Babai i Tufës: Pas vrasjes së Mirit të Xhikes fshihen VIP-a e shtetarë
Xhevdet Tufa hedh poshtë akuzën e ngritur për të birin, si autor i masakrës së Kartodromit. “E di shteti shumë mirë kush e ka vrarë, por nuk duan të gërmojnë, se ata të tjerët janë njerëz VIP”. Gjykata rrëzon kërkesën e prokurorisë për një analizë të re ADN-je
Tiranë Babai i Lavdërim Tufës, i akuzuari i vetëm si autor i masakrës së Kartodromit, hedh akuza të forta për institucionet e drejtësisë dhe shtetin, që, sipas tij, i di vrasësit e vërtetë të Fatmir Ramës. Duke folur për kalvarin gjyqësor 8-vjeçar të familjes dhe djalit të tij, Xhevdet Tufa thotë se pas kësaj ngjarjeje fshihen VIP-a apo edhe shtetarë, të cilët nuk duan të zbardhin të vërtetën. “E di shteti, e di shumë mirë kush e ka vrarë, por nuk duan ta gërmojnë”, -deklaroi për mediat Xhevdet Tufa, pas seancës së djeshme gjyqësore. Sipas tij, edhe pse kanë kaluar shumë vite në dyert e gjyqeve, ka dyshime të forta për autorët e vërtetë të vrasjes së ndodhur tetë vite të shkuara në vendin e quajtur “Kartodromi”, në periferi të kryeqytetit. “Paçka që kanë kaluar vite, vazhdojmë nëpër gjykata orvatjet tona. Hije dyshimi hidhen, se ata të tjerët janë VIP-a. Persona të tjerë bashkëpunojnë me akuzën, janë VIP-a, mundësisht shtetarë. Ky është fakti dhe komenti, si nga pala e familjes që dyshon totalisht, ashtu edhe nga avokati mbrojtës”- tha babai i Lavdërim Tufës në përfundim të seancës së djeshme gjyqësore, e cila përmbyll shqyrtimin gati dyvjeçar të kësaj dosjeje në Gjykatën e Tiranës.
Ekspertimi i ADN
Seanca e djeshme gjyqësore në ngarkim të Tufës nisi me rrëzimin e një kërkese të bërë nga prokurori i çështjes, lidhur me një riekspertim ADN-je të të pandehurit. Sipas përfaqësuesit të akuzës, gjykata duhet të marrë ekspertë të huaj, veçanërisht nga policia shkencore londineze, pasi, sipas tij, ekspertët shqiptarë janë të patrajnuar. Por kjo kërkesë e prokurorit u rrëzua nga gjykata, e cila vendosi t’i japë fund shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështjeje, edhe pse prova më e fortë e prokurorisë, analiza e ADN-së, është ende e diskutueshme. Sipas gjykatës, përfaqësuesi i akuzës duhet të japë konkluzionet përfundimtare seancën e radhës, pavarësisht se ekspertët gjenetistë shqiptarë e përjashtojnë Lavdërim Tufën si autorin e vrasjes së trefishtë të ndodhur në vitin 2003. Një seancë më parë, profesori i lëndës së gjenetikës, Vahe Mokini, i tha gjykatës se në Europë përputhshmëria e ADN-së për të akuzuar një person është në masën 99.97 për qind, ndërsa FBI e ka kufirin e përputhshmërisë së ADN-së në masën 99.99 për qind. Ekspertët u janë referuar modeleve krahasuese në Europë dhe Shtete e Bashkuara të Amerikës, si dhe rastit konkret, ku përputhshmëria e ADN-së mes fijes së flokut të gjetur në vendin e ngjarjes dhe Lavdërim Tufës është në masën 90 për qind. Përveç interpretimit të të dhënave nga ekspertët gjenetistë, i pandehuri Tufa u lehtësua edhe nga një tjetër rrethanë, që, nëse do të provohej, mund të ishte rënduese për të. Në detyrat e caktuara nga Gjykata e Lartë për kthimin e çështjes për rigjykim, thuhet se Gjykata duhet të kryejë analizat mbi profilet e ADN-së për tre nga familjarët e Lavdërim Tufës, për të parë nëse do të kishte ose jo përputhshmëri mes provave të gjendura në vendin e ngjarjes dhe ADN-së së tyre. Ky profil ADN-je është kryer nga ekspertët e caktuar nga gjykata, të cilët thanë se nuk ka asnjë përputhshmëri mes profileve të tyre gjenetike dhe profilit gjenetik të individit që i përket gjaku dhe pështyma e gjetur në maskën që njëri prej autorëve kishte përdorur gjatë ngjarjes.
90%
Është përputhshmëria e ADN-së së Lavdërim Tufës me atë të gjetur në vendngjarje. Sipas gjenetistëve, praktika në Europë kërkon 99.97% përputhshmëri, ndërsa FBI-ja 99.99%.
Si u rrëzua vendimi me burg të përjetshëm
Lavdërim Tufa u shpall fajtor nga Gjykata për Krime të Rënda dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Dosja në ngarkim të tij u kthye për rigjykim nga Gjykata e Lartë, e cila pasi shqyrtoi pretendimet e mbrojtjes arriti në konkluzionin se Krimet e Rënda nuk kanë qenë kompetente për gjykimin e kësaj çështjeje. Prej muajit dhjetor të vitit 2009, dosja ndaj Tufës po shqyrtohet në Gjykatën e Tiranës, e cila ka urdhëruar edhe ekspertimin e ADN-së së të pandehurit në Itali, për të provuar shkencërisht nëse Lavdërim Tufa ka qenë ose jo pjesëmarrës në masakrën e Kartodromit, ku mbetën të vrarë Fatmir Rama, Julian Durishti dhe Kristaq Cami. Pas kësaj analize, i akuzuari i vetëm po shkon drejt lirisë.