me një sërë anomalish të tjera. Rritja e insulinës në gjak rrit hipertensionin, rritje të yndyrave në gjak, sëmundjeve të arterieve të zemrës. Ky kompleks sindromë X ose sindromë metabolik, pra në këtë rast nuk bëhet fjalë për një sëmundje, por për një grup sëmundjesh. Qoftë në diabetin tip 1 dhe në atë tip 2, elementi diagnostifikues është hiperglicemia, rritja e sheqerit në gjak. Kjo është një rritje e vazhdueshme që vazhdon për javë, për muaj dhe vite me radhë. Është një sëmundje që glikemia është në gjendje të sheqerosë qelizat e gjakut. Problemi më i madh i diabetit është se diabeti tip 1 në rastet kur nuk kemi insulinë, nëse nuk ndihmohet, bie në koma, humb jetën. Por fatmirësisht sot kemi insulinë. Ndërsa problemi i dytë që i sëmuri nuk bie në koma dhe i sëmuri mund të mos ketë shenja, por thjesht i sheqerosen qelizat e trupit, kapilarët, dhe ato fillojnë të dëmtojnë muret e tyre, mbyllen, çahen, krijojnë hemorragji, krijojnë tromboza dhe iskemi. Kjo ndodh në të gjithë trupin, ndodh në sy, dëmton veshkat, duke dhënë nefropatinë diabetike, ky është një ndër shkaqet kryesore pse të sëmurët bien në dializë dhe bëjnë transplante. Të sëmurët bëjnë dëmtime të kapilarëve të nervave, që krijojnë disa komplikacione, deri në gangrenë, të cilat kombinohen me dëmtime të arterieve, kapilarëve, dëmtohen arteriet e vogla të zemrës. Diabeti dëmton edhe arteriet e mëdha. Kështu shpjegohet përse të sëmurët preken nga arterioskleroza. Diabeti jep aksidente cerebrale, tromboza, hemorragji cerebrale, hipertension. Rreth 40 për qind e tyre kanë hipertension. Rriten shumë rreziqet kardiovaskulare dhe kanë një vdekshmëri relativisht më të lartë se njerëzit pa diabet. Sot ndodh që diabeti tip 2 zakonisht nuk ka qenë shfaqur tek fëmijët, por sot ne vërejmë një rritje të frikshme të obezitetit dhe të ndryshimit të stilit të jetës.
Diabeti i barrës
Një formë e tretë e diabetit është diabeti i formës tip 1 dhe tip 2. Ai quhet diabeti i barrës, që shfaqet vetëm gjatë periudhës së shtatzënisë. Ky lloj diabeti është jashtëzakonisht i rrezikshëm, sepse nuk ka shenja. Por ka influencë të jashtëzakonshme tek fati i fëmijës. Ai bëhet shkak për dështime të pashkak, për lindjet para kohe, për lindjet e fëmijëve të vdekur, për lindjet e fëmijëve me keqformime ose vdekjen e fëmijëve menjëherë para se të lindin. Ky diabet shfaqet heshturazi dhe ka influencë të keqe gjatë barrës, pasi shtohet shumë në peshë, mbledh shumë ujë, bënë rritje të tensionit. Në përgjithësi u keqësohet gjendja e veshkave dhe barra nuk rrjedh mirë. Diagnoza bëhet përmes një analize të sheqerit në gjak. Është një diagnozë që duhet bërë tek gratë shtatzëna. Diabeti i barrës është diabet me shfaqje të përkohshme, por janë me risk që pas shumë vitesh, duke e lidhur edhe me anamnezën e familjes, mund të jenë pre e sëmundjes së diabetit. Diabeti mund të jetë edhe medikamentoz, kur përdoren doza të larta të antikortizonëve. Pavarësisht origjinës dhe tipit të diabetit, kjo sëmundje është pasojë e hiperglicemisë.
***
Trajtimi medikamentoz ka edhe një kosto të lartë sociale. Ndërkohë, kjo sëmundje është e dyta në listën e barnave të rimbursueshme, në peshën e shpenzimeve që kryhen për medikamentet. Diabeti është edhe problem social. Kjo sëmundje po shtohet. Ka një problem të diagnostikimit në kohë të diabetit. Gati 50 për qind e personave që vuajnë nga diabeti, nuk e dinë, sidomos kjo ka të bëjë me diabetin tip 2. Nga një dhjetëvjeçar në tjetrin numri i të sëmurëve me diabet do të shtohet. E megjithëse bota e din mjaft mirë këtë nuk po arrin dot të ndalë ritmin e rritjes. Shtimi i diabetit në vendin tonë po vjen si shkak bumit kalorik. Obeziteti është i lidhur vetë me bumin kalorik i cili veçanërisht është i ndjeshëm nga mania e re e fast foode-ve, frutave dhe koka-kolave të cilat kanë një përmbajtje kalorazi. Të gjitha këto krijojnë një larmi të madhe ushqimore të cilat bëjnë që tek njerëzit ushqimi të kthehet një ndër kënaqësitë kryesore. Kjo është njëra anë. Nga ana tjetër obeziteti ka të bëjë edhe me lëvizjen. Tanimë njerëzit janë bërë më sedentarë. Njerëzit përdorin makinën, ata janë mbërthyer pas TV-së, aktiviteti fizik është shumë më i pakët. Ka një urbanizim të shpejtë. Në fshat nuk ka obezitet, nuk ka diabet. Ajo popullatë që tanimë ka lëvizur në kryeqytet, i është përshtatur stilit të jetesës së qytetit. Një tjetër faktor është mosha e popullatës, ne kemi një popullsi të moshuar. Dhe është fakt që diabeti po shfaqet më së shumti tek 60-vjeçarët. Trupi i të moshuarve është shumë më tepër i ekspozuar. Faktor tjetër i rëndësishëm që ndikon në shfaqjen e diabetit është stresi. Të gjithë këta faktorë ndikojnë fuqishëm në këtë sëmundje. Por pritet që kjo sëmundje të shtohet dhe e keqja është se po shtohet ai tip diabeti që është i heshtur. Që ta diagnostifikojmë një diabet, është e thjeshtë, pasi duhet thjesht një analizë sheqeri. Një analizë esëll shumë herë nuk mjafton sidomos për diabetin tip 2. Në rast se ne gjejmë sheqer kur jemi esëll glicemia duhet të jetë më pak 110 në rast se është mbi këtë normë atëherë është e dyshimtë. Por një analizë urine në rastin e diabetit tip 1 është shumë ndihmuese.
