E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurohet aparatura e pastrimit të gjakut në QSUT

08/06/2009  Kalon gjakun e donatorit apo pacientit nëpër filtra që në fazën fillestare të dhurimit

Qendra e Transfuzionit të Gjakut në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” tashmë do të pajiset me aparaturën e veçantë të pastrimit të gjakut (Spectra Optia Therapeutic Apheresis Spektra), kjo e munguar prej kohësh. Sigurimi i kësaj pajisjeje bën të mundur pastrimin e gjakut, duke ndarë komponentët e panevojshëm, duke mbajtur kështu larg përdorimit elementet që mund të sjellin prishjen e masës së gjakut të mbledhur. Drejtuesit e qendrës pohojnë se kjo është një teknologji mjekësore që kalon gjakun e donatorit apo pacientit nëpër filtra që në fazën fillestare të dhurimit, duke e bërë më të sigurt për ata që do ta marrin gjakun. Aktualisht ka përfunduar blerja e aparaturës, e cila është vendosur në ambientet e qendrës, ndërkohë që deri në fillim të muajit korrik do të ketë përfunduar dhe sigurimi i lëndëve të nevojshme që mundësojnë funksionimin e saj. Sipas specialistëve, aparatura nuk është vënë në punë deri tani për shkak se po sigurohet lëngu kimik, lëndë e cila do të blihet me prokurim të drejtpërdrejtë brenda këtij muaji, duke bërë kështu që pajisja të nisë funksionin në muajin korrik, ashtu siç dhe është deklaruar. Mungesa e kësaj aparature shpeshherë është bërë penguese në zgjatjen e procedurave për pastrimin dhe kthimin e sasisë së gjakut të mbledhur në të përdorshme nga pacientët që kanë nevojë për të. Kjo veçanërisht për të sëmurët talasemikë dhe ata që i nënshtrohen hemodializës, të cilët disa herë në javë duhet të vijnë në kryeqytetit për të marrë këtë trajtim. Në të kundërt jeta e tyre mund të rrezikohet, sepse janë të varur nga ky lloj shërbimi. Shifrat tregojnë se aktualisht janë rreth 400 pacientë që kanë nevojë për terapi zëvendësuese, duke iu nënshtruar hemodializës, ndërkohë që situata bëhet edhe më e rëndë, sepse çdo vit kësaj liste i shtohen edhe 175 pacientë të rinj. Këta të fundit duhet të marrin të paktën tri herë në javë këtë shërbimin, në të kundërt do të gjenden në gjendje të vështirë shëndetësore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›