QSUT vatër mikrobesh, sallat e operacioneve pa mbrojtje nga infeksionet
Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza është kthyer tashmë në vatër mikrobesh ku për to nuk shqetësohet askush, madje as vetë të sëmurët të cilët edhe pse mund të ankohen 24 orë për papastërtinë, e lagështirën pa fund sërish ankesat e tyre
bien në vesh të shurdhër. Por jo vetëm kaq, ajo që është më shqetësuese është fakti se edhe sallat e operacionit ato të cilat duhet të jenë në sterilitet të plotë, të mbrojtura nga mikrobet e të disifektuara përgjatë gjithë kohës, janë në mëshirë të fatit. Që prej disa kohësh në pothuajse të gjitha sallat e operacioneve në QSUT, mungojnë solucionet për disifektim të mjeteve të operacioneve e për më tepër në to e vetmja gjë që mund të kryejë punë janë vetëm sasitë e klorit apo të disa solucioneve të tjera të cilat shërbejnë për mbajtjen në disifektim të mjeteve të operacionit apo edhe të ambienteve të sallave ku kryhen ndërhyrjet kirurgjikale. Burime nga QSUT kanë deklaruar ditën e djeshme për gazetën SOT se që prej më shumë se gjashtë muajsh sallat e operacioneve në pamundësi për tu disifektuara me mjetet e solucionet e duhura, janë mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm nga infermieret të cilat me sa kanë mundur kanë sterilizuar ambientet apo mjetet e nevojshme për ndërhyrje kirurgjikale. Sipas këtyre burimeve edhe pse ankesat e pacientëve apo të vetë mjekëve të cilët e kanë tejet të vështirë të punojnë në kushte të tilla kanë qenë të madha sërish nga drejtoria nuk është marrë asnjë masë. Por vatra më e madhe e infeksioneve të cilat në shumë raste janë të pashmangshme vihet re në brendësi të dhomave të pavijoneve, aty ku lagështira ka zënë myk prej vitesh e askush nuk shqetësohet për këtë. Nga ana tjetër papastërtia e dhomave ku pacientët janë te detyruar të qëndrojnë për një kohë të gjatë në shumë raste diktohen si shkaku kryesor për infeksionet e ndryshme.
Ankesat
Në këtë kontekst nuk kanë qenë të pakta rastet kur vetë pacientët pasi kanë qëndruar për një kohë të gjatë në një pavijon kanë marrë infeksione e kanë përfunduar në infektiv. Një rast i tillë është edhe rasti i një të moshuare e cila për shkak të mikrobeve e papastërtisë kishte pësuar infeksion te lartë në zorrë e për këtë po kurohej në spitalin infektiv. Vetëm pak ditë më parë Isuf Kalo ka deklaruar se infeksionet spitalore që merr pacienti në spitalet tona kapin shifra të larta. Sipas statistikave në pavijonet kirurgjikale infeksionet spitalore përbëjnë 38 % të rasteve dhe krijojnë rrezikshmëri 2 herë më të lartë për vdekje. Sipas Kalos Infeksionet spitalore merren pas 48- 72 ore qëndrimi në spital. Spitalet tona monitorohen vetëm 2 herë në muaj për infeksionet, ndërkohë që nevojitet çdo muaj por mungesa e fondeve krijon pengesë për të siguruar reagjentët. Një strategji e posaçme tregtare mungon, ka një mangësi në njohjen e përmasave reale të problemit, ka një koordinim të strukturuar dhe ka pamjaftueshmëri në financim, u shpreh Isuf Kalo, nga Qendra e Cilësisë dhe Akreditimit të Spitaleve. Infeksione spitalore ka edhe në spitalet jashtë vendit por në vendin tonë situata është më problematike pasi infermieret apo personeli mjekësor edhe pse me arsim të lartë kanë njohuri të pakta rreth tyre. infeksionet spitalore përbëjnë 38% të rasteve dhe krijojnë rrezikshmëri 2 herë më të lartë për vdekje. Infeksionet spitalore zakonisht merren pas 48 - 72 orë qëndrimi në spital. Drejtori i Qendrës për Akreditimin e Shërbimit Shëndetësor, Isuf Kalo, ka deklaruar se pikat e dobëta ku duhet të ndërhyhet për të reduktuar numrin e tyre kanë të bëjnë me mungesën e një strategjie kombëtare për parandalimin e infeksioneve spitalore, por edhe duke reduktuar neglizhencën e personelit mjekësor dhe mungesën e investimeve të cilat janë shkaqet kryesore që çojnë në shifrat e larta të infeksioneve spitalore në të gjitha spitalet publike të vendit.
Arta AGOLLI