Trajtimi
Në momentin që na paraqitet një i sëmurë me diabet, duhet parë shkalla e dëmtimit që i ka shkaktuar diabeti. Pra, i sëmuri duhet eksploruar. Dhe më pas duhet bërë një bilanc i rëndësishëm i situatës së tij shëndetësore. Diagnostifikimi sa më herët i sëmundjes bën të mundur edhe përcaktimin e planit të veprimit që do të ndiqet nga mjeku i diabetit. Mënyrat e reja të trajtimit të diabetit janë të ndërtuara në katër shtylla. Kush do të jetë mjekimi i të sëmurët. Në rastin e një pacienti me diabet tip 1 mjekimi është dicka më e thjeshtë. Ai duhet të kufizojë në sasi konsumin e sheqernave. Për diabetikët e tipit 2 është më problematike, pasi ju kujtoj se ata kanë probleme me dhjamosjen. Këtyre të sëmurëve u duhet të largojnë shkaktarët e kësaj sëmundjeje, pra duhet të bien në peshë. Të bien në peshë duhet që këta pacientë të jenë të vendosur dhe ndryshim të sjelljes së ushqyerit. Në këtë mënyrë ai duhet të bëjë një bilanc se cilat janë ushqimet që i sjellin më shumë kalori dhe cilat më pak. Ai duhet të ndërtojë një platformë të cilën ta ndjekë vetë. Për këta pacientë është faktor shumë i rëndësishëm rënia në peshë. Mënyra se si ushqehen njerëzit. Duhet të ketë sa më pak kalori dhe duhet të jetë i shpërndarë minimumi në tri vakte. Kjo bën që trupi të mos depozitojë ushqim vetëm me ngrënien e një vakti, por të ketë ushqim të herëpashershëm dhe nga pak, në mënyrë që ta shpenzojë. Lëvizja. Edhe ky është një medikament shumë produktiv. Gjithashtu, i sëmuri duhet të mësojë, pasi ai nuk mund të mjekohet në rast se nuk e di se çfarë ka e përse mjekohet kështu. Mënyra se si pacienti merr pjesë në menaxhimin e sëmundjes është shumë e rëndësishme që sëmundja të shkojë në drejtimin e duhur dhe të kurohet në bashkëpunim me mjekun dhe me pacientin. Ky është një sistem i ri përmes të cilit i sëmuri e di se çfarë është sëmundja që ai ka dhe i kërkohet që në njëfarë mënyre të jetë menaxhues i sëmundjes që ai mbart, në mënyrë që ta vetëkontrollojë. Insulina. Kemi dy lloj insulinash: një të shpejtë dhe një të ngadaltë. Këto bëhen në proporcion të lëvizjes së pacientit dhe ushqimit që ai konsumon. Ndërsa tek të sëmurët me diabet tip 2 nuk kemi nevojë për insulinë, por duhet që pacienti të bjerë në peshë. Duhet një bashkëpunim më i gjerë mjek-pacient. Dhe ky i fundit duhet të jetë më i vetëdijshëm për sëmundjen dhe të kërkojë më shumë informacion për të.
Studimi
Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thuhet se deri në vitin 2020, në Evropë, diabeti tek fëmijët do të shënojë një rritje me mbi 70%. Mosha e të prekurve do të luhatet nga 5-14 vjeç. Për sa u takon të dhënave aktuale në SHBA, me këtë sëmundje janë të diagnostikuar mbi 3 milionë njerëz, 30% e tyre fëmijë të moshës deri në 5-7 vjeç. Sipas studimit, vetëm në vitin 2007 në nivel global shpenzimet për trajtimin e kësaj sëmundjeje arritën në 25 miliardë $, 2 herë më shumë krahasuar me vitin 2006. OBSH-ja thotë se faktorët kryesorë që çojnë në përhapjen e shpejtë të asaj që njihet si sëmundja e sheqerit, janë plakja e popullsisë si dhe ndryshimi i stilit të jetesës, ku vlen të përmendet dukuria e obezitetit, i cili është gjithmonë në rritje. Nisur nga këto alarme, të cilat janë publikuar jo pak herë, qeveritë kanë ndërmarrë politika dhe plan-veprime për rritjen e edukimit dhe kujdesit shëndetësor. Por, cilat janë shenjat e kësaj sëmundjeje? Etje e madhe, ndryshime të papritura të shikimit, sheqer në urinë, humbje e papritur në peshë, frymëmarrje e rëndë dhe pavetëdije.