E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika dhe tradita e kuvendimit

Politika, duke qenë, siç thotë Karl Poper, një urë për të lidhur qytetarin me të drejtën e tij për të qeverisur dhe për t‘u qeverisur, presupozon mbi të gjitha ngritjen e saj mbi themele të traditës morale, mbi ato themele, që janë pika referimi të kujtesës kolektive të një kombi. Tek kjo traditë, politikanët mund të gjejnë fillesat e një shkolle të fortë politike. Mund të gjejnë modelin e konkurrimit të ndershëm, mënyrën si funksionon verdikti i më të aftit. Politika e këtij vendi, nëse ka një defekt të madh principial, është pikërisht mosfunksionimi mbi themelet e traditës, të asaj tradite, që u ka rezistuar kohërave dhe ka dëshmuar gjenialitetin e mendimit kolektiv të botës shqiptare.

Ka qenë dhe mbetet një parim i odave shqiptare, që kuvendi të "bëhet me radhë", të flasë njëri e të dëgjojnë të tjerët, të mos flasin të gjithë njëherësh, por t‘i lënë radhë njëri-tjetrit. Mënyra e të bërit kuvend në odën shqiptare është sanksionuar dhe në disa kode të komunikimit popullor, në Kanunin e Lekë Dukagjinit, në Kanunin e Skënderbeut dhe në atë të Papa Zhulit, tri ikonat brilante të funksionimit të së drejtës shqiptare. Penalizimet, për shkak të shkeljes së rregullave strikte të funksionimit të kësaj ode, të këtij kuvendi, ku shpesh janë marrë vendime me peshë historike për fatet e kombit, pasqyrohen gjerësisht në këto akte, duke treguar seriozitetin e komunikimit komunitar, si pjesë e rëndësishme e sistemit të vlerave qytetare të shoqërisë shqiptare.

Në Kanune ndalohet kategorikisht marrja nëpër gojë dhe shpifja ndaj familjarëve të kuvendarëve, veçanërisht e grave dhe fëmijëve të tyre, duke treguar se oda korrekte shqiptare mbart kumte filozifike, etike e humane, të denja për t‘u marrë si model nga çdo strukturë politike e partiake në këtë vend, ku këto struktura, për fat të keq, janë shndërruar në Kasandra ndjellakeqe. Mbrojtja ligjore e të dobtëve dhe e të paprivilgjuarve është në themel të së drejtës kolektive shqiptare, është bazamenti më i fortë historik, moral dhe etik i një mendësie të ngritur në sistem filozifik e kod sjelljeje, në kushtet e mungesës së shtetit.

Sot, në prani të shtetit, që thuhet se është një shtet ligjor, kjo mendësi, në vend që të forcohet e të ngrihet në një shkallë të re, është kthyer në një antipod, ku përplasen interesat dritëshkurtra të klaneve politike dhe të politikanëve tanë. Tani, në këtë fushatë të tejngarkuar emocionalisht dhe me mllefe të çastit, nga kuintat e politikës fabrikohen shpifje nga më të ndryshmet, ku shpesh në fokus të tyre është familja e politikanit, gratë dhe fëmijët. Etika zero e komunikimit, etja për të shpifur e denigruar, ngutja për të përbaltur kundërshtarin, po kthehet në një kod sjelljeje, me të cilin çuditërisht pajtohet edhe shoqëria shqiptare. Në fakt, mbi këtë shoqëri, mbi të ardhmen e saj bie ky gong ulëritës, duke zgjatur ende tranzicionin, kostoja e të cilit rëndon jo vetëm në xhepat e shqiptarëve, por, mbi të gjitha, në psikolgjinë e tyre në raport me shtetin dhe politikën.

Për fat të keq, këtu në vendin tonë, retorikat e radhës ngrenë dhe shembin, me një të rënë të lapsit ngrehina të tëra premtimesh, fjalëdhëniesh e besëdhëniesh; kandidatët lëshojnë lumenj fjalësh të zgjedhura për lumturinë e premtuar të popullit dhe, sapo hypin në fron, nuk ekziston më asgjë: as premtimet e lëshuara pa doganë, as blloqet e telefonave, as dëshira për t‘i thënë dikujt që u dha gjënë më të çmuar, besimin e tij, të paktën një "faleminderit". Kur ndodh kjo, ka ndodhur më e keqja e mundshme. Ky tranzicion i stërzgjatur u ka falur shqiptarëve instinktin e pritjes, pritjes virtuale se mund të përmirësohen kushtet e tyre të jetesës, se mund të rriten standardet nga politikbërja e forcave politike që marrin në dorë qeverisjen e radhës.

Nga pas-kuintat e shpërdoruara të kësaj politike dalin skenarë të dobët thashethemesh, përbaltjesh, akuzash që nuk kanë të mbaruar, pjesë e një sjelljeje politike, të cilës i mungon përgjegjësia, e për rrjedhojë edhe morali. Politika jonë, për fat të keq, nuk ngrihet as në nivelin e një kuvendi fshati, ku shkolla e të debatuarit është, mbi të gjitha, shkolla e analizës së vlerave dhe e konkurimit të ideve.

A ka konkurim idesh politika jonë? A ka konkurim platformash dhe alternativash? Kjo vërtet që vlen për të dëshiruar. Edhe në këtë fushatë, që sapo ka filluar, për fat të keq, kandidatët dhe oborret politike, janë nisur në betejë me ushta të ndryshkura. Kësisoj duken aq të vjetër e të lodhur, saqë në fakt nuk sjellin vlera politike.

Më e pakta që mund të bëjnë oborret e politikës sonë është të studiojnë traditën, të studiojnë, siç thamë, vlerat e të kuvenduarit popullor, pasi këtu fshihet një pasuri e madhe vlerash, mbi të cilat mund të ngriheshin platforma efektive paraelektorale, elektorale e paselektorale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›