E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qafë-Bota na mëson se e ardhmja flet për shqiptarët

Shpëtim Idrizi

Aktiviteti i fundit i Partisë për Drejtësi dhe Unitet në Qafë- Botë, përfaqëson një nga organizimet më të rëndësishme të partive politike shqiptare me tematikë historike jo thjesht aktiviteti më i rëndësishëm organizuar ndonjëherë nga partia jonë. Janë disa arsye pse mund ta themi këtë përfundim. Ky aktivitet ishte organizim i përmasave të mëdha. Ai ishte dëshmi e besimit tek ajo çfarë mund të bëjë ekipi ynë drejtues. Ai ishte dëshmi e faktit që komuniteti ynë, një komunitet mosbesues në përgjithësi, tradicionalist, po gjen tek djemtë e vet në Parlament pikat e referimit në politikë që i kishin munguar ose i ishin lëkundur. Të ngresh rreth 10 mijë vetë, të moshave të ndryshme, t'i çosh në një destinacion aq të largët si Qafë-Bota, në skajin më të largët të Shqipërisë politike, është një dëshmi e madhe besimi. Një borxh i madh besimi, që PDU do jua shpërblejë vëllezërve, motrave, nënave e baballarëve, gjyshërve dhe gjysheve.
Ishte organizim i përmasave të mëdha, për njerëzit që ishin ftuar, artistëve që ishin ftuar. Koncerti ishte i jashtëzakonshëm. Ai kishte një fill lidhës, forcimin e ndjenjës kombëtare te shqiptarët kudo qofshin. Këngët ishin zgjedhur me kujdes, artistët përçuan spontanisht me prezantimet para këngëve, ndjeshmërinë për tragjedinë çame. Dhe mesazhi që përçojnë artistët, zë më shumë vend se mesazhi i politikanëve. Më shumë se mesazhi im, i Dashit, apo i të tjerëve. Mesazhi i violinistes që intononte muzikë klasike në një shkëmb roje mbi varrezën e Kllogjerit, i ngjante një shfaqje mitike ringjalljeje të shpirtrave të viktimave çame, që donin të na thoshin dhe njëherë amanetin e tyre: duam të prehemi në tokën tonë. Tokën amtare!
Aktiviteti i Qafë-Botës ishte një aktivitet i madh, pse atje morën pjesë shumë shqiptarë çamë, veçanërisht të Sarandës, Delvinës, etj, që dikur ishin më të tërhequr. Atje morën pjesë shumë kosovarë, shqiptarë të Maqedonisë, Malit të Zi, etj. Dhe bashkë me ta, dhe përfaqësues të partive politike më të mëdha të Shqipërisë, të Kosovës, personalitete të mëdha si Flora Brovina, Pëllumb Xhufi, Liburn Aliu i Vetëvendosjes, Artan Grubi i Zgjohu në Maqedoni, etj.
Kjo pjesëmarrje e madhe ishte dëshmi e realizimit në praktikë të asaj që ne kemi shpallur me programin tonë: PDU është parti e çështjes kombëtare, në veçanti e asaj çame. Në zgjidhjen e kësaj çështje, ne kemi bashkëpunuar dhe do të bashkëpunojmë me të gjithë, dhe ajo çfarë kemi bërë deri më sot, ka krijuar jo thjesht simpatinë dhe mbështetjen e popullit çam, por të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Ne e provuam këtë në Kosovë, kur të gjithë shprehën simpati për atë që kemi bërë, por dhe dëshirën për bashkëpunim në të ardhmen. Duke e konsideruar forcën tonë politike, si një forcë të besueshme.
Manifestimi i Qafë-Botës, realizuar mu në kufi, e vetmja portë e mbyllur në kufirin midis dy vendeve që, siç tha Pëllumb Xhufi, "u hap vetëm njëherë sa për të përzënë çamët që u shpëtuan vrasjeve masive", ishte një provokim i madh kulturor. Jo thjesht politik, sepse siç e thashë, fjalët që themi ne politikanët, mbase i merr era. Provokimi kulturor qëndronte në atë se këngët dhe vallet e mrekullueshme çame, janë dëshmia më e fortë e mbijetesës sonë që i ka rrënjët te kultura jonë. Me atë koncert, ne u kemi thënë atyre grekëve që na ndiqnin, apo që duan të dëgjojnë mesazhin e aktivitetit tonë, se, mund të zhdukësh mbase dhe plotësisht një popull, kur zhduk gratë, fëmijët dhe pleqtë e tij, por s'mund të zhdukësh kulturën e tij. Jam plotësisht i bindur se nëse ky koncert do të transmetohej live, mes vëllezërve tanë ortodoksë, që ishin vetëm pak kilometra, në anën tjetër të kufirit absurd, ata që ndoshta kanë ndërruar me dëshirë, apo pa dëshirë, identitetin e tyre kombëtar, do të qanin. Do të ndienin atë që kemi ne të përbashkët me ta, kulturën, këngët, vallet, vajet dhe ky do të ishte një shok i madh kulturor për ta. S'di se ç'do të ndodhte më pas, por e kam ditur forcën e muzikës, në situata të tilla të ngjashme, kur kam marrë vesh se autoritetet greke nuk lejojnë muzikantët tanë të shkojnë në çamëri. S'di se ç'do të bëjnë kur të hapen kufijtë për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në Bashkimin Europian.
Nga Qafë-Bota, ne lëshuam një mesazh të fortë për gjithë kriminelët e luftës, që jetojnë dhe sot. Ata nuk do të shohin ditë të bardha në jetën e tyre tash e tutje. Ne jo vetëm do të shpallim emrat e tyre në një përmendore turpi imagjinare, por do t'i shndërrojmë ata në gjah penal, me paditë që do të ngremë kundër tyre në gjyqet e Europës. Ky do të jetë vetëm njeri nga hapat që do të ndjekim ne, veç atyre që kemi shpallur dhe që do të bëjmë realitet.
Këto ishin vetëm disa refleksione nga aktiviteti i Qafë-Botës, ku unë isha bashkë me dy fëmijët e mi. Prej asaj pike kufitare absurde, 66 vjet më parë kishte kaluar im atë, vetëm një vjeç, ndërsa të afërmit e tij, bashkëvëllezërit dhe motrat e tij, kishin humbur jetën në një krim kolektiv tragjik nga ushtria dhe paramilitarët e një vendi që s'njeh njollat e errëta në historinë e tij, por mburret me to. Atë ditë fëmijët e mi, kuptuan më shumë sesa ç'kishin kuptuar nga tregimet e gjyshit të tyre, apo nga ato të miat. Historia dhe e ardhmja ishin përbri në Qafë-Botë. Ndërsa historia ishte tragjike me shqiptarët, e ardhmja flet për ta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›