E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditë e këqija ulen me 0.1 për qind, tendenca në rënie

Frenohet rritja e kredisë me probleme në sistemin bankar. Statistikat e publikuara nga Shoqata e Bankave treguan se për muajin mars, norma e kredisë me probleme ra në me 0.1 për qind. Sipas statistikave niveli i kredive të këqija është 11.7%, nga 11.8% që ishte në muajin shkurt. Ndonëse në një përmasë modeste, kjo rënie shënon kthesë në tendencën

rritëse të kredive me probleme që kishte karakterizuar ecurinë e portofolit të kredisë, gjatë gjithë vitit 2009 dhe fillimit të vitit 2010. Rritja e kredisë me probleme ka qenë një nga shqetësimet kryesore të bankave që nga fillimi i krizës. Gjithashtu, norma në rritje e kredive në vonesë ka qenë një nga faktorët kryesorë frenues, për rritjen e kreditimit, që gjatë muajve të fundit është ngadalësuar ndjeshëm. Edhe në vrojtimin e fundit, mbi aktivitetin kreditor, të publikuar së fundmi nga Banka e Shqipërisë, situata e kredive me problem, cilësohet nga bankat si një nga faktorët kryesorë, në shtrëngimin e standardeve për dhënien e kredive të reja. Nga ky fakt del qartë se përmirësimi i portofolit të kredisë, do të jetë një element i rëndësishëm për rritjen e kreditimit nga bankat. Në fillimin e këtij viti, portofoli i kredisë së sistemit bankar është rritur me ritme modeste dhe në fund të muajit mars, teprica e kredisë arriti në 459 miliardë lekë, me një rritje prej vetëm 2% krahasuar me fillimin e këtij viti. Ndërkohë që gjatë vitit 2009 numri i kredive të këqija ishte i lartë. Sipas raportit 8.2 për qind e kredive klasifikohen të këqija. Ndërkohë që një vit më parë u regjistruan 5 për qind kredive me probleme. Ndërsa në periudha tremujore të dhënat  zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kreditë e këqija janë rritur në tremujorin e tretë të vitit, duke arritur në 10 për qind të totalit nga 8 për qind që ishin në tremujorin e dytë të këtij viti. Rritja progresive e kredive me probleme ka nisur që në vitin 2007 dhe vijon në pësojë vetëm rritje. Të dhënat tregojnë se krahasuar me fundin e vitit të kaluar, kreditë me probleme janë dyfishuar, ndërsa krahasuar me fillimin e vitit 2007 rritja është më shumë se tre herë. Sipas Bankës së Shqipërisë, nga gjithë kredia e dhënë për ekonominë në vite është korrekte dhe shlyhet rregullisht vetëm 82 për qind e saj. Sipas statistikave të publikuara herë pas here nga banka qendrore mësohet se brenda më pak se 18 muajsh, kreditë e këqija u rritën me 2.5 herë, ndërkohë që portofoli i kredive u rrit me më pak se 10 për qind. Sistemi bankar shqiptar menaxhon 455 miliardë lekë borxhe, (rreth 3.3 miliardë euro), dhe nga këto, rreth 52.6 miliardë lekë ose 378 milionë euro klasifikohen si kredi të këqija. Kreditë e këqija nuk janë thjesht kredi të humbura, por paraqesin rastet kur kredimarrësit kanë falimentuar dhe bankat kanë filluar procedurat për nxjerrjen e pronave peng në shitje për të rikuperuar vlerat monetare të dhëna hua.

Last Updated on E Enjte, 20 Maj 2010 21:10

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›