E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rigjykimi i Aldo Bares, inspektorët “zbarkojnë” te Krimet e Rënda

SHKRUAN: Leonard Bakillari 06-10-2011 14:36

Tiranë Rigjykimi i Aldo Bares dhe shkeljet proceduriale të vërejtura në procesin e mëparshëm kanë vënë në lëvizje Ministrinë e Drejtësisë, e cila dje ka iniciuar një inspektim në Gjykatën për Krime të Rënda. Një grup inspektorësh të Ministrisë së Drejtësisë mësohet se kanë nisur një kontroll të imtësishëm mbi dosjen “Bare”, duke nisur nga masa e sigurimit “arrest me burg” në mungesë, e deri te procesi gjyqësor, ku ish-kreu i “Bandës së Lushnjës” u dënua me burgim të përjetshëm. Sipas të dhënave të rezervuara mësohet se puna e inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë ka nisur me procedurat e ndjekura nga Krimet e Rënda për caktimin e masës së sigurisë në mungesë, vendim ky i marrë në vitin 2006 dhe i kontestuar nga avokati mbrojtës. Kjo masë sigurie është caktuar gjatë kohës që Bare u arrestua në Turqi, ku qëndroi për rreth tri vite në paraburgim. Gjatë kësaj periudhe, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet ndaj Aldo Bares, duke dërguar çështjen në gjykatë, ku gjithashtu ka nisur një proces gjyqësor në mungesë. Sipas avokatit, Prokuroria por dhe Gjykata nuk kanë njohur me përfundimin e hetimeve dhe nisjen e procesit gjyqësor Aldo Baren, çka mund të konsiderohet një shkelje procedurale, kërkesë kjo e pranuar edhe nga Gjykata e Apelit, e cila tri ditë më parë kthehu dosjen për rigjykim nga një tjetër kolegj penal. Që në nisje të procesit gjyqësor në ngarkim të Bares, avokati i tij mbrojtës, Vladimir Meçi ka ngritur disa herë shqetësimin e mosrespektimit të procedurave ligjore nga ana e gjykatës. Avokati ka ngritur pretendimin se klientit të tij nuk i është komunikuar përfundimi i hetimeve dhe akuza që Prokuroria ngriti ndaj tij, pasi ndodhej i arrestuar në Turqi. Gjithashtu, pala mbrojtëse ka pretenduar se Aldo Bares i kanë përfunduar afatet e paraburgimit për shkak të mbajtjes në paraburgim tre vjet në Ankara, derisa ai u ekstradua. Por kjo kërkesë është rrëzuar nga shkalla e parë, e cila e quajti të pabazuar. Ndërsa rasti më flagrant që vazhdon të mbetet ende i pasqaruar, është pozicioni i një prej dëshmitarëve më të rëndësishëm të këtij procesi, Gramoz Selmani. Sipas avokatit, prokuroria vite më parë ka nisur hetimet për ngjarjet e ndodhura në Lushnje dhe pa një vendim pushimi, i ndryshoi statusin Selmanit, duke e quajtur ‘dëshmitar të mbrojtur të drejtësisë’. Të gjitha këto elemente, të cilësuara si shkelje të procedurave ligjore nga Gjykata e Apelit, pritet të jenë pjesë e inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, e cila në përfundim do të dalë me një raport përfundimtar për këtë çështje. Kontrolli në Gjykatën për Krime të Rënda nisi dy ditë pasi Apeli vendosi të kthejë për rigjykim dosjen “Bare”, pasi në procesin e mëparshëm janë vërejtur shkelje të rënda procedurale. Me këtë vendim duket se nuk është pajtuar Prokuroria e Apelit, e cila ka paralajmëruar se do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, sapo t’i vihet në dispozicion vendimi i zbardhur i gjykatës.

12 akuzat

Aldo Bare u shpall fajtor për 12 akuza, mes të cilave 6 vrasje, dhe u dënua me burgim të përjetshëm vetëm për vrasjen e shqiptaro-maqedonasit, Xhevat Demiri. Por Gjykata e Apelit vendosi të kthejë çështjen për rigjykim, edhe pse pak ditë para këtij vendimi, një tjetër trup gjykues kishte pushuar akuzën e vrasjes së Demirit për të pandehurit e tjerë të “Bandës së Lushnjës”, të cilët u shpallën të pafajshëm për këtë akuzë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›