“Qafë-Gjashta”, Apeli i jep pafajësinë të akuzuarit
Apeli i Krimeve të Rënda liroi nga qelia Eduard Çipën, i dënuar me 20 vjet burg në Shkallën e Parë. Për nëntë të akuzuarit e tjerë lihet në fuqi dënimi me 106 vjet burg
Tiranë Gjykata e Apelit për Krime të Rënda liroi dje nga qelia një prej të akuzuarve si autor i masakrës së “Qafë-Gjashtës”, ku mbeti i vrarë punonjësi i policisë, Gjergj Mehmeti, dhe u plagosën dy të tjerë. Kolegji penal vendosi të shpallë të pafajshëm një nga 10 të pandehurit e kësaj çështjeje, Eduard Çipën, i cili në procesin e zhvilluar në Shkallën e Parë ishte dënuar me 20 vjet burg. Sipas vendimit të djeshëm të trupit gjykues: “nuk ka asnjë provë që të implikojë Çipën në masakrën e 4 marsit të vitit 1997”, duke urdhëruar kështu lirimin e menjëhershëm të tij nga qelia. Për 9 të akuzuarit e tjerë, kolegji penal i Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, që dënoi me 106 vite burg nëntë të pandehurit. Pak muaj më parë, Krimet e Rënda dënuan me 30 vite burg Nestor Sinanin dhe Alqi Pagunin, me 18 vjet heqje lirie Vladimir Sinanin, 31 vite burg Mikel dhe Arben Këndezin dhe po me këtë masë dënimi Agron Qurkun e Aleksandër Balën. I vetmi që mori dënim minimal nga gjykata ishte i pandehuri Edmond Sejko, i cili u dënua me 6 vjet burg, ndërsa Ristan Lapa u shpall i pafajshëm, pasi nuk provohej pjesëmarrja e tij në masakrën e “Qafë-Gjashtës”. Sipas prokurorisë, këta të pandehur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vrarë dhe më pas djegur punonjësin e policisë, Gjergj Mehmeti, ndërsa kanë plagosur ish-shefin e policisë kriminale të Vlorës, Sokol Bizhga. Gjithashtu, turma e armatosur më pas ka marrë peng punonjësin e policisë, Eduart Alia, i cili është keqtrajtuar në qendër të qytetit të Sarandës. Më 4 mars të vitit 1997, katër punonjës të policisë së Vlorës, Sokol Bizhga, Gjergji Mehmeti, Eduart Alia dhe Myzafer Blushi udhëtuan drejt Sarandës për të rimëkëmbur komisariatin e policisë, të dalë jashtë funksionit nga trazirat që sapo kishin nisur. Gjatë kthimit, ata ranë në një pritë të armatosur, ku sipas prokurorisë pjesëmarrës ishin të pandehurit e këtij procesi. Ngjarja e rëndë e ndodhur në mars të vitit 1997, edhe pse është hetuar dhe rihetuar asokohe, u zbardh vetëm 10 vite më vonë, pas hetimeve të kryera nga Prokuroria për Krime të Rënda në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. L.Bakillari